Në Panairin e Punës, interesim më i madh për punësim në Gjermani

12:25 | 31 Maj 2016
Arbresh.info

Është hapur Panairi i Punës në Prishtinë, ku janë prezantuar mbi 1 mijë vende pune të lira nga kompani vendore, kompani nga Gjermania, Zvicra dhe Austria me pronarë shqiptaro-gjermane.

Pas shpalosjes së ofertave për punësimin e të rinjve kosovarë, interesimi i tyre për të aplikuar për punë ka qenë i madh, por ata shprehen se pritjet e tyre nuk janë të mëdha për të gjetur një vend pune.

Punëkërkuesi Kadri Krasniqi, ka shprehur dëshirën që të marrë pjesë në këtë Panair për të aplikuar në disa prej kompanive gjermane, dhe shpreson se do t’i jepet rasti për punësim.

“Kam shpreh interesim me ardh… Po, aplikova, kenë disa kompani gjermane, disa të Kosovës… Unë po shpresoj që kanë me ma dhënë një mundësi me tregua veten për njohuritë që i kam shprehur”, tha Krasniqi.

Edhe Eagon Jetullahu meqë është i papunë për herë të parë ka aplikuar në këtë formë për punësim në Gjermani. Ai beson shpreson se do të merret parasysh kërkesa e tij për punësim.

“Për Gjermani me shkua për punë… i papunë po. Është hera e parë që po aplikoj të shohim tash besoj se bëhet diçka. Student i diplomuar në shkencat politike”, tha Jetullahu.

Mirëpo, Ilirian Kaçiu, i cili aplikoi për punë në këto kompani të cilat po ofrojnë oferta të punës për të ë rinjët kosovarë, tha se nuk pret shumë se do të punësohet pas këtij aplikimi.

“Një herë po i shqyrtojmë pozitat, edhe pse me thënë të drejtën nuk presim shumë, por kena ardhë me shqyrtu mundësinë, sepse gjithmonë duhet me shqyrtu mundësinë dhe me provu, pse jo, nuk është nismë e keqe, nisma është mirë”, tha Kaçiu.

Ministri për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Arban Abrashi në hapje të këtij Panairi punëmarrësit i konsideroi heronj, derisa për punëkërkuesit tha se panairi është sfidë për punësim.

“E kemi përmend edhe më herët se sektori privat është sektori që gjeneron vende të reja të punës, që gjeneron zhvillim… ende pa filluar hapja janë ftuar disa investitorë gjermanë, të cilët janë menduar të sjellin investimet e tyre nga disa vende të regjionit. Dhe perspektiva për punësim, perspektiva për zhvillim ekonomik për Kosovën është shumë pozitive, është shumë e mirë”, tha Abrashi.

Ndërsa, kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Samir Krasniqi vlerësoi lart kontributin e kompanive gjermane për krijimin e vendeve të punës në Kosovë nëpërmjet këtij panairi.

Ai beson se këto vende të pu nës do të jenë të qëndrueshme. Krasniqi tha se Gjermania mbetet ndër investitorët më të mëdhenj për Kosovën.

“Shumica e atyre që ofrojnë vende të punës sot janë anëtarë të Unionit të Bizneseve shqiptare në Gjermani, Austri dhe Zvicër dhe njëkohësisht anëtarë të Odës Ekonomike… sa i përket numrit të vendeve të lira të punës, ndoshta nuk do të ishte mirë të ndalemi shumë në të, sepse mund të jenë më shumë mund të jenë më pak. Me rëndësi është t’i sensibilizojmë bizneset tjera që në këtë formë dhe në këtë mënyrë të ofrojnë vende të lira të punës për të rinjtë, sepse nevoja është jashtëzakonisht madhe”, tha Krasniqi.

E, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami theksoi se kjo ngjarje është mjaft e rëndësishme. Ajo tha se Qeveria do të krijojë në vazhdimësi lehtësira në aspektin e sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë për investitorët.

“Kjo ngjarje është më e mirë për të gjithë të rinjtë të cilët kanë ardhur këtu për të parë mundësitë e punësimit. Ndaj, neve na mbetet të bëjmë detyrat tona, të vazhdojmë me përmirësimin e ambientit të biznesit dhe vendosjen e rendit dhe ligjit”, tha Bajrami.

Edhe ministri i Diasporës, Valon Murati, tha se Gjermania vazhdon të mbetet një prej partnerëve kryesor të Kosovë dhe vazhdon të jetë investitori më i madh për vendin.

Kompania me shumë kërkesa nga punëkërkuesit në këtë panair ishte kompania “MNP Personal Leasing” për ndërmjetësimin e punësimit në Gjermani. Albanik Mezini nga kjo kompani tha se kanë arritur të gjejnë mbi 200 vende të punës në Gjermani, dhe sipas tij janë duke hulumtuar tregun edhe për 150 vende të tjera për shumë kuadro në Gjermani.

Ky organizim është bërë nga Oda Ekonomike Gjermane në Prishtinës, GIZ, MTI, Ministria e Diasporës dhe MPMS.

Panairi është i hapur gjatë tërë ditës dhe po mbahet në hotel “Emerald” që gjendet në periferi të Prishtinës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme