Google ADS

Mos miratimi i buxhetit nuk paraqet rrezik, paga të sigurta deri në prill

08:35 | 3 Dhjetor 2019
Arbresh.info

“Punëtorët e shtetit” nuk do të kenë problem për paga.

Edhe nëse nuk miratohet buxheti për vitin 2020, së paku deri në mars do të kenë paga të sigurta. E nëse edhe në prill nuk do të kaloj buxheti tek atëherë mund të fillojnë problemet.

Kështu ka bërë të ditur për arbresh.info, Lulzim Rafuna , këshilltar i Ministrit të Financave, Bedri Hamza.

Ai ka thënë se nuk ka afat ligjor për miratimin e buxhetit.

“Nuk ka afta ligjor për miratimit e buxheti, i vetmi afat ligjor ka qenë që me 31 tetor të dorëzohet në Kuvend të Republikës së Kosovës, por jo në Qeveri”, ka thënë ai.

Por, sipas Rafunës rruga alternative do të ishte implementimi i 1/12 apo2/12 të buxhetit të vitit të kaluar për janarin dhe shkurtin e 2020-ës.

“Dihet se nuk kemi ende Kuvend pas zgjedhjeve që i kemi pas e në këto raste kur nuk mundet me shku buxheti, Ligji për Menaxhimin e Financave Publike e parasheh rrugën alternative ku  muaji janar dhe shkurt në rast se ka pas zgjedhje shkohet me automatizëm, implementimin e 1/12 ose 2/12 ndahet në përqindje aplikohet buxheti i vitit paraprak që i bie i vitit 2019”, ka thënë ai.

Sipas tij edhe marsi mund të kaloj me një vendim të tillë.

“Dy muajt e parë shkon ky buxhet kurse muajin mars nëse deri atëherë nuk arrin të aprovohet buhxeti, Kuvendi i Republikës së Kosovës mundet edhe me një vendim që ta shtyj edhe muajin mars me aplikim të buxhetit të muajit paraprak”, ka shtuar Rafuna.

Rafuna ka shtuar se problemet mund të paraqiten tek në muajin prill.

“Sfida do të filloj në muajin prill, në rast se nuk kemi Qeveri”, ka shtuar ai.

Ai gjithashtu ka thënë se gjendja financiare e Kosovës është më mirë se kurrë më parë.

“Deri në prill nuk ka asnjë problem, shteti financiarisht gjendet në situatën më të mirë të mundshme që ka qenë ndonjëherë. Ka mjaftueshëm mjete është çështje ligjore e Qeverisë së ardhshme kur e aprovojnë dhe si e aprovojnë”, ka shtuar ai.

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës ende nuk është në horizont, si rezultat i mospajtimeve ndërmjet partive që po negociojnë mundësinë e bashkëqeverisjes, konkretisht Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ekziston dyshimi se vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja si rezultat i këtyre mospajtimeve, duke u zvarritur kështu edhe më shumë formimi i institucioneve të reja. /arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme