Autoritetet në Kosovë po synojnë që prodhuesit vendor të jenë të barabartë me ata të vendeve të rajonit. Qeveria në largim e Kosovës, ka miratuar Pakon Fiskale të quajtur 2.0, me masa të reja të politikave, të cilat, sipas zyrtarëve qeveritarë, lehtësojnë ndjeshëm të bërit biznes dhe fuqizojnë sektorin privat, si shtyllë kryesore e zhvillimit ekonomik.
Kjo pako përfshinë lirimin nga tatimi doganor për të gjitha produktet që konsiderohen si lëndë e parë për prodhim, pastaj ndryshim/plotësimin e listës së produkteve që i nënshtrohen normës së reduktuar prej 8 për qind të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Po ashtu, parashihet krijimi i kodeve të reja tarifore për disa produkte, sipas praktikave të Bashkimit Evropian, ulja e akcizës në pije të gazuara dhe jo të gazuara, fiskalizimi e të tjera.
Zëvendëskryeministri në Qeverinë në largim të Kosovës, Ramiz Kelmendi thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo pako e bën industrinë e prodhuese të Kosovës të nivelit të barabartë më të gjithë prodhuesit e vendeve të rajonit.
“Pakoja fiskale 2.0 është një ndër vendimet më të mëdha që është bërë ndonjëherë në funksion të mbështetjes së prodhimtarisë vendore”.
“Pas miratimit të kësaj pakoje, unë mund të them se të gjitha komponentët prodhuese, repromaterialet, nuk do të kenë doganë. Nevojitet një afat kohor implementimi, por të gjithë prodhuesit e vendit në Kosovë do të jenë të barabartë në tregun e Kosovës, me prodhuesit rajonal dhe prodhuesit e shteteve të Bashkimit Evropian”, thotë Kelmendi.
Edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe prodhues në Kosovë shpresojnë se miratimi i kësaj pakoje do të përmirësojë kushtet, njëherësh do të stimulojë afaristët që merrem me prodhimin e produkteve, “Made in Kosova”.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini tha për Radion Evropa e Lirë se miratim i kësaj pakoje ka qenë kërkesë e kamotshme e afaristëve kosovarë.
Megjithatë, Shahini beson se efektet do të jenë pozitive nga zbatimi i kësaj pakoje.
“Kjo pako do të barazon forcat prodhuese dhe konkurruese të prodhueseve vendor, karshi konkurrencës që ka ardhur vazhdimisht nga shtete rajonale dhe të Evropës. Por, që në disa raste prodhuesi vendor e ka humbur fuqinë konkurruese, por edhe konsumatori besimin tek prodhimi vendor, pasi në treg ka dalë më i shtrenjtë”, thekson Shahini.
Disa nga prodhuesit vendor edhe pse nuk kanë shumë informacione rreth përmbajtjes së pakos, shpresojnë se janë marrë për bazë kërkesat e tyre.
Bashkim Osmani është i pronar i kompanisë “Laberion”, që merret me prodhimin e lëngjeve natyrale. Ai megjithatë shprehet i rezervuar sa u përket masave për lehtësimin e të bërit biznes.
“Ne si prodhues nuk kemi kërkuar asnjëherë më shumë se sa vendet e rajonit. Në momentin që kemi kushte të njëjta, menjëherë do të kemi mundësi të krijojmë vende të reja të punës, të kemi produkte më çmim më të lirë në treg”, thotë Osmani për Radion Evropa e Lirë.
“Të gjitha këto na barazojnë nga prodhuesit e vendeve të rajonit dhe Evropës. Ne konkurrencën më të madhe e kemi nga Serbia dhe Maqedonia. Unë mendoj se ende ka shumë për tu bërë në aspektin e politikave fiskale”, thotë ai.
Ndryshe, në shtator të vitit 2015, ka filluar zbatimi i pakos së parë fiskale, e cila sipas autoriteteve kompetente ka pasur efekte pozitive. Sipas tyre, kjo pako ka ndihmuar në formalizimin e bizneseve duke ndryshuar Ligjin për Tatimin Mbi Vlerën e Shtuar, përkatësisht pragun e TVSH-së.
Ministri i Financave në Qeverinë në largim të Kosovës, Avdullah Hoti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë, ka thënë se nga këto reforma bizneset kanë përfituar 47 milionë euro lirime të ndryshme për lëndë të parë dhe makineri prodhuese. Kurse 21 milionë euro, sipas tij, kanë përfituar qytetarët si rezultat i lirimit të Tatimit Mbi Vlerën e Shtuar, nga 18 në 8 për qind.
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...