Osmani: Votimi i marrëveshjes KOSTT – ENTSO-E u hap rrugë investimeve të reja

15:50 | 22 Prill 2020
Arbresh.info

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim përfaqësuesit e KOSTT, me rastin e zhvillimeve te fundit në lidhje me votimin e marrëveshjes së re të kyçjes KOSTT – ENTSO-E.

Me këtë rast, Osmani përgëzoi përfaqësuesit e KOSTT për arritjen e jashtëzakonshme dhe për punën profesionale të bërë në këtë drejtim.

Ajo tha se votimi pozitiv për marrëveshjen e re të kyçjes në mes të KOSTT dhe ENTSO-E nga ana e Operatorëve te Sistemeve të Transmisionit të Evropës (që operojnë brenda asociacionit ENTSO-E), është një hap historik për vendin, e sidomos një zhvillim tejet pozitiv për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të energjisë.

“Arritja e kësaj marrëveshjeje do të ndikojë dukshëm në përmirësimin e shërbimeve energjetike në vend, do t’i hap rrugë investimeve të reja në këtë fushë si dhe do të kontribuojë në bashkëpunimin energjetik rajonal. Mirënjohje e veçantë shkon për aleatët ndërkombëtarë, për mbështetjen e tyre të vazhdueshme, e në veçanti Qeverisë Gjermane dhe KfW, për investimet e rëndësishme në avancimin e rrjetit të transmisionit”, theksoi në mes tjerash Osmani.

Nga ana e përfaqësuesve të KOSTT u vlerësua bashkëpunimi korrekt dhe profesional me Kuvendin e Kosovës, që njëherësh është edhe aksionar kryesor i KOSTT-it. U rikonfirmua rëndësia e madhe e marrëveshjes së re për arritjen e pavarësisë energjetike, si dhe u theksua rëndësia e mbështetjes së aleatëve ndërkombëtarë në përmbylljen e suksesshme të këtij procesi.

Në takim, palët trajtuan dhe çështjen e vështirësive me të cilat po ballafaqohet sektori energjetik gjatë periudhës së pandemisë, adresimin e obligimeve dhe çështjeve financiare, si dhe u diskutua mbi implikimet dhe sfidat që rrjedhin nga mungesa e bordit të drejtorëve të KOSTT, në operimin dhe menaxhimin e kompanisë./arbresh.info/

Pavarësimi energjetik i Kosovës ndal humbjet e miliona eurove

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme