Google ADS

Qendrat grumbulluese, rrisin prodhimtarinë dhe garantojnë tregun për fermerët

16:53 | 6 Gusht 2015
M. A.

Rreth 2 mijë fermerë nga mbarë Kosova tashmë kanë bërë marrëveshje që produktet e tyre bujqësore t’i dorëzojnë në qendrën grumbulluese Elkos, në Xërëxë të Rahovecit. Kjo u tha sot gjatë një vizite në “kryeqytetin e bujqësisë”, nga ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi, kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi dhe përfaqësuesi i USAID-it, James Hope.

Kjo qendër grumbulluese, e cila është e treta me radhë në Kosovë, ka kapacitet të grumbullimit deri në 200 mijë tonë produkte bujqësore në vit.

Me këtë rast, pronari i Elkos Trade Center, njëherësh deputet në Parlamentin e Kosovës, Ramiz Kelmendi, tha se dy fazat e tjera të këtij kompleksi agrar do të përfundojnë tek në vitin 2018. Ai po ashtu shtoi se Elkos po punon edhe në hapjen e një qendre të re të grumbullimit në Shqipëri, me kapacitet deri në 500 mijë tonë grumbullim në vit.

 

Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, u shpreh se hapja e kësaj qendre grumbulluese në “kryeqytetin e bujqësisë”, në Rahovec, është shumë e qëlluar.

 

“Sot në këtë qendër grumbulluese, e cila është jo vetëm ndër më të mëdhatë dhe më modernet në Kosovë, por edhe në rajon, realisht e shohim mënyrën më të mirë zhvillimin që po e merr bujqësia gjatë këtyre viteve… kjo është realizuar me bashkëfinancimin e Ministrisë së Bujqësisë, e cila ka investuar gati 1 milion euro për ndërtimin e kësaj qendre grumbulluese”, tha Krasniqi.

Besimin e madh që ka për zhvillimin e sektorit të bujqësisë e shprehu edhe përfaqësuesi i USAID-it, James Hope. Ai në këtë vizitë tha se kjo është mundësi e mirë për hapjen e sa më shumë vendeve të punës.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, me rastin e kësaj vizite në këtë qendër, u shpreh se ditët e mira për bujqësinë e Kosovës tashme janë duke ardhur.

 

“Ky objekt kapital po tregon se ditët e mira për bujqësinë e Kosovës veç janë duke ardhur… ky është një fakt i cili na shtyn të mendojmë për arsye të interesave tona, interesave të fermerëve, t’i rrisim sipërfaqet e mbjella, t’i rrisim cilësinë e produkteve tona dhe të mendojmë për të ardhmen që ekonomia e komunës, ekonomia e Kosovës të rritet, të ketë më shumë vende të punës”, tha Vehapi.

Për hapjen e kësaj qendre grumbulluese, e cila cilësohet si më e mira në rajon, Ministria e Bujqësisë ka ndarë një fond prej 1 milion eurosh. Një pjesë të mjeteve financiare ka siguruar edhe USAID-i, ndërsa pjesa më e madhe e investimit është bërë nga pronari i Elkos, Ramiz Kelmendi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme