Google ADS

Qeveria mund të përballet me një deficit të pa parashikueshëm në fund të vitit

14:56 | 3 Tetor 2015
Arbresh.info

Buxheti i Kosovës përballet me një deficit të pa parashikueshëm në fund të këtij viti. Kjo për shkak se të hyrat e projektuar në rishikim nuk do të mund të realizohen. Ministria e Financave në buxhet të rishikuar kishte paraparë 30 milionë euro dividendë nga Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) dhe 15 milionë euro nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP). Asnjëra nga këto dy institucione nuk i kanë siguruar mjetet të parapara në rishikim të buxhetit.

Kryetari i bordit të ARKEP, Ekrem Hoxha, tha se ndarja e resurseve dhe projeksionet e buxhetit nuk përkojnë me planifikimet buxhetore.

Ai ka shtuar se ARKEP është organ i pavarur në vendimmarrje.

Naser Osmani, kryetar i komisionit parlamentar për buxhet dhe financa , tha se në rast se nuk realizohen të hyrat e paraparë në rishikim të buxhetit atëherë do të kemi deficit buxhetor.

Ndryshe nga këto dy institucione që janë në pikëpyetje nëse do t’i realizojnë të hyrat në buxhet. Qeveria mbetet në mëshirën e Doganave dhe Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), për të mbushur arkën e shtetit.

Doganat e Kosovës , sipas zëdhënësit të saj, Adriatik Stavileci, deri në fund të këtij viti planifikon të realizoj të hyra në buxhet mbi 940 milionë euro.

Ndërsa sipas të dhënave të ATK-së gjatë periudhës Janar-Gusht 2015 ka pasur rritje prej 9 % më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo ishte përgjigja e ATK-së përmes postës elektronike. Ky institucion nuk ka dhënë detaje nëse do të realizoj të hyrat e projektuara në buxhet të këtij viti.

Sipas raportit të shpenzimeve dhe të hyravetë publikuar nga Ministria e Financave , ATK në gjashtëmujorin e parë të vitit 2015 ka arkëtuar të hyra në vlerë prej 162.5 milionë euro. E që sipas të dhënave të buxhetit të përgjithshëm ATK duhet të përmbyll vitin duke realizuar të hyra 340 milionë uro.

Buxheti i këtij viti në total është 1 miliardë e 567 milionë euro.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme