Punëtorët kërkojnë hetime në MTI

08:30 | 21 Gusht 2015
Arbresh.info

Isa Dukaj, zyrtar në zyrën e Pronësisë Industriale në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) para pak kohe përmes një shkrese zyrtare ka kërkuar nga kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, që të nisë hetime në Ministrinë ku ai punon për parregullsi të shumta.

Në letrën e Dukajt që e ka siguruar gazeta “Zëri” thuhet se institucioni ku punon ai  është themeluar në vitin 2007, ku nga themelimi ka funksionuar si zyra e pronësisë industriale deri me datë 01.08.2013, ku, sipas tij, mbi bazën e një “procesi komplet korruptiv” dhe në shkelje të plotë të ligjit për interesa private të ish-menaxhmentit të MTI-së dhe vazhdon, fillon dhe e quan këtë institucion Agjenci për Pronësisë Industriale.

Sipas tij, një veprim i tillë është plotësisht në kundërshtim me ligjin dhe për mbulimin e kësaj afere, sipas tij, pas një viti fillohet procedura për ndryshimin e këtyre ligjeve me qëllimin e vetëm humbjen e gjurmëve. Por, sipas tij, këto ligje kurrë nuk janë miratuar.

“Vlen të ceket se nga viti 2007 dhe deri në gusht 2013 janë lëshuar mbi 40000 vendime të ndryshme nga Zyra e pronësisë industriale ashtu siç përcakton ligji. Vlen të ceket se nuk ka asnjë dokument juridik apo vendim apo çfarëdo qoftë ku thuhet se nga ky moment ky institucion nga Zyra për pronësi industriale ndërron emrin dhe bëhet Agjenci për Pronësi Industriale”, thuhet në letrën e Dukajt drejtuar kryeprokurorit Lumezi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme