Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar sot Projektligjin për Energjinë Termike. Qëllimi i këtij ligji është përcaktimi i kushteve për zhvillimin e tregut të qëndrueshëm dhe konkurrues të energjisë termike.
Ligji përcakton të drejtën e konsumatorëve për t’u lidhur me sistemet e energjisë termike dhe furnizimit me energji termike sipas standardeve dhe me çmim ekonomik.
Qeveria po ashtu ka miratuar Raportin gjashtëmujor të Buxhetit të Kosovës për vitin 2015. Në raport, ndër të tjera, është evidentuar rritje e parasë së gatshme për 36 milionë euro, e cila ka rritur bilancin bankar të Qeverisë për 24%, duke rritur kështu qëndrueshmërinë financiare të Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa ka ngritur çështjen e nevojës që të ketë sjellje të njëjtë sa i përket racionalitetit të shpenzimeve të buxhetit ndërmjet ministrive dhe agjencive të pavarura dhe agjencive tjera. “Do të ishte mirë që në një mbledhje të ardhshme të Qeverisë të kemi një informatë në detaje lidhur me sjelljen e çdo subjekti buxhetor në shpenzimin e parasë publike sepse nuk janë vetëm ministritë ato që e shpenzojnë buxhetin, janë edhe agjencionet dhe institucionet tjera të pavarura.
Ne jemi përgjegjës për krejt buxhetin, dhe duhet të kemi një informatë komplekse dhe natyrisht të japim udhëzime dhe të bëjmë vërejtje për të gjithë ata që nuk sillen në mënyrë racionale me paranë publike”, tha kryeministri Mustafa, duke kërkuar që në një mbledhje të ardhshme të jepet një informatë e shkurtër, dhe të shihet si është gjendja te krejt shfrytëzuesit e buxhetit sa i përket parasë publike.
Kryeministri Isa Mustafa ka vlerësuar faktin se ka shpenzime më të ulëta, por ka theksuar edhe faktin se nuk është arritur që të arkëtohet ashtu siç është paraparë. “Kemi një rritje prej 7 për qind të hyrave të buxhetit, por kemi po ashtu 9 për qind më pak shpenzime se sa që kemi pasur përpara. Prandaj, relacioni ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve është pozitiv.
Kemi pasur edhe korrigjime të buxhetit me rishikim të buxhetit, për arsye se është vlerësuar nga Fondi Monetar dhe Ministria që ne nuk do të mund të arrijmë të gjitha të hyrat që ne i kemi planifikuar. Prandaj, kjo edhe do të barazohet me këtë korrigjim që e kemi bërë. Por tash duhet të shohim tek racionalizimi i shpenzimeve për çdo subjekt veç e veç, që t’iu bëjmë vërejtje dhe po ashtu t’i udhëzojmë të gjitha subjektet se si të sillen me paranë publike”, theksoi kryeministri Mustafa.
Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për ndryshimin e normave të akcizës të disa mallrave.
Kabineti qeveritar ka miratuar propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për anëtarë të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës. Propozimi do të përcillet për miratim në Kuvendin e Kosovës.
Me propozimin e ministrit të Financave, është aprovuar Plani Inicial për krijimin e Agjencisë së të Hyrave.
Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndryshimin e emrit të Ndërmarrjes Publike “PTK-ShA” në “Telekomi i Kosovës” Sh.A.
Kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë Pyjore të Kosovës, Ahmet Zejnullahu, i është vazhduar mandati edhe për tri vjet, me vendimin e aprovuar sot nga Qeveria e Kosovës.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, ka përsëritur shqetësimet lidhur me incidentet me të kthyerit në komunat e Istogut, Pejës dhe Klinës.
Lidhur me këtë çështje, kryeministri Isa Mustafa theksoi zotimin dhe angazhimin e Qeverisë, edhe përmes ministrive përkatëse, Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe tjerave, në mënyrë që të sigurohet që ligji do të veprojë në të gjitha pjesët e vendit tonë . “Si Qeveri, kemi bërë ftesë edhe përpara, jemi përcaktuar edhe në Programin Qeveritar, që ne do të zbatojmë sistemin e drejtësisë.
Dhe ne jemi për atë që në të gjitha rastet e vrasjeve, dhe të humbjes së jetë njerëzve të zbardhen, dhe kryesit e këtyre veprave të dalin para drejtësisë. Do të angazhohemi maksimalisht, po e themi këtu që mos të angazhohemi mbi baza nacionale, por që çdo dyshim, për çdo vrasje duhet të përgjigjen njerëzit dhe kryesit e këtyre veprave.
Është një sukses i drejtësisë së Kosovës në qoftë se ne arrijmë, ndërkaq ne si Qeveri do të angazhohemi që kjo të zbatohet”, tha kryeministri Isa Mustafa.
Ana tregon planet e saj pas Big Brother
Çeku liston 250 investime të kryera dhe në realizim në infra...
Konsiderohej si “financier” i grupit te Habilajve, gjykata l...
Elon Musk e quan kancelarin Scholz të Gjermanisë ‘budalla’
Gresa Hoti pozon pa pikë grimi
Ndodh mes dy banoreve, puthen në buzë Gresa dhe Drenusha