Oda Ekonomike Amerikane: Gjykatat kanë kapacitetet e duhura për të trajtuar çështjet e falimentimit

12:09 | 11 Qershor 2020
Arbresh.info

Pandemia COVID-19 përveç ndikimit në shëndetin publik ka shkaktuar edhe krizë serioze ekonomike tek ndërmarrjet e të gjithë sektorëve si rrjedhojë e çrregullimeve në kërkesë dhe furnizim. Gjatë kësaj kohe një numër i madh i kompanive kanë shprehur pasiguri në mbijetesën e tyre pas pandemisë, ndërsa duke konsideruar ndikimin e masave kufizuese, përdorimi i procedurës së insolvencës mund të jetë shumë i dobishëm për bizneset kosovare të cilat përballen me vështirësi të kësaj natyre.

Ndikimi i pandemisë COVID-19 në biznese dhe legjislacioni kosovar për ristrukturim dhe falimentim të kompanive ishte tema e një punëtorie virtuale të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Koordinatorja e projektit në Korporatën Ndërkombëtare Financiare për Zgjidhje të Borxhit në Kosovë, Syzana Dautaj duke iu referuar një ankete nga pesë organizata të biznesit në mesin e të cilave edhe Oda Amerikane mbi ndikimin e pandemisë në ndërmarrjet kosovare, tha se 64 për qind të bizneseve në vend shprehin pasiguri për të ardhmen e tyre.

Sipas saj, korniza ligjore që rregullon çështjet e insolvencës në këtë kohë është më aktuale se asnjëherë më parë, dhe mund të pritet që një numër i konsiderueshëm i bizneseve në Kosovë të përdorin procedurën për zgjidhjen e borxhit dhe ristrukturimin.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, theksoi se Ligji i Falimentimit i qershorit të vitit 2016 përfshin standardet më të mira evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke zëvendësuar edhe një kornizë paraprake ligjore e cila ishte gati e pazbatueshme.

Zeka tha se si pasojë e situatës së krijuar pas shpërthimit të pandemisë, mund të ballafaqohemi me numër më të madh të ndërmarrjeve insolvente që rrezikojnë falimentimin, dhe rrjedhimisht më numër më të madh të debitorëve që mund t’u nënshtrohen procedurave të riorganizimit ose ristrukturimit të borxheve, prandaj në rrethana të tilla jemi me fat që kemi një ligj i cili rregullon këto çështje.

Mahir Tutuli, gjyqtar në Departamentin për Çështje Ekonomike në Gjykatën e Apelit tha se Ligji i Falimentimit që ka hyrë në fuçi në vitin 2016 është gjithëpërfshirës i cili u mundëson bizneseve riorganizim të veprimtarive të tyre përmes gjykatave, e megjithatë deri më tani në Kosovë ka pak raste të tilla.

Sipas tij shumë faktorë ndikojnë në numrin e vogël të këtyre rasteve, e ndër to është edhe stigmatizimi i fjalës falimentim, e cila perceptohet shumë negativisht.

Tutuli theksoi se të paktë janë ata që kuptojnë se falimentimi përbën vetëm një procedurë përmes së cilës synohet të arrihet riorganizimi i ndërmarrjeve, respektivisht rimëkëmbja ekonomike e tyre, ndërsa nëse as kjo nuk mund të arrihet atëherë bëhet likuidimi i ndërmarrjes.

Sipas gjyqtarit, përparësitë e kësaj procedure janë garantimi i një sigurie për kreditorët që kanë kërkesa ndaj ndërmarrjes që i nënshtrohen falimentimit, krijimi i hapësirës për bizneset të lehtësohen në një periudhë të caktuar pas moratoriumit që ndalon të gjitha kërkesat drejtuar tyre, dhe mundësia për planifikim të riorganizimit. Gjyqtari përmendi se faktorë tjerë për mospërdorim të kësaj procedure janë edhe hezitimi i juristëve për t’u marrë me këtë fushë, dhe dispozita ligjore e cila kërkon që për hapjen e një rasti të falimentimit të jenë domosdoshmërish dy kreditorë. Tutje, ai foli në detaje edhe mbi dispozitat e Ligjit të ri të Falimentimit.

Ardi Shita, ekspert Ligjor në Programin e IFC për Zgjidhje të Borxhit tha se pandemia COVID-19 mund të sjellë rritje të rasteve të falimentimit të ndërmarrjeve, por ligji i ri ka qëllim primar ruajtjen e vendeve të punës dhe riorganizimin e bizneseve për të evituar likuidimin e plotë të tyre.

Ai theksoi se ky ligj gjithashtu ofron ruajtjen e vlerës së aseteve, ku palët mund të kërkojnë që pronat jo-esenciale të biznesit të largohen nga lista e pasurive falimentuese gjatë procesit të falimentimit, në mënyrë që të ruhet vlera e tyre.

Shita potencoi se ky ligj në moratoriumin e tij ka përparësi ndalimin e veprimeve ndaj ndërmarrjes ashtu që kreditori nuk mund të kërkojë përmbushje të detyruar të obligimeve të parapara në kontratë nga debitori gjatë kohës sa lënda është në proces, duke krijuar në këtë mënyrë lehtësira për rishqyrtim të planit për riorganizimin e biznesit.

Shita gjithashtu përmendi se ky ligj mbron të drejtat e të gjitha palëve të përfshira në procesin e falimentimit, gjersa shtoi se i njëjti parasheh edhe konceptin e lirimit nga borxhet i cili i jep të drejtë debitorit të kërkoj nga gjykata lirim nga borxhet në përfundim të procesit të falimentimit, që do të thotë se të gjitha aspektet e trajtuara në këtë proces nuk mund të kërkohen përsëri nga asnjëra palë.

Ai theksoi se kapacitetet e gjykatave të Kosovës janë mëse të mjaftueshme dhe të avancuara në krahasim me rajonin por megjithatë vetëdija ndaj procesit të falimentimit duhet të rritet.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme