Gjykata e tenderëve i ka dhënë dritën jeshile, Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), për të vazhduar me procedura të tenderimit me kompaninë “Alta As & Elcom”, për projektin “Riparimi i shiritave magjistral të qymyrit në Termocentralin “Kosova B”, pavarësisht dyshimeve që në këtë proces kompania fituese nuk i përmbush kriteret e vendosura nga autoriteti kontraktues.
Kjo është vërtetuar edhe në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), që njihet si gjykata e tenderëve, e cila pajtohet pjesërisht me pretendimet e kompanisë ankuese, që në këtë proces janë konstatuar 16 shkelje ligjore.
Në vendimin e OSHP-së, thuhet se aprovohet pjesërisht ankesa e operatorit ekonomik “Fam, Magbdeburger Forderanngalen und Baumaschinen Gmbh & Ntsh Ekoinvest” dhe për këtë OSHP ka vendosur që t’i kthehet sigurimi i ankesës në vlerën e deponuar.
Ky vendim i OSHP-së dhe i gjithë procesi i këtij tenderi tashëm është në duar të hetuesisë. Këtë e kanë bërë të ditur burime të KosovaPress-it, të cilët kanë treguar se në këtë proces ka elemente me dyshime për shkelje ligjor. Ndërsa, zyrtarisht Prokuroria e shtetit nuk ka kthyer përgjigje.
Përveç Prokurorisë së shtetit, për këtë rast janë të njoftuar autoritetet më të larta vendore dhe ndërkombëtare.
Ky vendim i OSHP-së, i cili në një anë i pranon pretendimet e palës ankuese e në ndërkohë i japë të drejtë KEK të vazhdoi me këtë proces, shihet me shqetësim të madh nga pronari i kompanisë kosovare në konzorcium me kompaninë gjermane, e cila ka deponuar ankesë, “Fam , Magbdeburger Forderanngalen und Baumaschinen Gmbh & Ntsh Ekoinvest”, Shefki Asllani.
Ky i fundit është i habitur me vendimin e OSHP-së.
“Ne jemi të befasuar dhe shumë të zhgënjyer me vendimin që është marrë nga ana e panelit shqyrtues të OSHP-së. Duke pasur parasysh që edhe me këtë vendim, paneli shqyrtues, asnjë nga pretendimet tona, të cilat i kemi pasur në ankesë, nuk i hedhë poshtë dhe ankesa jonë aprovohet pjesërisht, e në anën tjetër i lejohet autoritetit kontraktues që të vazhdoj me procedura të tenderimit. Në ketë rast, vendimi i panelit nuk është gjë tjetër vetëm se një shkelje e ligjshmërisë, ashtu siç e ka bërë edhe komisioni vlerësues edhe eksperti shqyrtues i Prokurimit Publik. Në ketë rast, OSHP-ja e ka luajtur rolin e një zyre ligjore ose mbrojtës i KEK, se sa që është marrë me pretendimet tona ankimore ose me të drejtën e kësaj ankese”, tha Asllani.
Si shpresë e vetme për Asllanit mbeten organet e drejtësisë. Ai tregon se vetëm Prokuroria do të mund të paralizojë shkeljet që janë bërë në këtë proces.
“E vetmja shpresë që ne besojmë të paktën në fund të ketë një drejtësi është që organet e drejtësisë në këtë rast Prokuroria e shtetit të merr masa dhe këto shkelje të paralizohen ose të merret një vendim në favor të së drejtës. Ne kemi kërkuar masë të përkohshme dhe shpresojmë që të paktën kjo do të jetë një shpresë që procedurat të kthehen në rishqyrtim dhe të vendoset ashtu siç e kërkon ligji”, tha Asllani.
Por për drejtorin ekzekutiv të organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj, e cila merret me hulumtime të shpenzimit të parasë publike, fajtorë në këtë rast fillimisht është tek KEK-u, Autoriteti Kontraktues që e ka bërë shpalljen e tenderit.
Sipas tij, shihet që ka pasur shumë probleme me procesin e tenderimit dhe një gjë që po vërehet tash është se aty nuk kanë të ndalur problemet por vetëm po vazhdojnë.
“Në rastin konkret, fillimisht faji është i Autoritetit Kontraktues, që e ka shpallur dhënien e tenderit dhe që në njëfarë mënyre e ka shpallur fitues të këtij procesi tenderues, një kompani e cila nuk i ka përmbush kriteret çfarë kanë qenë në shpalljen e këtij e tenderi, pra, kanë bërë shkelje. Mandej është që vula e krejt kësaj është OSHP-ja, e cila bën një shqyrtim edhe i shikon ankesat edhe vijnë në përfundim që pjesërisht ankesat janë të bazuara, janë të qëndrueshme. Megjithatë, edhe përkundër kësaj e vërteton komplet procesin tenderues edhe e jep dritën jeshile që me iu dhënë kontrata edhe me vazhdu gjithçka përkundër shkeljeve që janë gjetë që janë pjesë e këtij procesi.”, tha Demhasaj.
Demhasaj thotë se OSHP-ja shihet që ka shumë elemente që këtë proces dhe do të duhej ta hedh poshtë, por gjithashtu për këto elemente dyshuese, drejtësia duhet të merret me urgjencë.
Ai ka marrë shembull disa kritere të cilat kompania e shpallur fituese nuk i plotëson e që të njëjtës i jepet mundësia e vazhdimit të tenderit.
“Është që shiritat nuk janë në masën e paraparë që kanë qenë tek dosja e tenderit, pra, janë ndryshe prej asaj çka është kërkuar edhe njëkohësisht materiali nuk është i njëjtë me atë që është kërkuar, pra janë dy elemente që flasin direkt për cilësinë e produktit për të cilin ne po japim një tender 20 milionë euro. Janë këto dy kritere, operatori ekonomik që ka fitu tenderin nuk i përmbushë…. Përderisa OSHP-ja, e ka dhënë dritën jeshile ka thënë se gjithçka le të vazhdoj, përkundër gjitha këtyre shkeljeve që i përmendëm që janë gjetë . … Mandej, është çështja e Prokurorisë me u marrë me zhvillu një hetim të shpejtë dhe shumë efikas për me pa se si në Kosovë po japim tenderë për kompani të cilat nuk i përmbushim kriteret çfarë janë kërkuar me kriteret e shpalljes në procesin e tenderimit kur është bërë shpallja. Përkundër asaj tenderi po vazhdon, madje, madje këtë shkelje po e vërt eton edhe OSHP-ja, që është një lloj gjykate e procesit të tenderimit. Këtu pa dyshim Prokuroria ka shumë bazë të mjaftueshme për me zhvillu hetim për ndonjë vepër të mundshme penale. “, tha Demhasaj.
Kompania kosovare –gjermane “Fam , Magbdeburger Forderanngalen und Baumaschinen Gmbh & Ntsh Ekoinvest” , i ka dërguar letër të gjitha institucioneve të vendit. Duke i vënë në dijeni se në këtë tende siç e quajnë ata jetik për të ardhmen e KEK ka elementë të keqpërdorimeve.
Më poshtë është letra shpjeguese e cila iu është dërguar instancave më të larat të vendit:
Korporata Energjetike e Kosovës, (KEK-u) me datë 06.04.2016 ka shpallur tender për “Riparimin e shiritave magjistralë në drejtim të TC Kosova B” në vlerë të parashikuar të kontratës deri në 30 milion euro. Pas ofertimit të 5 kompanive, prej tyre 2 kompani Gjermane (Thyssen Krupp dhe TAKRAF GMBH), një konsorcium Gjermano-Kosovar FAM dhe EKOINVEST, një polake FAMUR FAMAK dhe një kompani Boshnjake-Ceke (Siç e dini Republika e Bosnjës nuk e njeh Republikën e Kosovës) KEK-u me datë 05.08.2016 rekomandon për kontratë konzorciumin e kompanive Boshnjake ELCOM dhe ALTA AS, me çmim prej 19 397 919.03 euro.
Ndërsa kompanitë Gjermane kanë ofertuar me çmime si në vijim: Thyssen Krupp, 28 945 231.00 EURO (Gjermane), Takraf 24 777 408.61 EURO (Gjermane), Famur Famak FEKI 25 350 336.88 EURO (Polake-Kosovare), dhe FAM& Ekoinvest 22 350 587.00 EURO (Gjermano-Kosovare).
“Nga kjo rezulton se kompanitë Gjermane të cilat janë të specializuara në këtë fushë kanë ofertuar me çmime reale të tregut, dhe brenda planifikimit buxhetor të KEK-ut. Mirëpo për fat të keq ato eliminohen nga ky aktivitet i prokurimit me pretekst se të njëjtat nuk kanë ofruar oferta të përgjegjshme.
Kurse, konzorciumi Gjermano-Kosovar FAM&Ekoinvest, shpallet si kompani e përgjegjshme por e pa suksesshme (çmimi më i lartë). Pas një analize të bërë nga ana e konzorciumit tonë Gjermano-Kosovarë, ne kemi vërejtur shkelje të rënda në vlerësimin e tenderit nga ana e komisionit vlerësues të Autoritetit Kontraktues KEK. Ekspertët Gjerman pas shqimit dhe analizës së ofertës së OE ELCOM & ALTA AS, të njëjtit kanë konstatuar se janë bërë 16 shkelje dhe se kjo ofertë është e papërgjegjshme ngase nuk plotëson as minimumin e kërkesave të dosjes së tenderit.”, thuhet në letrën e kompanisë gjermane të drejtuar institucioneve më të larta në vend.
Me pas kompania gjermane , thekson se komisioni vlerësues në mënyrë të kundërligjshme dhe atë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit të prokurimit Publik, ka rekomanduar për shpërblim me kontratë ofertën e konzorciumit Boshnjak ELCOM & ALTA SA. “Të gjitha shkeljet e bëra nga ana e këtij konzorciumi të rekomanduar për kontratë, nga Autoriteti Kontraktues, fillimisht, nga ana jonë iu janë dërguar KEK-ut dhe pas injorimit nga ana e tyre, kemi vazhduar me ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Pas kësaj, OSHP cakton nj- ekspert të jashtëm dhe pas një ekspertize të detajuar nga ana e tij, Eksperti i vërteton të 16 shkeljet e pretenduara nga ana jonë. Përkundër kësaj dhe habinë e të gjithëve, në fund ai i rekomandon panelit shqyrtues që KEK-u të vazhdoj tutje me këtë aktivitet të prokurimit. Kjo ishte jo vetëm shqetësuese nga ana e jonë por edhe tmerruese, sidomos për partnerin tonë Gjerman”, thuhet në këtë reag im të kompanisë gjermane. Po ashtu në këtë letër kompania gjermane tregon se si në seancën dëgjimore kanë prezantuar shkeljet ligjore që janë bërë në këtë proces tenderues.
“Pas këtij, ne kemi vazhduar duke e kundërshtuar këtë “vlerësim” nga ana e ekspertit dhe duke kërkuar një seancë dëgjimore cila është mbajtur me datë 05.10.2016. Në këtë seancë, ku kanë qenë të pranishëm mediat dhe përfaqësuesit e ambasadës gjermane, në i kemi argumentuar edhe njëherë të gjitha këto shkelje, te cilat nga ana e avokatit të kompanisë sonë janë cilësuar si tentim të një “vjedhje industriale” dhe kemi kërkuar që të anulohet vendimi i autoritetit kontraktues për dhënie të kontratës dhe lënda të kthehet në ri-vlerësim. Më vjedhje industriale nënkuptohet kur një kompani ofron produkte të mangëta në sasi dhe cilësi me qellim që oferta të del me kosto dhe çmim më të ultë, siç ka ndodhur në rastin konkret.”. Në fund thuhet arsyeja e dërgimit të kësaj letre është që të i vejmë në dijeni për këto shkelje ligjore të bëra nga ana e Autoritetit Kontraktues KEK dhe të legjitimuara nga ana e “ekspertit” të jashtëm të OSHP-së dhe të cilat do ta dëmtojnë në masë të madhe KEK-un, si dhe buxhetin e konsoliduar të shtetit të Kosovës, sepse kompania e rekomanduar për kontratë nuk do të ketë mundësi në asnjë mënyrë të realizojë projektin për shkak se e njëjta kompani nuk i plotëson as kërkesat minimale të kërkuara në dosje të tenderit.
Në rast se OSHP konfirmon vendimin e AK KEK, atëherë kompanive gjermane do të iu jepet një goditje e rëndë dhe në të njëjtën kohë do të ishte një mesazh jo i mirë për investitorët tjerë – kompanitë gjermane në Republikën e Kosovës.
Inter synon goditjen e madhe – transferimin e yllit të Liver...
Rovena-Edit: Të është zbuluar loja
NYT: Biden lejon Ukrainën të godasë Rusinë me raketa amerika...
Lushaku i reagon Kurtit: Po mundohet të shfajësohet për përm...
Gjesti dhe Xheneta vazhdojnë diskutimet ndërmjet tyre
Prizreni siguron 2030 metra dru e 1520 tonë pelet për ngrohj...