Google ADS

Produktet bujqësore, synim edhe për tregun evropian

16:34 | 30 Shtator 2015
M. A.

Është hapur panairi i produkteve bujqësore- agroindustriale dhe tregtisë inverse, në qendrën e panaireve në Shkabaj të Prishtinës. Në këtë panair janë ekspozuar produkte jo vetëm nga Kosova, por nga të gjitha vendet e Ballkanit e më gjerë.

Për të përshëndetur hapjen e këtij panairi, të pranishëm ishin ministri i Bujqësisë Memli Kransiqi, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami dhe ministri i Bujqësisë së Shqipërisë, Edmond Panariti.

Qëllimi i këtij Panairi është që t’i jepet dimension i ri produkteve dhe që prodhimet vendore të depërtojnë edhe në tregun evropian.

Ministri Memli Krasniqi, u shpreh i kënaqur me numrin e bizneseve të cilat po marrin pjesë këtë vit në panair. Sipas tij, bujqësia është potenciali më i madh zhvillimor i Kosovës.

 

“Unë jam i lumtur që ky panair tashmë tradicional është zhvilluar nga viti në vit dhe këtë vit përsëri ka arritur që të ketë një pjesëmarrje rekorde të kompanive kosovare dhe po ashtu që të zgjerojë prezantimin dhe fushëveprimtarinë e tij përtej Kosovës, duke pasur edhe biznese nga vendet e tjera të rajonit dhe më gjerë. Prezenca e gjithë këtyre bizneseve dhe jashtë Kosovës, pa dyshim që na bën të ndjehemi mirë, por në mënyrë të veçantë unë ndihem mirë që kemi një numër rekord edhe të bizneseve nga Republika e Shqipërisë”, tha Krasniqi.

Ndërsa, ministrja Hykmete Bajrami, tha që Qeveria ka dëshmuar që ka agjendë ekonomike.

 

“Organizimi i këtij panairi sot dhe ky vend që na ka bashkuar është dëshmia më e re për bashkëpunimin në mes të qeverisë dhe sektorit privat. Besoj që pas këtyre 10 muajve ne si Qeveri e kemi dëshmuar që kemi një agjendë ekonomike. Pakoja e re fiskale ka hyrë në fuqi me 1 shtator dhe besoj që të gjitha bizneset kanë filluar të ndjenjë efektet e saj. Qeveria ka ndërmarr hapa konkret, duke liruar nga tatimet të gjitha linjat e prodhimit dhe lëndën e parë, e cila nuk prodhohet në Kosovë…unë besoj që tanimë të gjithë jeni dëshmitarë që dialogu në mes të sektorit publik dhe privat po vazhdon dhe është i gjallë përmes këshillit kombëtar për zhvillim ekonomik”, tha Bajrami.

Ministri i Bujqësisë së Shqipërisë, Edmond Panariti, u shpreh i lumtur me faktin që panairi ka kapërcyer pritshmëritë e tyre. Ai njoftoi se që nga dita e sotme, vezët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në tregun shqiptar.

 

“Kjo shkon pikërisht në frymën që Qeveria e Kosovës dhe e Shqipërisë po mundohen të instalojnë nëpër mjet nënshkrimit të marrëveshjeve që garantojnë lëvizjen e lirë të produkteve bujqësore, praninë reciproke të produkteve të d y vendeve ne dy tregjet respektove e pse jo në gjithë rajonin. Me ministrin Krasniqi avancuam hapat e integrimit të dy bujqësive tona, duke filluar që nga sot, vezët e Kosovës lëvizin lirisht në tregun shqiptar, do të pasohen shumë shpejt me heqjen e barrierave për lëvizjen e miellit dhe brumërave në dy vendet tona”, tha Panariti.

Panairi ku po prezantohen numri i madh i kompanive nga shtetet e rajonit, do të jetë i hapur deri më 3 tetor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme