Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e fundit ka shkarkuar drejtorin e Aviacionit Civil, Eset Berisha, kurse e ka emëruar ushtrues detyre në këtë post, Arianit Islamin.
Sipas njoftimit të qeverisë, shkarkimi i tij është bërë për shkak të shkeljeve të detyrave të tija profesionale.
“Në mbështetje të kompetencave të Qeverisë, përkatësisht nenit 20, paragrafi 4, pika a) e Ligjit Nr. 03/L-051 për Aviacionin Civil, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, sot ka shkarkuar Drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil, z. Eset Berisha për shkak të shkeljeve të detyrave të tij profesionale. Z. Berisha ka hartuar dhe nënshkruar Rregulloren e brendshme të AAC-së në kundërshtim me ligjin, ka degraduar stafin menaxhues pa vlerësim të përformancës, ka mbajt detyra tjera me pagesë njëkohësisht, dhe ka rrezikuar Qeverinë e Republikës së Kosovës në dërgim në arbitrazh. Emërimi i z. Eset Berisha, si Drejtor i Përgjithshëm i AAC-së ka qenë në kundërthënie me ligjin qysh prej fillimit, prandaj Qeveria e Republikës së Kosovës, duke pasur në interes zbatimin e plotë të ligjit dhe interesin publik prioritet, ka marr vendim për shkarkimin e z. Berisha, dhe emërimin e z. Arianit Islami, Ushtrues Detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së, deri në marrjen e rekomandimit të Ministrit të Infrastrukturës dhe Ambientit për emërimin e drejtorit të ri, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim.
Lidhur me këtë, ka reaguar vet Berisha, i cili shkarkimin e tij e quan vendim të jashtëligjshëm.
Ku sipas tij, arsyeja e vetme për këtë shkarkim është krejtesisht politik, që lidhet me nënshkrimin e letrës së synimit me kompaninë ajrore Lufthansa për linjën Prishtinë-Beograd në ambasadën e SHBA-ve në Berlin.
“Ndër arsyet e shkarkimit, të cilat rrjedhën nga mediat, sepse vendimi nuk është publikuar ende, thuhet se kam nxjerrë rregulloren e brendshme në kundërshtim me ligjin, se kam degraduar stafin menaxhues dhe kam mbajtur pozita tjera me pagesë dhe se kam rrezikuar Qeverinë e Kosovës me një proces arbitrazhi ndërkombëtar. Në fakt arsyeja e vetme për këtë shkarkim edhe pse i fshehur dhe i pathënë duket të jetë, krejtësisht politik, që lidhet me nënshkrimin e letrës së synimit me kompaninë ajrore Lufthansa për linjën Prishtinë-Beograd në ambasadën e SHBA-ve në Berlin, më 20 janar të këtij viti”, shkruan Berisha në Facebook.
Reagimi i plotë
REAGIM NDAJ VENDIMIT TE JASHTELIGJSHEM TE QEVERISE
Nga mediat e kuptova se dje në ora 2200, Qeveria ka mbajtur mbledhje dhe me ka shkarkuar nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.
Ndër arsyet e shkarkimit, të cilat rrjedhën nga mediat, sepse vendimi nuk është publikuar ende, thuhet se kam nxjerrë rregulloren e brendshme në kundërshtim me ligjin, se kam degraduar stafin menaxhues dhe kam mbajtur pozita tjera me pagesë dhe se kam rrezikuar Qeverinë e Kosovës me një proces arbitrazhi ndërkombëtar.
Në fakt arsyeja e vetme për këtë shkarkim edhe pse i fshehur dhe i pathënë duket të jetë, krejtesisht politik, qe lidhet me nënshkrimin e letrës së synimit me kompaninë ajrore Lufthansa për linjën Prishtinë-Beograd në Ambasadën e SHBA-ve në Berlin, me 20 janar te ketij viti.
Tani po i shpjegoj ‘asyet’ e dhëna në vendim:
Rregullorja e brendshme e dt. 09.07.2019 është hartuar dhe nënshkruar plotësisht në pajtim me nenin 41 dhe 42 të Ligjit nr. 06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura. Janë respektuar të gjithë hapat procedural për nxjerrje të rregullores së një agjencie të pavarur e cila i raporton Kuvendit të Kosovës.
Sistematizimi dhe klasifikimi i vendeve të punës në AAC në pajtim me legjislacionin në fuqi për shërbimin civil, ka qenë kërkesë e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të vitit 2014 dhe Auditorit të Brendshëm të vitit 2018. Në të dy këto raporte ishte vërejtur një laramani e gradave të nëpunësve civil, strukturë organizative (departamente me nga një nëpunës) në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, dhe është rekomanduar AAC qysh ne vitin 2014 të ndërmerr veprime për menjanimin e këtyre parregullsive. Për këto arsye është nxjerrë rregullorja e brendshme e cila i zbaton të gjitha kërkesat e legjislacionit në fuqi duke zbatuar standardet per rregullimin e brendshem.
Asnjë nëpunës i AAC-së nuk është degraduar. Si rrjedhojë e nxjerrjes së rregullores së brendshme është krijuar strukturë organizative me departamente sipas numrit të nëpunësve, duke zbatuar standardet e nenit 41 të Ligjit nr. 06/L-113, por nëpunësit civil ende nuk janë sistemuar në këto pozita për shkak të zvarritjeve nga ministria e administratës publike. Ka pasur edhe vendime gjyqësore për katër ankesa kundër rregullores së brendshme, për shkak se disa deparatamente janë shndërruar në divizion për shkak të numrit të vogël të nëpunësve, por këto ankesa Gjykata e Apelit dhe Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka hedhur poshtë. Legjislacioni në fuqi i Republikës së Kosovës nuk njeh degradim të departamentit në njësi më të vogël administrative sic është divizioni, por sic duket Qeveria e Kosovës e njeh këtë lloj ‘degradimi’ sepse e lidhe poziten funksionale me individ te caktuar.
Sa i përket pozitave tjera te mia me pagesë (mëditje) , gjatë kohës sa kam qenë këshilltar i ministrit të Infrastrukturës kam mbajtur pozitën e anëtarit të njësisë mbikëqyrës të projektit të autoudhës Prishtinë-Hani i Elezit, , dhe kryetar i Komitetit të Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, këto dy pozita i kam ushtruar edhe pas emërimit si drejtor i përgjithshëm i AAC-së. Asnjëra dhe as tjetra nuk janë në kundërshtim me ligjin për aviaiconin civil dhe as me ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit.
Emërimi në pozitën e drejtorit të përgjithshëm është bërë në pajtim me nenin 20 të Ligjit për Aviacionin Civil, si në rastin tim ashtu edhe në rastin e ish drejtorit të përgjithshëm. Nuk ka pasur konflikt interesi, ekziston edhe vendimi i Agjencisë Kundër Korrupsionit për këtë.
Sa i përket procesit të arbitrazhit, nëse Qeveria e Kosovës mendon se duhet të ketë shmangie nga zbatimi i ligjeve te Republikës së Kosovës, dhe akteve nënligjore në zbatim të këtyre ligjeve, për shkak të interesave të palëve të cilat kërcënojnë me procese arbitrazhi nëse preken interesat e tyre, atëherë një gjë e tillë është e papranueshme për një shoqëri ku sundon ligji.
Rregullat e BE-së të zbatueshme në vendin tonë kërkojnë që pasi një aeroport të kaloj pragun prej 2 mil. udhëtarëve, duhet të ketë të paktën dy operatorë për secilën kategori të shërbimeve në tokë. Për momentin ekziston vetëm një operator.
E gjitha ajo që kam kërkuar është hapja e tregut të shërbimeve në tokë në aeroportin “Adem Jashari”, koncesionari privat e ka mbështetur të drejtën e tij në detyrimin për vjelje të tarifave fikse dhe pamundësi të vjeljes së këtyre tarifave nga operatorët tjerë. Deri në hapjen e tregut të shërbimeve në tokë e kam kufizuar aprovimin për koncesionarin dhe furnizuesin me kerozinë të aeroplanëve, që është i vetmi, për shkak të detyrimit ligjor për hapje të tregut.
Sic duket ky është ‘vlerësimi ‘që Qeveria e Kosovës, më ka bërë për punën time një vjecare për senzibilizimin e opinionit per humbjt financiare nga mosmenaxhimi i hapesires se larte ajrore, per fillimin e procesit të hapjes së korridoreve ajrore me shtetet fqinje (Shqipërinë, Malin e Zi) dhe marrjen e përgjegjësive nga autoritetet vendore në hapësirën ajrore, qe pritet te perfundohet shpejte;
– Kthimin e ligjshmërisë në rregullimin e brendshëm të AAC-së, që ishte inekzistent që nga themelimi i saj në vitin 2009;
– Mbrojtjen e interesit publik të përgjithshëm në raport me koncesionarin privat te aeroportit;
– Nënshkrimin e letrës së synimit me kompaninë ajrore gjermane Lufthansa, e cila nëse fillon të zbatohet është marreveshje ne heshtje dhe njohje de facto dhe de jure e autoriteteve kosovare nga autoritetet serbe.
Më falni, por më shumë se kaq nuk kam mundur të bëjë për vetëm një vit në detyrë. Sic duket Qeveria në detyrë ka kritere tjera vlerësimi dhe prioritete tjera se sa zbatimi i ligjit.
Me vjen mire qe nuk jam pjese e atyre prioriteteve!
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë...
Mot i keq e erëra të forta, komuna e Prishtinës apelon qytet...
Rihapet aeroporti në Londër/ Nuk jepen detaje pas alarmit pë...
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të Kosovës
Përleshje mes dy të miturve në Skenderaj, njëri prej tyre th...
A do të “rikthehet” Atilla sonte në BigBrother?