Pamundësia për të qarkulluar pa viza dëmton afaristët kosovarë

17:28 | 26 Mars 2015
Arbresh.info

Mos përfshirja e Kosovës në zonën evropiane të lëvizjes së lirë pa viza, ka dëmtuar afaristët kosovarë. Pamundësia për të qarkulluar pa viza drejtë vendeve të Bashkimit Evropian, ka ndikuar në mos njohjen për së afërmi me partnerët e mundshëm që mund të kenë marrëdhënie tregtare.
Përfaqësues të bizneseve në Kosovë, tregojnë se në mungesë të vizave, kanë pësuar humbje të mëdha duke mos arritur që të realizojnë takime mjaft të rëndësishme me afaristë të vendeve të ndryshme të botës.
Sylejman Konushevci, pronar i fabrikës së vajit “Inter- Company” nga Podujeva, tregon për për problemet që iu shkakton mungesa e liberalizimit të vizave. “Është një pengesë shumë e madhe, ne varemi nga ambasadat sa kanë ato gatishmëri të na pajisin me viza. Për të ardhur deri tek marrja e vizave është një procedurë e gjatë, duhet garancioni nga kompanitë që bashkëpunojmë, kërkohet kompletimi i dokumentacionit, që janë të shumta, është humbje e madhe e kohës”, tregon Konushevci.
Kosova ka mbetur vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk mund të lëvizin pa viza.
Problemet me sundimin e shtetit ligjor, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë çështje që merren parasysh për vendet që pretendojnë procesin e liberalizimit, apo atë të integrimit në Bashkimin Evropian.
Bizneset që merren me eksportin dhe importin e produkteve të ndryshme, janë ato biznese të cilat pësojnë më së shumti nga mungesa e liberalizimit të vizave.
Kompania “Frutex” nga Suhareka, është një ndër kompanitë më të mëdha për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjetike në Kosovë. Kjo kompani ka të punësuar mbi 60 punëtorë.
Pronari i saj, Shaqir Palushi, tregon se shumë herë ka ndodhur që edhe iu është refuzuar viza, pavarësisht asaj se arsyeja e udhëtimit ka qenë për punë të biznesit. “Kemi pasur shumë herë raste kur na është refuzuar viza, pavarësisht asaj se kemi pasur të udhëtojmë për të blerë ndonjë makineri për punën që e bëjmë. Austria, Sllovenia janë dy nga shtetet që na kanë refuzuar. Tani kam marrë një vizë unë si pronar i kompanisë nga Gjermania, por që nuk e kanë marrë vizën menaxherët e kompanisë, të cilët merren me zhvillimin e eksportit”, tregon Palushi.
Biznesmenët në Kosovë, tregojnë se për tu pajisur me një vizë, presin deri në tre muaj gjë që iu shkakton atyre humbjen e shumë partnerëve të mundshëm. Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit në Kosovë, kërkojnë nga ekzekutivi kosovar që të bëhen marrëveshje me shtetet, për krijimin e lehtësive në marrjen e vizave për bizneset kosovare transmeton Rel.
Krerët e institucioneve dhe qytetarët e Kosovës, në vazhdimësi po kërkojnë nga Bashkimi Evropian që t’i trajtojë ata njëjtë si të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që tashmë kanë të drejtë të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të Shengenit.
Bashkimi Evropian ka hequr vizat për qytetarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, në dhjetor të vitit 2009, ndërsa Shqipërisë dhe Bosnjës u janë hequr vizat një vit më pas, në dhjetor të vitit 2010./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme