Google ADS

Pronari i panjohur i pompave të naftës

12:58 | 23 Shkurt 2016
Arbresh.info

Kosova as pas 16 vitesh nuk ka arritur të qartësojë pronësinë e 29 pikave të shitjes së derivateve  të ndërmarrjes Ina nga Zagrebi i Kroacisë që ndodhen brenda territorit të shtetit.

Dhoma e veçantë e gjykatës supreme nuk ka nxjerrë ende asnjë vendim lidhur me këtë çështje.

Ndërkohë atyre ua kanë parë hajrin shfrytëzuesit e paligjshëm.

Në Kosovë llogaritet të jenë 29 pika të shitjes së derivateve të kompanisë “INA”. Prej tyre 22 kanë qenë të uzurpuar nga kompania “Kosova Petrol” e Bedri Selamnit. Kurse, 5 janë të uzurpuara nga persona tjerë dhe dy nuk janë fare funksionale.

Para 11 viteve “INA” kishte kërkuar nga Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme, që t`i njihet pronësia në pompat e derivate të naftës që i ka ndërtuar në kohën e ish-Jugosllavisë.

Për pronat e saj që ishin uzurpuar menjëherë pas luftës së vitit 1999, ende nuk është marrë një vendim nga ky organ gjyqësor, shkruan Gazeta Fjala.

Kjo gjykatë thotë se nuk mund të jap informata lidhur me rastet që janë në proces.

“Ndërsa ne e çmojmë lartë interesin publik për këtë lëndë, gjykata nuk mund të nxjerrë në pah informata lidhur me procedurat në rrjedhë e sipër për palët e treta”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim.

Agjencia Kosovare e Privatizimit e kishte deklaruar kompaninë Kosova Petrol pronë e Bedri Selmanit si uzurpatoren e këtyre pompave.

Mirëpo Selmani arsyetohej se kishte bërë marrëveshje me UNMIKU-n, për shfrytëzimin e tyre që nga janari i vitit 2000.

Kontestohet qiradhënia e AKP-së

Agjencia Kosovare e Privatizimit shumë kohë pasi që e kishte shpallur uzurpatore Kosova Petrolin i lëshoi me qera pikat e derivateve të “INA” që mbaheshin nga ajo.

Në maj të vitit 2014, 10 pika të shitjes së derivateve me pakicë u nxorën në ankand dhe prej 117 konkurrentëve sa ishin në gare AKP ka zgjedhur kompaninë “IP – KOS” sh.p.k që është përfaqësuese në tregun e Kosovës e kompanisë italiane “IP Gruppo API”.

Ndërkaq, në janar të vitit 2015 AKP ka lëshuar me qera edhe 13 pika tjera të karburanteve të INA-s dhe Jugo Petrol.

Për dhjetë pikat e para qeraja e tyre do të jetë 51 mijë euro në muaj kishte njoftuar AKP. E për 13 tjera të cilat u morën në shfrytëzim nga Al-Petrol dhe kompania e re e derivateve Ilirian nuk është bërë e ditur.

Gazeta Fjala në nëntor 2015 pati raportuar se edhe familja multimilionerë Pacolli do të hyjë në biznesin e naftës dhe si fillim nisi me pikën e derivateve në hyrje të Prishtinës, e cila shfrytëzohej nga Bedri Selmani.

Por, vendimi i Agjencisë së Privatizimit e pati irrituar “INA-in”, pasi që nuk e kishte njoftuar paraprakisht se do e merrte këtë vendim.

Sipas tyre AKP ka vepruar “krye në vete” me dhënien me qira të këtyre pompave, pasi ato janë kontestuese.

“INA i ka dërguar një letër Agjencisë  duke shprehur pakënaqësi për shkak se bëhet fjalë për stacionet për të cilat ka rast gjyqësor qe nëntë vjet”, shkruante në reagimin e Ina Zagrebit.

Megjithëkëto pretendime të Ina-s, Ylli Kaloshi, zëdhënës  në AKP, pati thënë se Agjencia është e autorizuar të menaxhojë asetet në pronësi shoqërore.

“Mirëpo, AKP-ja në bazë të ligjit, neni 5.1, është e autorizuar që të administrojë këto asete në pronësi shoqërore deri në një vendim të Dhomës të Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës”, tha Ylli Kaloshi, zëdhënës në AKP.

Lidhur me veprimin e AKP-së për lëshimin me qera të 10 pompave pati reaguar edhe kompania “Kosova Petrol”.

Kjo kompani  përmes një komunikate për media njoftoi se nuk pretendon në pronën e tokës, e cila është ende e kontestueshme në mes të kompanive të jashtme dhe AKP-së, por kërkonte t`i nihen investimiet që ka bërë për shumë vite në to.

”Gjatë kësaj periudhe 14 vjeçare, ‘Kosova Petroli’ ka bërë investime disamilonëshe dhe e ka siguruar pozicionimin e vet në tregun afarist të derivateve të naftës”, thuhet në komunikatë.

Ata gjithashtu thonë se të gjitha asetet që janë krijuar e që janë: objektet nga themeli të ndërtuara, mjetet e punës, vendet e punës dhe kryesorja që është tregu afarist që të gjitha së bashku janë 80 % të aseteve të “Kosova Petrolit”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme