Paditen kompanitë mashtruese

08:44 | 5 Janar 2016
Arbresh.info

Kompania sllovene “Express Airways”, përmes një letre i është drejtuar Prokurorisë së Dyseldorfit në Gjermani, që ta zbardhin mashtrimin që ia ka bërë kompania “S-Consulting”, pronar i të cilës është shtetasi turk Sabahattin Yildirim.

Ky i fundit kohë më parë ka marrë në shfrytëzim avionin e kompanisë “Express Airways”, por nuk i ka paguar obligimet ndaj kompanisë, kompanisë furnizuese, por edhe ndaj Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Në denoncimin e dorëzuar në Prokurori, e të cilin ka arritur ta sigurojë gazeta “Zëri”, thuhet se kompania “S-Consulting”, tash është duke operuar në Kosovë me emra të rinj “Kosovaairexpress” dhe “Kosovajet”, kompani të cilat, gjatë javës që lamë pas, lanë shumë udhëtarë në terminalin e Aeroportit të Prishtinës.

Më tej në denoncimin e dorëzuar në Prokurori thuhet se kompania turke “S-Consulting” i ka kompanisë “Express Airways” një shumë të madhe të borxhit prej më shumë se 624 mijë euro. Kompania në fjalë po ashtu i ka borxh Aeroportit të Prishtinës 360 mijë euro, si dhe 272 mijë euro ndaj kompanisë që furnizon me kerozinë Aeroportin e Prishtinës.

“Po ju njoftojmë se kompanitë ‘Kosovaairexpress’ dhe ‘Kosovajet’ edhe gjatë vitit 2016 do të vazhdojnë më mashtrime. Këto dy kompani ofrojnë fluturime mashtruese me numra të rrejshëm të fluturimit, të cilët në realitet nuk ekzistojnë. Këto kompani gjatë vitit 2015 përmes mesazheve të dërguara përmes internetit kanë mashtruar shumë qytetarë. Ne kemi dëgjuar për shumë mashtrime të tilla”, thuhet më tej në denoncimin e bërë në prokurorinë gjermane.

Mashtrime përmes “Call center”-ve

Mirëpo, burime të besueshme të gazetës “Zëri” bëjnë të ditur se mbrapa këtyre kompanive për të cilat kompania “Express Airways”, iu është drejtuar Prokurorisë së Dyseldorfit qëndrojnë “Alba Air” dhe “Air Dardania”, por edhe kompani tjera të cilat zakonisht shfaqen gjatë kohës së verës dhe në fund të vitit.

Para pak muajsh, në dyshimin se kanë mashtruar mijëra udhëtarë, Njësia për Krime Ekonomike e Policisë së Kosovës, pati arrestuar pronarin e kompanisë “Alba Air”, ndërkaq është në kërkim të personave tjerë që janë të përfshirë në këtë skemë të madhe mashtrimi më aviobileta.

Aktualisht në vendin tonë ekzistojnë shumë qendra të thirrjeve (call center) ilegalë të cilët në vazhdimësi po iu dërgojnë mesazhe telefonike, por edhe po i thërrasin direkt shumë bashkatdhetarë që vizitojnë Kosovën.

Shumë qytetarë janë habitur se si këta ua kanë siguruar numrat e tyre të telefonit të cilët i përdorin në Gjermani, Zvicër, apo edhe në shtete tjera të Evropës, apo edhe më larg.

Në ndihmë kompanive mashtruese u ka dalë edhe Aeroporti i Prishtinës, i cili i ka lejuar ata që të operojnë, pa paguar obligimet që kanë ata si ndaj Aeroportit, ashtu edhe ndaj kompanisë së furnizimit me derivate.

Pavarësisht mashtrimeve të shumta, prej më shumë se një dekade, institucionet e Kosovës thuajse gjithmonë kane qëndruar si spektatorë dhe asnjëherë nuk arritën të ndalin “turrin” e kompanive mashtruese të cilat po shfaqën çdo ditë.

Zharku: Mashtrimet po ndodhin jashtë Kosovës

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, thotë se qytetarët e Kosovës po mashtrohen nga aviokompani që janë të regjistruara në shtete të ndryshme të Evropës, por jo në Kosovë.

“Deri më tash pjesa dërmuese e mashtrimeve kanë ndodhur nga kompani që operojnë në Gjermani, Zvicër, por edhe në shtete tjera. Në këto shtete s’kemi çka të bëjmë. Gjatë verës institucionet patën marrë masa ndaj një kompanie e cila ka mashtruar udhëtarët e që ka pasur përfaqësinë në Kosovë”, tha ministri Zharku për gazetën “Zëri”.

Ai më tej thotë se është e çuditshme që shumica e udhëtarëve që janë viktimë e mashtruesve nuk denoncojnë kompaninë mashtruese në Ministri, apo edhe në Polici.

“Shumica e udhëtarëve që janë mashtruar akuzojnë vetëm me fjalë, por çuditërisht ata nuk bëjnë ankesë më shkrim në institucione, ashtu siç parashihet me ligj. Nëse ne kemi ankesa me shkrim, ato mund t’i adresojmë edhe në shtete ku veprojnë ato kompani, por derisa nuk kemi, ne s’kemi si të reagojmë”, tha më tej ministri Zharku.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme