Qeveria e Kosovës: Projektligji i rishikuar parasheh 1 miliard e 788 milionë euro

18:24 | 17 Qershor 2020
Arbresh.info

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, ka shqyrtuar dhe miratuar Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020 dhe masat e reja për luftimin e përhapjes së pandemisë COVID-19,raporton Arbresh.info.

Projektligji i rishikuar parasheh 1 miliard e 788 milionë euro, ndërsa totali i shpenzimeve të rishikuara të buxhetit është 2 miliardë e 620 milionë euro.

Buxheti i rishikuar për vitin 2020 adreson të gjitha sfidat e krijuara nga pandemia e virusit COVID-19 dhe gjetjen e mënyrës së financimit të realizimit të programit qeverisës. Me rishikim të buxhetit nuk janë prekur asnjë projekt kapital, derisa kursimet do të kthehen në procese normale në buxhetet e viteve të ardhshme.

Sipas analizës së zhvillimeve ekonomike, parashihet që rritja ekonomike për vitin 2020 të jetë minus tre për qind (3%) dhe pritet që në vitet 2021 dhe 2023 të kthehet në rritjen progresive prej 5 për qind.

Situata e krijuar nga pandemia ka imponuar zhvillimin në proceset buxhetore dhe për vitin 2020 ku pritet një deficit buxhetor prej 6.5 për qind.

Qeveria ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për masat e reja për luftimin dhe parandalimin e pandemisë COVID-19. Sipas vendimit të gjitha institucionet publike dhe private në Republikën e Kosovës obligohen të organizojnë punën e stafit të tyre duke respektuar distancën fizike apo duke aplikuar punën online nga shtëpia, në funksion të kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive bazuar në legjislacionin në fuqi.

Institucionet publike dhe private në Republikën e Kosovës janë obliguar që të zbatojnë kontrollin rigoroz të bartjes së maskave në hyrje të çdo institucioni dhe të organizojnë punën me stafin e tyre në përputhje të plotë me Manualin për mbrojtjen nga përhapja e virusit COVID-19.

 

https://www.facebook.com/arbresh.info/videos/686647168733652

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme