Google ADS

Parashihet rritje ekonomike prej 6 për qind

21:37 | 3 Janar 2018
Arbresh.info

Kosova në pesë vitet e fundit ka pasur një rritje ekonomike mesatare prej 3.5 deri 5 për qind. Ndërsa për këtë vit qeveritarët e njohës të ekonomisë parashohin rritje më të mirë, prej 6 %, por megjithëkëtë, sipas këtyre të fundit, mbetet e pamjaftueshme për ta ulur papunësinë e varfërinë.

Profesori Nagip Skënderi thotë se vendi ka një rritje ekonomike më të mirë se ato të rajonit dhe kjo jep një shpresë për një zhvillim ekonomik, por që mbetet e pamjaftueshme për zhvillim ekonomik.

“Edhe po të ishte rritja ekonomike mbi dy shifrore, megjithatë norma e papunësisë do të jetë shumë vështirë për t’u reduktuar, respektivisht për t’u avancuar në atë kuptim që pozita sociale të përmirësohet. Dhe në këtë kontekst rritja ekonomike mundet me pasur një dinamizëm më të lartë dhe Kosova ta ketë një shifër më të lartë të rritjes ekonomike që do të mund të sillet deri në 6 përqind, eventualisht nëse do të kishte një dakordim të politikave ekonomike në kuadër të gjithë spektrit ekonomik dhe atij politik në Kosovë”, ka theksuar Skënderi për televizionin publik.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, thekson se krahasuar me pesë vitet e fundit, viti 2018 do të ketë një rritje rekorde, së paku prej 6 për qind, me ndikim nga sektori i teknologjisë informative, i bujqësisë dhe të projektit ‘Kosova e Re’, që pritet të fillojë të ndërtohet nga fundi i këtij viti.

“Unë besoj se do ta kemi një rritje minimum 6 për qind, ka potencial edhe më tepër, por nëse arrijmë që ta kemi 6 për qind, është mjaft e suksesshme, sepse ajo dëshmon që do kemi gjenerim të vendeve të punës për herë të parë më shumë punëtorë që futen në tregun e punës në vit. Sepse i duhet Kosovës rreth 6 për qind të ketë rritje ekonomike në mënyrë që t’i plotësoj të gjitha nevojat e punëtorëve që hyjnë në tregun e punës për një vit. Pastaj, kjo do të përkthehet edhe në shumë e shumë suksese tjera, sepse ideja kryesore është që t’i kemi disa investitorë të mëdhenj dhe të besueshëm”, ka theksuar Lluka./RTK

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme