“Pakoja mbështetëse të zbatohet sa më shpejt që të jetë e mundur, në të kundërtën, bizneset mund të pësojnë dëme strukturore”, thonë nga Oda Tregtare Kosovaro Turke (OTKT)
Oda Tregtare Kosovaro Turke (OTKT) përmes anëtarëve të saj ka bërë një përmbledhje rreth efektit të krizës COVID-19 në ekonomi dhe sugjerimeve për të dalë nga kriza në Kosovë.
Siç njofton OTKT nëpërmjet një komunikate për media, aktualisht situata ekonomike nuk është e qëndrueshme në sektorin privat ndërsa nëse bizneset mbeten të mbyllura ose me një kapacitet minimal edhe për më shumë se 2 muaj, “menaxhimi i krizave do të bëhet shumë më i vështirë”.
OTKT thotë se pakoja Emergjente Fiskale e miratuar nga Qeveria u mirëprit, mirëpo mendohet se ajo nuk është e mjaftueshme për menaxhimin dhe kapërcimin e krizës dhe se ajo duhet të zgjerohet në kuptim të kohëzgjatjes dhe shtrirjes së saj.
Në rekomandimet e renditura të kësaj ode për përballim sa më të efektshëm të pandemisë në aspektin ekonomik, ajo thotë se “duhet të përfundojnë të gjitha marrëveshjet ligjore dhe t’i hapet rruga qeverisë për huazime”, me mbështetjen e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore dhe përmes bankave tregtare, për t’u siguruar kredi afatgjata me interes të ulët.
“Është e rëndësishme që pakoja mbështetëse të zbatohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Në të kundërtën, bizneset mund të pësojnë dëme strukturore. Kriza tashmë po ndihet intensivisht në sektorin e shërbimeve dhe sektorin real, por brenda një kohe të shkurtër do të prekë të gjithë sektorët e ekonomisë. Pavarësisht nga vlerësimet politike, zgjerimi i pakos mbështetëse duhet të merret në konsideratë”, thekson OTKT e cila shton se pakoja mbështetëse duhet të përfshijë tërë vitin 2020.
Gjithashtu ndër rekomandimet e odës, është që deklarimi i taksave (TVSH) dhe shtyrja e pagesave të tyre të shtyhet deri në fund të vitit për të gjitha bizneset me vështirësi në pagesë ndërsa kompanitë të shmangin largimin e personelit nga punë kur kjo gjë është e panevojshme.
Ajo mbështet një “tregti pa kontakte” dhe mundësinë e shërbimit “online”, për të cilën thotë se një infrastrukturë “online” duhet të mbështetet nga ana e Qeverisë.
Sa i përket kohës pas konfirmimit të zvogëlimit të rasteve të të prekurve me koronavirus në Kosovë, OTKT thotë se tek sektorët me më pak kontakte duhet të rriten masat e sigurisë dhe të bëhet kthimi gradual në punë, ndërsa Fondet e Bashkimit Evropian, kreditë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore si dhe fondet e aseteve të Kosovës duhet të përdoren në mënyrë efektive për rimëkëmbjen e sektorit privat.
Më 31 mars, Qeveria në detyrë e Kosovës, miratoi Pakon Emergjente Fiskale të propozuar nga ministri i Financave dhe Transfereve në Kosovë, Besnik Bislimi që parasheh disa masa për t’i dalë në ndihmë kategorive të ndryshme sociale, punëtorëve e bizneseve me rastin e uljes së intensitetit të punës apo mbylljes së të tyre.
Sot në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seancë me kërkesë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me propozimin e tyre për miratimin e një pakoje emergjente financiare prej 320 milionë eurove për ta ndihmuar sektorin privat, bizneset dhe kategoritë shoqërore që po ballafaqohen me pandeminë./AA
Haziri në 35-vjetorin e LDK-së: Kjo familje e Rugovës ia dha...
Isak, objektiv i gjigantit francez
Eskalon situata mes Xuxit dhe Gresës, e lagin njëri-tjetrin ...
Policia në kërkim të dy të dyshuarve për vjedhje në Graçanic...
“Kjo dëshiron që unë të them kam pëlqim për të”, Driloni fle...
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një...