Pse po fshihet kontrata 63 milionëshe e Bechtel-Enkas

16:02 | 25 Janar 2018
M. A.

Të martën, në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Pal Lekaj ka deklaruar se ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, kishte kërkuar më 30 shtator zgjatjen e afatit për përfundimin e autostradës “Arbën Xhafer” deri më 31.12.2018 me një kosto prej mbi 14 milionë euro, por Qeveria e kishte kthyer mbrapa një kërkesë të tillë duke thënë se duhet të vendosë komiteti ndërministror, ndërsa nga ajo kohë nuk është marrë asnjë veprim.

Mosmarrja e përgjegjësisë në kohën e duhur, duket se do t’i kushtojë shumë Kosovës.

“Marrëveshja është nënshkruar pa dakordim se sa do të kushtojë pagesa. Kërkesa e kontraktorit në nëntor ka dorëzuar dokumentin ku kërkon 63 milionë euro. Janë tre faktorë që kanë përcaktuar këtë shumë: zgjatja e projektit për pagesën dhe mbajtjen e projektit prej 16.6 milionë euro. Pajisjet që duhet të përdoren me kosto prej 30.8 milionë euro. Ndërprerjet që janë shkaktuar, me kosto prej mbi 10 milionë euro”, ka thënë Lekaj.

Kjo kontratë është kërkuar që të bëhet publike, por ministri aktual ka thënë se nëse publikohet kontrata, do të shkelej njëri nga nenet.

Anëtarja e këtij komisioni, Mimoza Kusari, ka treguar se ministri Lekaj ka raportuar në Komision se ka nënshkruar një amendament të kontratës për t’i shpëtuar Arbitrazhit, por sipas saj, Kosova nuk ka pse të shkojë në Arbitrazh e as pse t’ia paguajë Bechtel-it 63 milionët.

Sipas Kusarit, për këtë proces dhe për menaxhim të mirëfilltë të kësaj kontrate e cila tash ka kaluar nëpër tri kabinete qeveritare prej nënshkrimit të saj në korrik të 2014-ës, duhet një ekip i specializuar dhe mbarë qeveritar. Komisioni parlamentar i kërkoi publikimin e kontratës, por këtë dëshirë nuk po ia plotëson ministri, i cili po thotë se është një nën në kontratë, të cilin palët nuk e publikojnë.

Kusari thotë se meqenëse ministri po refuzon publikimin e kontratës, deputetëve u ka mbetur që t’i drejtohen gjykatës për të kërkuar të drejtën për t’u publikuar ajo.

Lidhur me këtë çështje Gazeta Express ka kontaktuar me ish-ministrin e Insfrastrukturës Lutfi Zharkun, për të kuptuar më shumë për mospublikim e kontratës.

Zharku thotë se vetëm disa nene afariste nuk lejohen të publikohen, ndërsa pjesa tjetër mundet.

“Bechtel-Enka ka përcaktuar nenet që i konsideron sekret afarist, të cilat nuk kanë te bëjnë me ndonjë fshehje, kurse pjesa tjetër e kontratës mund te publikohet. Ekziston shkresa e Bechtel-Enka për këtë çështje”, ka thënë për Express.

Ndërsa Eset Berisha, këshilltar i Lekajt, thotë për Express se kontrata është e me mbrojtje të vecantë dhe nuk mund të publikohet tek pala e tretë.

“Kontrata është e mbrojtur me klauzole të vecantë për konfidencialitet dhe nuk mund te publikohet tek palet e treta, pa pëlqimin e të dy palëve”, ka thënë Berisha.

Në vitin 2016 në Qeveri marrëveshja shtesë ngeci dhe u kthye mbrapsht. Deri në vitin tjetër, në shtator 2017, Qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa nuk ndërmori më asnjë veprim për një obligim të madh financiar që kishte hyrë me konzorciumin amerikano-turk paraardhësi i tij në Qeveri, Hashim Thaçi.

Këto detaje dhe shumëçka tjetër rreth pretendimit prej 63 milionë eurosh nga “Bechtel&Enka” u zbardhen në një letër të menaxherit të projektit të “Bechtel&Enka”-s Riyadh Alkhazraji, të cilën ua kishte drejtuar pesë ministrave të qeverisë “Mustafa” dhe këshilltarit të transaksionit.

Në këtë letër, mes të tjerash, vërehet mosbesimi i drejtuesit të projektit ndaj aftësisë së Qeverisë për t’iu përgjigjur obligimeve financiare që dalin nga kontrata.

Nëse kjo marrëveshje nuk merr epilog, Kosova mund të përballet me kompaninë kontraktuese në Arbitrazh.

Eset Berisha, ka thënë për Express se shkuarja në Arbitrazh është pjesë e kontratës, nëse palët nuk pajtohen në ndonjë nga pikat, kështu që epilogu i supozuar është edhe i mundshëm.

Ndërkaq, nga Bechtel&Enka thonë se do t’i referohen ‘institucioneve përkatëse’, ashtu siç parasheh kontrata.

“Marrëdhënia Kontraktuare e Bechtel Enka JV është institucionale dhe si e tillë i referohemi institucioneve përkatëse. Çdo element i kontratës është konform legjislacionit ne fuqi”, i është përgjigjur Gazetës Express zëdhënësja e Bechtel&Enka-s, Ela Ruçi.

Përderisa Bechtel&Enka i kërkon paratë, Berisha thotë se kompania nuk ka dërguar kërkesë zyrtare, po vetëm paralajmërim.

“Nuk e kanë përmendur punën e Arbitrazhit e as nuk kanë dërguar kërkesë zyrtare. Krejt çka kanë dorëzuar është një paralajmërim i kërkesës që e kanë bërë në 2016-ën dhe 2017-ën. Nuk kanë dërguar kërkesën zyrtare me të cilën ne duhet t’u kthejmë atyre përgjigje që pas kësaj të shkohet në Arbitrazh”, ka thënë këshilltari ligjor i ministrit Pal Lekaj.

Meqë asgjë s’është definitive, Berisha thotë se gjithçka është akoma e diskutueshme. Kështu , ai tregon se ministri Lekaj do të bëjë përpjekje që dëmi lidhur me këtë çështje të jetë sa më i vogël.

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/pse-po-fshihet-kontrata-63-milioneshe-e-bechtel-enka-491352/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme