Panariti: Bujqësia ka nevojë të financohet

16:34 | 29 Tetor 2016
Arbresh.info

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave tw Shqipërisë, Edmond Panariti, theksoi se, bujqësia ka nevojë të financohet dhe financimi nuk vjen vetëm nga subvencionet, por edhe nga kredidhënia, ndaj të dyja duhen përdorur në mënyrë të balancuar.

“Përgjithësisht kredia shkon për ata që kanë filluar një aktivitet, e kanë konsoliduar atë dhe mund t’i përballojnë këstet. Pastaj ka një financim ku kombinohet subvencioni me kredinë, pra një pjesë financohet me kredi për të filluar dhe pjesa tjetër me subvencion kur mbaron investimi në total. Por, kemi edhe subvencion të pastër për ata fermerë që nuk kanë mundësi të fillojnë aktivitetin”, është shprehur Panariti, duke nënvizuar se, tre këto mekanzima janë mekanizma të njohur e të aplikuar nga shtetet e BE.

Janë të treja forma të ligjshme që aplikohen ose më vete, ose të kombinuara, deklaroi Panariti në një intervistë televizive.

Duke u ndalur në rolin e pikave të grumbullimit për nxitjen e tregtimit të produkteve bujqësore, ministri Panariti informoi se, duhet të zgjerojmë kapacitetet grumbulluese, sepse kur ke pikë prodhimi jo gjithçka absorbohet nga tregu. Pra, duhet të dish ta akumulosh atë në bazë frigoferike dhe një pjesë ta çosh për përpunim në trajtë salce, kur bëhet fjalë për domate.

Në këtë mënyrë, vijoi ai, ruhet prodhimi jo vetëm si domate e freskët, por edhe si domate që kalon për përpunim. Nga ana tjetër, duhet balancuar raporti kërkesë-ofertë sepse ka ankesa për deformim të çmimit nga spekulatorët, që luajnë me fermerët dhe prishin kontratat e vendosura mes pikave të grumbullimit dhe prodhuesve.

“Këto janë deformime të çmimit. Prandaj unë jam i vendosur për ngritjen e një mekanizmi rregullator, që dikush e ka karakterizuar si bursë, por unë e quaj “community market”, që është dhe hapi vendimtar për të disiplinuar raportin kërkesë-ofertë dhe për të parandaluar që spekulantët të deformojnë çmimet. Kjo do të krijojë raporte të mirëbalancuara kërkesë-ofertë, do mundësojë transparencë të shitjeve me shumicë. Pra, duke krijuar këtë raport të mirëbalancuar dhe çmime të indeksuara pse jo në bazë ditore apo javore, ne frenojmë abuzuesit që të spekulojnë me djersën e fermerëve”, tha Panariti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme