Google ADS

Në vjeshtë Prishtina me 9 tregje mobile

08:37 | 23 Korrik 2015
Arbresh.info

Komuna e Prishtinës ka hapur një konkurs për projektim arkitektonik të tezgave dhe tregjeve mobile në kryeqytet.

Shumë shpejt Prishtina do të bëhet me 9 pika në lokacione të ndryshme të tregjeve mobile, të cilat do të operojnë tri ditë në javë, shkruan sot “Koha Ditore”. Ndërkaq, nga këto tregje do të përfitojnë fermerët e Komunës së Prishtinës. Këta të fundit në vitin e parë nuk do të paguajnë asgjë për të shfrytëzuar tezgat.

Ky projekt është përkrahur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i implementuar nga Komuna e Prishtinës në partneritet me IJQ “Gratë në Biznes” dhe OJQ “CEED Kosova”. Në ato tregje pritet të shiten prodhimet bujqësore dhe artizanale, me shumicë dhe pakicë nga prodhuesit dhe fermerët vendorë.

Në Komunën e Prishtinës kanë thënë se për këtë projekt komuna ka nënshkruar marrëveshje për bashkëfinancim me Zyrën e BE-së qysh në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Zëdhënësja e komunës, Miranda Mullafazliu-Bejta, ka bërë të ditur se ky projekt kap vlerën prej afro 480 mijë eurosh, prej të cilave 80% e shumës financohet në formë granti nga BE-ja, ndërsa 20% financohet nga Komuna e Prishtinës.

Sipas saj do të jenë 100 tezga për 9 tregje. “Tregjet mobile do të funksionojnë në 9 lokacione, në tri ditë të javës dhe lokacionet do të identifikohen nga komuna. Ato gjatë vitit të parë do të jenë pa pagesë për fermerët.

Nga projekti do të përfitojnë 1.200 fermerë”, ka shtuar Mullafazliu-Bejta. Ndërkaq, për fermerët, një projekt i tillë është shumë i mirëseardhur. Gani Dobratiqi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Bujqve të Prishtinës, ka thënë se është i bindur në suksesin e këtyre tregjeve.

“Më nuk do të kemi nevojë të shesim ilegalisht nëpër rrugë. Produktet do të jenë gjithmonë të freskëta dhe ne do të kemi vullnet të punojmë edhe më shumë”, është shprehur fermeri Feim Arif.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme