Prokuroria e Shtetit hesht, Telekomi afër falimentimit

08:00 | 21 Korrik 2020
Arbresh.info

Ka pothuajse një javë që prej kur ndërmarrjes publike, Telekomi i Kosovës i janë bllokuar të gjitha llogaritë bankare pasi Gjykata Themelore Prishtinë ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi.

Kjo gjendje po vlerësohet si më alarmantja deri më tani për ndërmarrjen e cila po operonte me humbje tash e sa kohë derisa vite më parë ishte më fitimprurësja në vend.

E, për këtë kontratë, arbresh.info që nga e premtja ka dërguar pyetje në Prokurorinë e Shtetit nëse do të nisin hetimet por që nuk ka marrë përgjigje.

Për të komentuar këtë çështje nuk kanë qenë të qasshëm as udhëheqësit e ish- Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në Postë Telekomin e Kosovës (PTK) dhe Vala, kryetari Visar Ymeri dhe nënkryetari, Milaim Zeka.

Ndërsa për mos reagim nga Prokuroria e Shtetit është deklaruar   Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS). Aty kërkon sqarim nga kryeprokurori, Aleksandër Lumezi sqarim se çfarë duhet më tepër të ndodhë që të nisin hetimet dhe të vihen para përgjegjësisë penale shkaktarët e gjendjës aktuale.

Aty thuhet gjithashtu se heshtja e Prokurorisë së Shtetit ndaj situatës afër bankrotimit të Telekomit të Kosovës është tregues i kapjes kriminale.

“GLPS vlerëson që një gjendje e tillë është pikë së pari reflektim i dështimit të qëllimshëm të Prokurorit të Shtetit. E pyesim Kryeprokurorin Lumezi se cfarë duhet t’i bëjnë më tepër një aseti publik sikur Telekomi i Kosovës që Prokuroria Publike të hetoj dhe vëj para përgjegjësisë penale të gjithë shkaktarët që e sollën këtë gjendje, prej ministrave të atëhershëm e gjerë më sot, e gjithashtu menaxhmenteve respektive të Telekomit të Kosovës? Si është e mundur që Telekomi në vend se të jetë ndërmarrja më e suksesshme publike për shkak të statusit të saj në treg, ajo vendoset në një situatë bankrotimi, e ku Prokurori i Shtetit hesht sikur interesi publik i sanksionuar me legjislacionin penal të mos ekzistonte? Si është e mundshme që zhvatja e aseteve publike të ndodh kaq tmerrshëm, e institucionet publike të bëjnë sikur nuk ka autorë ndaj kësaj gjendjeje?”, thuhet në reagim.

Se prokuroria duhet të nis hetimet për këtë rast për arbresh.info kishte thënë edhe Artan Demhasaj nga organizata joqeveritare “Çohu”,.

“Prokuroria duhet edhe një herë të filloj hetimin në gjithë këtë fenomen që po ndodhë dhe me e pas se kush janë faktorët dhe eventualisht fajtorët e këtij rasti duhet të dalin para drejtësisë”, kishte thënë ai.

Ai kishte shtuar gjithashtu se një hetim i tillë është zhvilluar edhe më herët por që është mbyllur. Sipas tij nëse ka fakte të reja duhet të fillojnë hetimet dhe të ngritën aktakuzat.

“Një hetim i tillë është bërë më herët madje edhe personalisht e  kam përcjell por ajo lëndë është mbyllë dhe nëse ka fakte të reja dhe prova për vepra të tjera penale të njerëzve të tjerë eventual të përfshirë në ato veprimtari mendoj se prokuroria është dashtë me hy dhe me filluar hetimin dhe me pas shpejt edhe aktakuzë”, ka thënë ai.

Ndryshe arbresh.info kishte raportuar ekskluzivisht për bllokimin e llogarive bankare të ndërmarrjes publike, Telekomi i Kosovës.

Bllokimi ka ardhur pasi ditë më parë Gjykata Themelore Prishtinë ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.

Ndaj kësaj të fundit ka reaguar edhe ndërmarrje teksa kanë kërkuar ndihmë nga Prokuroria e Shtetit dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.

Në komunikatën e ndërmarrjes ndër të tjera thuhet se Telekomi po kërcënohet me falimentim.

“Me një vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës. 6.07.2020 u refuzua prapësimi i debitorit Telekomi i Kosovës dhe u kalua në fuqi te përmbaruesi privat urdhri përmbarimor për shumën e obligimit financiar prej rreth 24.6 Milionë Euro. Me këtë vendim të procedurës së përshpejtuar përmbarimore, të pa peshuar dhe vlerësuar sa duhet, Telekomi i Kosovës po kërcënohet me falimentim. Edhe pse ekzistojnë mundësi ankimimi në Gjykatën e Apelit, e njëjta nuk e prolongon medoemos ekzekutimin e urdhrit përmbarimor”, thuhet në reagim./arbresh.info/

 

EKSKLUZIVE- Bllokohen llogaritë e Telekomit të Kosovës, rrezikohet me falimentim

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme