Mustafa: Investimet duhet të rriten urgjentisht nga rreth 19% të GDP në rreth 30%

14:34 | 16 Mars 2015
Arbresh.info

Ekspertët e ekonomisë kanë theksuar së në Kosovë ka filluar të rritet papunësia. Por, kjo rritje e papunësisë është edhe si pasojë e mos investimeve në vendin tonë. Investimet e huaja në Kosovë janë shumë të pakta, madje ka raste edhe kur investitorët vendor e lëshojnë Kosovën për shkak të tatimeve të mëdha, ose për shkaqe të tjera, në pamundësi që biznesin e tyre ta zhvillojnë këtu.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, thekson se, nëse nuk ka investime, e investimet publike dhe private kanë pasur një rrjedhë jo të mirë këto vitet e fundit kjo shoqërohet me një rritje të pamjaftueshme ekonomike dhe ndikon në rritje të papunësisë.

Sipas tij, statistikat e tyre lidhur me punësimin dhe papunësinë janë të mangëta, megjithatë lëvizjet që përmendëm indikojnë se papunësia është në ngritje, raporton Bota Sot.

“E kemi diskutuar shpesh këtë çështjen e ikjes së investitorëve. Ka shumë arsye: Investimet e shtrenjta (ngarkesa në kufi për doganë e TVSH, në pajisje, burokratizimi, klientelizmi, monopolet në importe që kanë krijuar disa, korrupsioni dhe inefecienca e gjykatave duhet të jenë nga arsyet kryesore)”, thotë Mustafa për gazetën “Bota sot”.

Eksperti i ekonomisë, pohon se, programi qeveritar duhet të targëtojë pikërisht këto gjëra dhe Kosova patjetër duhet të dalë nga kjo gjendje.

“Kemi nevojë urgjente të rrisim investimet nga rreth 19% të GDP sa janë tani në rreth 30%. Kjo do të ngrit normat e rritjes ekonomik, ndërprej rritjen e papunësisë dhe do të ndikojë gradualisht fillimin e procesit të zvogëlimit të papunësisë”, thotë profesori.

Ai thekson se, në Komisionin për zhvillim ekonomik, infrastrukturë, industri dhe tregti të Kuvendit të Kosovës, këtë e kanë një nga çështjet kryesore.

“Ne do të përcjellim në vazhdim evoluimin e politikave ekonomike dhe monitorojmë çoftë edhe rastet individuale të investitorëve që kanë probleme, do ti bëjmë transparente. Investitorët duhet të kenë gjithë kujdesin dhe respektin në këtë shoqëri”!, thotë Muhamet Mustafa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme