Google ADS

Ndërprerjet e energjisë, kërkohet ndëshkimi i KEDS-it

08:04 | 5 Mars 2020
Arbresh.info

Vendi është duke u përballur me ndërprerje të shpeshta e të paparalajmëruara të energjisë elektrike.

Me këtë qytetarëve të Kosovës po u shkelen të drejtat e garantuara me ligjin për Energjinë Elektrike, Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Energjinë Elektrike, shkruan arbresh.info.

E për të sqaruar arsyet e reduktimeve arbresh.info të martën ka dërguar pyetje në drejtim të Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS).

Zëdhënësi i KEDS, Viktor Buzhala ka thënë se ndërprerjet në Podujevë po ndodhin për shkak të investimeve.

“KEDS është duke bërë investime masive në Podujeve që nga fillimi i vitit të kaluar, investime që po vazhdojnë edhe këtë vit. Si rrjedhojë, rrjeti i trashëguar në gjendje të rëndë ka ndryshuar thuajse komplet dhe sot konsumatorët marrin shërbime shumë më kualitative, çka nuk hezitojnë ta tregojnë në matjet e efektit të investimeve që ne si KEDS i bëjmë. Pra, po flasim për rritje të madhe të kënaqshmërisë së konsumatorëve e jo ankesa siç konstatoni ju. Natyrisht, për t’i bërë këto investime, ne jemi të detyruar që shpeshherë të bëjmë ndalesa të energjisë elektrike në zonën ku kryhen ato për shkak se shumë segmente investuese nuk mund të kryhen nëse ka rrjedhje të energjisë elektrike, pra nën tension, pasi dihet se kontakti me energji elektrike është i rrezikshëm për jetën.”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit Viktor Buzhala.

Ndërsa këto ndërprerje të energjisë hulumtuesi i lartë i INDEP, Dardan Abazi, i ka quajtur në kundërshtim me ligjin.

Abazi në një prononcim dhënë për arbresh.info ka thënë se kanë kërkuar vazhdimisht nga ZRRE të hetoj dhe ndëshkoj KEDS për këtë.

“Për ne ndërprerjet ilegale dhe të paparalajmëruara të rrymës nga ana e KEDS gjithsesi që janë në kundërshtim me ligjin dhe në këtë kuptim ne i kemi kërkuar edhe më herët Zyrës së Rregullatorit për Energji që të zhvilloj hetime të caktuara në kuptim të zbardhjes së motive të këtyre ndërprerjeve të energjisë për qytetarët e Kosovës. Ndërprerja shkakton dëme të mëdha sepse energjia elektrike është produkt dhe e mirë publike e domosdoshme për jetën e qytetarëve dhe në këtë kuptim ne i kundërshtojmë këto ndërprerje dhe kërkojmë që ZRRE të zhvilloj të gjitha hetimet e nevojshme për zbardhjen e motive dhe ndëshkimin e kompanisë që u shkakton humbje qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Abazi.

Ai gjithashtu ka shtuar se arsyetimet për punime në trafo janë formë e keqpërdorimit.

“Edhe në të kaluarën KEDS ka keqpërdorur jashtëzakonisht shumë me arsyetime për investime teknike në trafo të ndryshme në mënyrë që të shkaktoj ndërprerje pikërisht në kohën kur ka pas më së shumti nevoje për energji elektrike”, ka shtuar ai.

Abazi u ka bërë thirrje Institucioneve të kujtojnë se energjia elektrike është e drejtë e qytetarëve.

“Ne i kujtojmë institucioneve të Kosovës që energjia elektrike është një e drejtë e qytetarëve dhe produkt i domosdoshëm dhe të gjithë qytetarët që janë pjesë e shërbimit universal me energji elektrike duhet ta kenë këtë produkt të qasshëm në çdo kohë”, ka përfunduar ai.

Veç qytetarëve edhe bizneset po përballen me ndërprerje të energjisë.

Për këtë vitin që lamë pas ka reaguar edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi. Ai madje kishte thënë se në qoftë se vazhdon kjo gjendje duke i shtuar edhe koston e larët të energjisë bizneset do të zhvendosen në vendet e rajonit.

Kujtojmë që javët e fundit qytetarët janë duke u përballur me reduktime të energjisë elektrike. Në të shumtën e rasteve ndërprerjet janë pa paralajmërim ndërsa në të tjera raste thuhet se bëhet fjalë për punime./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme