Qeveria neglizhon përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të AKP-së

12:57 | 23 Maj 2015
Arbresh.info

Qeveria e Kosovës edhe pas gjashtë muajve të funksionimit, ende nuk ka përzgjedhur anëtarët e bordit të Agjencionit Kosovar të Privatizimit (AKP). Përfaqësues nga opozita vlerësojnë se Qeveria ka neglizhuar punën për përfitime partiake. Në anën tjetër, përfaqësues nga Qeveria e pranojnë që kanë pasur vonesë por thonë se shumë shpejtë do të bëhet përzgjedhja.

Funksionimi i rregullt i AKP-së dhe ndarja e 20 %, për punëtoret e ndërmarrjeve që janë privatizuar, ka kohë që është bllokuar për shkak se bordi i AKP-së nuk është i kompletuar.

Ndërkohë, Arban Abrashi, ministër i Punës dhe zëdhënës i Qeverisë, thotë për KP se kjo vonesë ka ndodhur për shkak të agjendës së ngjeshur legjislative.

Ai ka treguar se Qeveria është në proces të përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike, ku sipas tij janë në procesim diku të rreth 1900 aplikacioneve.

Në anën tjetër, Pal Leka, anëtar i komisionit parlamentarë për zhvillim ekonomik, thotë për KP se Qeveria ka dështuar në këtë drejtim dhe këtë e ka bërë me qëllime të caktuar për përfitime politike. Madje ka vlerësuar se vendimet që janë marrë nga AKP-ja, janë jo ligjore.

Ai ka thënë se si opozitë kanë kërkuar urgjentisht themelimin e bordeve.

Në anën tjetër, Blerim Grainca, anëtar i komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, ka thënë se si komision i kanë bërë Qeverisë presion që sa më parë t’i dërgojnë emrat në kuvend.

Ndryshe, Agjencia Kosovare e Privatizimit, ka një vit që ka mbetur pa bord dhe pa menaxhment, mosfunkionimi i bordit ka bllokuar shpërndarjen e 20 për qindëshit, si dhe shumë procese të tjera siç është likuidimi i ndërmarrjeve e tjera.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme