Google ADS

Mjedrat fitimprurëse, fermerët kërkojnë më shumë përkrahje

15:40 | 23 Gusht 2015
Arbresh.info

Fermerët të cilët tash e një javë po promovojnë mjedrat e freskëta vendore, në sheshin e Prishtinës, mendojnë se një panair i tillë duhet të mbahet në të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës, e jo vetëm në Prishtinë.

Duke vlerësuar se ky sektor bujqësor është një kulturë mjaftë fitimprurëse për tregun kosovarë, ata thonë se duhet të kenë një përkrahje më të madhe nga institucionet përgjegjëse, dhe panaire të tilla të organizohen nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe zhvillimit Rural, e jo vetëm nga organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

Fermerët janë të kënaqur me shitjen gjatë panairit. E për mos-shitje më të madhe, arsyetohen me krizën ekonomike në të cilën gjenden qytetarët e Kosovës.

Ani pse panairi filloi pas gjysmës së muajit, interesimi i qytetarëve për të blerë mjedra nuk mungoj.

Kamera e KosovaPress-it ka qëndruar gjatë mesditës së sotme në sheshin “Nënë Tereza”, ku edhe janë të vendosura tendat e fermerëve që po promovojnë prodhimet e tyre, dhe është parë një numër mjaftë i madh i konsumatorëve duke blerë prodhimet vendore, të sapo vjelura.

Fermeri nga Gjakova, Halil Rrustemi, thotë se është i kënaqur me javën e panairit të mjedrës. Veçse, sipas tij, nëse do të ishte në fillim të muajit, kur edhe qytetarët i marrin të ardhurat mujore, do të kishte shit-blerje më shumë.

“Panairi është vonuar pak. Është dashtë në ditët e para të muajit, njerëzit i marrin pagat, ka para më shumë, panairi nuk është planifikuar bash mirë, por kryesisht është mirë…jemi të knaqur edhe ne edhe qytetarët”, thotë ai.

Rrustemi mendon se panaire të tilla duhet të ketë në të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës, e jo vetëm në kryeqytet.

“Është i nevojshëm në të gjithë Kosovën, por gjitha këto punë duhet t’i marrë përsip ër ministria, t’i udhëheqë panairet. Shoqatat sikur kjo që na ka organizuar neve, ato një ditë do të shkojnë dhe ne do të mbesim prap pa panaire nëse nuk e vazhdon atë punë ministria”, thotë ai.

Por, fermeri Lush Krasniqi nga Gjakova, duke bërë krahasim me vitet e kaluara, thotë se sivjet shitja është më e dobët.

“Krahasuar me vitet e kaluara, blerja ose shitja e prodhimeve është pak më e dobët, duke marrë parasysh disa faktorë, siç janë kriza e ekonomike, pastaj fundi i muajit kur akoma pagat nuk janë marrë, pastaj mërgimtarët kanë ikur, mirëpo këtu ka edhe një faktorë tjetër sepse për xhepin e blerësit kosovar çmimet janë paksa të lartë. Por, këto janë kushtet tona, sepse janë fruta të reja që kultivohen në Kosovë. Këtu ndikon edhe çmimi i lartë, mirëpo jemi të kënaqur” , thotë ai.

Ndërsa, fermeri Ekrem Rrahmani tregon se për 250 gram mjedër, çmimi gjatë panairit ka qenë 1 euro.

“Është mirë me u marrë me mjedë2r, është përfituese. Çmimet kanë qenë promovuese, për 250g ka qenë 1 euro. Besoj që edhe qytetarëve iu ka konvenuar….Fundi i muajit, me qenë kah fillimi i muajit besoj që kish me qenë më mirë”, thotë ai.

Rrahmani thotë se gjatë kësaj jave pati një interesim mjaftë të madh të qytetarëve. Megjithatë, shpreson që kultura e kësaj prodhimtarie të rritet edhe më shumë.

Fermerët që po marrin pjesën në panairin e mjedrës të organizuar nga USAID e të përkrahur nga MBPZhR, këtë panair e vlerësojnë si shumë të rëndësishëm. Sipas tyre, kështu i nxjerrët vlera mallit dhe njerëzit shijojnë prodhimet vendorë në qendër të Prishtinës.

Sipërfaqet me mjedër në Kosovë, në vitin 2013 ishin rreth 23 hektarë dhe prodhimtaria ishte rreth 150 ton. Në vitin 2014, sipërfaqet me mjedër u rritën në 130 me prodhimtari vjetore deri në 580 ton.

Këtë vit, për herë të parë kultivuesit e mjedrës kanë marrë subvencione, nga 400 euro për hektarë.

Panairi i Mjedrës që Prishtinë u hap me 18 gusht dhe përfundon sot.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme