Operatori serb do t’i ketë në shfrytëzim 60 mijë numra

11:51 | 5 Janar 2017
Arbresh.info

Kompania serbe e telefonisë fikse dhe mobile, “MTS’ D.O.O”, antenat për funksionim të saj do ti vendos në 30 lokacione të territorit të Kosovës, kryesisht në zonat e banuara me serbë.

Po ashtu kjo kompani do t’i ketë në dispozicion 60 mijë numra.

Licenca për operim i është dhënë nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Dhënia e licencës operatorit serb është bërë menjëherë pasi Kosova ka marrë kodin shtetëror +383, kod ky i cili do t’i sjellë vendit përfitime të mëdha.

Tenderi i tretë për telefoninë mobile do të jetë më joshës për investitorët e huaj e po ashtu pritet të i ngritët vlera e Telekomit të Kosovës.

Këto i ka bërë të ditura në një intervistë për “KosovaPress”, kryetari i bordit të ARKEP, Kreshnik Gashi.

Ai ka shtuar se tentativa e mëhershme për privatizim të Telekomit të Kosovës, gjithmonë është parë si  brengë nga investitorët potencial.

 

“Tashmë kjo nuk do të jetë problem. Atraktiviteti për investime në sektorin e telekomit shtohet me marrjen e kodit. Kjo mund të ndikoj në rritjen e vlerës në njërën anë dhe të paktën nuk është problem. Është një çështje e zgjidhur. Më herët është parë si problematike dhe si kosto eventuale tash nuk shihet si kosto që reflekton edhe në rritje eventuale të vlerës. Në anën tjetër në afat dy vjeçare parashihet edhe hapja e tenderit për operatorin e tretë të telefonisë mobile në Kosovës edhe kjo do të bëhet pas marrjes dhe implementimit të kodit dhe do të jetë më atraktive “, tha Gashi.

Gashi ka treguar  se Serbia ka kërkuar një operator të tretë për telefonin mobile dhe fikse në Kosovës,  si dhe kod 4 shifror, gjë e cila i është refuzuar.

 

“Ata fillimisht kanë ofruar një kod me katër shifra +381 që fillon duke ofruar një numër 5 apo diçka tillë dhe kanë kërkuar një operator të tretë për telefonin mobile dhe fikse në Kosovës. Kjo nuk ju është lejuar. Mandej jemi marrë vesh që kodi që i ndahet Kosovës mund të jetë vetëm kod i ngjashëm me shtetet dhe të jetë kod shtetëror dhe nuk do të ketë asnjë mundësi që të ketë kod me katër shifra që do të jetë i ngjashëm me të Serbisë +381. Sepse atëherë ai kod nuk do të ishte i Kosovës “, tha Gashi.

Ai po ashtu ka treguar se fillimisht pala serbe ka kërkuar t’i ketë në dispozicion 72 lokacione, por se janë marrë vesh që t’i kenë në dispozicion 32 prej tyre.

 

“Serbia ka vazhduar me kërkesa për operatorin e tretë që nuk ju është dhënë. Mandej ato kërkesa janë reduktuar prej anës së tyre në një operator që do të vepronte në 72 lokacione të Kosovës… Ne kemi insistuar që ato operime gjitha të shuhen dhe si rezultat i një kompromisi për këtë marrëveshje është lejuar një operim i përkohshëm i limituar në zonat ku ka operuar njëri nga ata operatorë e që janë 30 lokacione në Kosovë në të cilat ata do të kenë mundësi të vendosin antena për mbulueshëri  të atij territori. … Mbulueshmëri në territorin e Kosovës do të jetë shumë e vogël. Kryesisht në pjesën veriore dhe në enklava serbe .Kjo ka qenë kompromisi që e ka detyruar Serbinë që të pranoj që Kosova ta ketë kodin shtetëror telefonik 383. Ky operim do të jetë i përkohshëm , deri në hyrjen e operatorit të tretë. Për një periudhë dy vjeçare do të hy operator i i tretë dhe atëherë do të përfundojnë të gjitha operimet serbe kah fundi i vitit 2018. Operatorit i janë ndarë 60 mijë numra “, tha Gashi.

Kompania e telefonisë mobile serbe , mund të jetë në pronësi të shtetit serb , mirëpo në Kosovë është e regjistruar si kompani private.

 

“Në Kosovë është e regjistruar si kompani private. Në Kosovë ajo është e regjistruar në emër të një personi dhe i ka aksionaret e vet . Por dihet që është një kompani bijë e kompanisë publike e Serbisë “, tha Gashi.

Gashi po ashtu ka thënë se kompania serbe do ti respektojë të gjitha ligjet dhe rregullat duke përfshirë edhe tarifat e përcaktuara nga ARKEP, ashtu sikurse operatorët mobil që veprojnë në Kosovë. Ai po ashtu nuk e ka përjashtuar mundësinë e aplikimit të kompanisë serbe në tenderin për telefoninë e tretë mobile.

 

“Tenderi i telefonisë së tretë do të jetë i hapur për të gjithë dhe nuk do të ndalohet pjesëmarrja , apo të favorizohet dikush . Nuk ka me u favorizuar por as nuk do të mund të ja ndalojmë, ” tha ai.

Ai ka njoftuar se me ndërrimin e sim- kartelave me kodin e ri shtetëror, qytetarët nuk do të paguajnë tarifa për ndërrimin e kartelave, pasi sipas tij këto i marrin përsipër kompanitë e telefonisë mobile

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme