Google ADS

Norma e interesit kreditor në Kosovë ka rënë në 7.4 për qind

13:45 | 26 Maj 2016
Arbresh.info

Në një vizite në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, i cili u prit nga guvernatori i BQK-së, Bedri Hamza, tha se Kosova ka trend të mirë të zhvillimit, duke shtuar se vlerësimet e BQK-së dhe të Bankës Botërore japin indikacione se Kosova ka pasur rritje ekonomike prej 3.5 për qind deri në 3.6 për qind vitin e kaluar. Ndërsa, sa i përket riformatimit të Qeverisë, kryeministri Mustafa tha se nuk ka asgjë të re, përveç lajmeve të raportuara në media.

Ndërsa, guvernatori Hamza ka shprehur bindjen e tij se vendi po ec drejt një trendi pozitiv ekonomik, duke thënë se norma e interesit kreditor në Kosovë ka shënuar rënie në 7.4 për qind, sipas një matje në muajin mars.

Sipas Mustafës, me punë është arritur që bankat të ofrojnë kredi cilësore për ekonominë. Kryeministri tha se ky trend pozitiv ekonomik vjen si rrjedhojë e inkasimit të tatimeve dhe të qëndrueshmërisë buxhetore.

“Ne tani kemi arritur që bankat të ofrojnë kredi cilësore për ekonominë dhe afatet cilësore për zhvillimin e ekonomisë, kemi trende të mira të zhvillimit sepse edhe vlerësimet e BQK-së janë si ato të Bankës Botërore se ne kemi pasur një rritje ekonomike për vitin e kaluar ndërmjet 3.5 dhe 3.6 për qind dhe po ashtu nj? ? rritje më të madhe ekonomike për vitin e ardhshëm, sepse kemi një trend të mirë të inkasimit të tatimeve dhe të qëndrueshmërisë buxhetore tani dhe do ta kemi edhe në të ardhmen. Po ashtu, edhe trendi i regjistrimit të firmave të reja dhe investimeve është pozitiv”, tha ai.

Sipas Mustafës, BQK-ja po e ndihmon vendin dhe Qeverinë përmes një pune të mirë që po bënë, duke koordinuar dhe mbikëqyrur sektorin bankar. E risku i moskthimit të kredive është shumë i ulët, është më I ulëti në regjion.

Ai premtoi përkrahje për Bankën Qendrore, si dhe angazhim që sistemi financiar të jetë stabil sa i përket buxhetit.

E, sa i përket raportimeve për riformatim të Qeverisë, Mustafa tha se nuk di asgjë përtej asaj që raportohet në media çdo ditë.

Informacione të pakonfirmuara për emërime personash në poste të ndryshme ministrore kanë zënë ballinat javën e fundit.

“Asgjë nuk kemi të re, kurrgjë nuk kemi të re, përpos asaj që edhe unë kam lexuar në media”, tha kryeministri.

Ndërsa, guvernatori i BQK-së, Bedri Hamza tha se sektori bankar në Kosovë vazhdon të jetë profitabil, derisa tha se ka rritje të kredive për periudhën e njëjtë të vitit paraprak për 8.8 për qind. Ai tha se ky trend kontribuon në rritjen ekonomike të vendit.

Ndërsa tha se kreditë joperformuese vazhdojnë të bien në mënyrë konstante. Ky lloj kredish, sipas guvernatorit Hamza është më i ulët për 5.8 për qind krahasuar me vendet e regjionit, derisa tha se zvogëlimi i normave kreditore në vend është indikator pozitiv ekonomik.

Në fund të muajit mars të këtij viti, sipas tij, norma mesatare e kredive ka rënë në 7.4 për qind.

“Sektori financiar dhe sektori bankar në Kosovë vazhdon të jetë i kapitalizuar, profitabil. Kemi rritje të kredive në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Rritja ka qenë 8.8 për qind, që është edhe një kontribues në rritjen ekonomike të vendit. Sektori është i shëndoshë, kreditë joperformuese kanë vazhduar me ra. Janë diku 5.8 për qind, që janë më të ulëta në regjion, janë mirë të provizionuara. Është një indikator jashtëzakonisht pozitiv zvogëlimi i normës së interesit në kredi, ku norma mesatare e interesit në kredi, në fund të muajit mars, ka ra në 7.4 për qind. Sektorët që e kanë rritjen më të madhe dhe pjesëmarrjen më të madhe si përqindje të rritjes, është sektori i agrobiznesit dhe prodhimit”, tha ai.

Në këtë takim mes Mustafës e Hamzës u bisedua edhe për sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohet vendi.

U tha po ashtu se çështja e përmbaruesve provat ka kontribuar në përmirësimin e kredive joperformuese, në lehtësimin e punës së bankave.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme