Pensionistët nuk arrijnë të marrin pension me rritje

14:18 | 4 Mars 2016
Arbresh.info

Pensionistët kontribut-dhënës në Kosovë ende nuk kanë arritur të marrin pensionet me rritje, ashtu siç parashihet me udhëzimin administrativ, që ka dalë nga Ligji për skemat pensionale.

Kjo, për faktin se, siç thotë Shaban Kajtazi, udhëheqës i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, pensionistët kanë probleme në kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm.

“Shumë pensionistëve, që kanë kryer shkollat, qoftë të mesme, qoftë të larta apo edhe fakultetet, diplomat nuk po u gjenden, për shkak se lufta ka lënë pasoja të mëdha; janë djegur shtëpitë, janë marrë arkivat nga fakultetet, nga shkollat e larta. Disa gjenden në arkivat e fakulteteve, disa gjenden në arkivin e Kosovës, por ka shumë që nuk janë aty. Pastaj, ka shumë kandidatë që kanë vazhduar studimet qoftë në Beograd, Zagreb e vende të tjera, që u kanë mbetur diplomat atje. Kështu që është një problem i madh aty”, thotë Kajtazi për Radion Evropa e Lirë.

Përvoja e punës dhe kualifikimi arsimor janë kriteret kryesore për kategorizimin e shkallës së pensionistëve në Kosovë.

Baza e pensionit kontribut-dhënës është 158 euro, kurse më i larti 240 euro.

Nga 1 janari i këtij viti është hapur aplikimi për dorëzimin e dokumentacioneve të nevojshme, si dhe ka filluar verifikimi i tyre nga një komision, i cili vepron në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Vetë pensionistët, të cilët kanë aplikuar në këtë proces, tregojnë për Radion Evropa e Lirë problemet që hasin.

Pensionisti Sinan Duli, me shkollim të mesëm, ka punuar në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Ai thotë se nuk ka mundur të kompletojë dokumentacionin që i është kërkuar për pension, porse shprehet i bindur se të njëjtin e ka dërguar para 11 vjetësh tek autoritetet kompetente në Kosovë.

“Para 11 vjetësh i kam dorëzuar të gjitha, diplomën e shkollës së mesme, të gjitha që janë dashur, por ata po kërkojnë origjinalin. Unë jam i bindur që edhe origjinali është tek ata (zyrtarët), por ata nuk e marrin as mundin të shikojnë”,thotë Duli, duke kërkuar që këto procedura të thjeshtëzohen.

Pensionisti Sokol Klinaku, i cili ka punuar në Termocentralin “Kosova A”, thotë për Radion Evropa e Lirë se e ka gjetur dokumentacionin e nevojshëm, porse zyrtarët kompetentë nuk po ia pranojnë, pasi që, siç thotë ai, nuk po e njohin atë diplomë.

“Atë diplomë që e kam para 40 vjetësh, nuk po ma pranojnë. Unë, më 1972, e kam përfunduar në privat kualifikimin e lartë për agjistrator. Unë, kur e kam marrë atë diplomë dhe e kam paraqitur në organizatën ku kam punuar, më është rritur paga, nuk më kujtohet tani për sa, por që ka qenë shumë e lartë”,thotë Klinaku, duke shtuar se nëse nuk i njihet ky kualifikim i lartë, ai do të marrë pension më të ulët.

Për të gjitha këto parregullsi që janë evidentuar gjatë këtij procesi, Shaban Kajtazi, nga Lidhja e Pensionistëve të Kosovës, thotë se po zhvillohen diskutime me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Është një problem i madh, ne jemi në kontakt me Ministrinë që të gjendet një zgjidhje, që qoftë edhe me një dokument që e dëshmon që e ka pasur fakultetin apo shkollën e lartë, të merret parasysh dhe të pranohet, në mënyrë që të mos mbeten jashtë rrethit për shfrytëzim të pensionit sipas shkallës së arsimimit”,thotë Kajtazi.

Në Kosovë janë të evidentuar 40 mijë pensionistë kontribut-dhënës./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme