Barrierat biznesore për taksa dhe procedura në kufi me Shqipërinë, pritet të eliminohen me marrëveshjet e dy Qeverive shqiptare që janë arritur gjatë këtij viti. Për implementimin e kësaj marrëveshjeje pritet të diskutohet në Tiranë në shtator me nivel ministrash. Këto konsistojnë në uljen e taksës së transportit, zvogëlimin e vonesave në terminalet e dy anëve të kufirit dhe rritjen e shpejtësisë së certifikimit të produkteve që importohen apo eksportohen në mes këtyre dy vendeve.
Kështu në intervistën për KosovaPress ka vlerësuar ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, i cili ka deklaruar se ndër projektet me prioritet të shtetit të tij me vendin tonë tashmë mbetet autostrada Durrës-Prishtinë-Nish.
Ambasadori Minxhozi duke folur për të ashtu quajturën autostradë energjetike për këto dy vende, bëri me dije se projekti energjetik pritet të përfundojë në pjesën e Kosovës deri në fund të këtij viti, kurse në pjesën e Shqipërisë në prill të vitit të ardhshëm.
Edhe pse nuk e quajti dështim projektin për hekurudhat, ambasadori deklaroi se ky projekt për momentin nuk është më në prioritet. Projekti për hekurudhat, sipas tij, ka një çmim të jashtëzakonshëm – diku rreth 1 miliardë euro.
Sa i përket vonesës së projektit të autostradës energjetike për një treg të përbashkët, Minxhozi shpreson se deri në fund të vitit Kosova do ta përfundojë pjesën e saj, kurse brenda muajit prill të vitit të ardhshëm të përfundojë edhe pjesa e mbetur në Shqipëri.
Ambasadori tregon se para dy muajsh është mbajtur një takim në Prizren midis dy ministrave të Financave dhe drejtuesve më të lartë të institucioneve të tatimeve dhe doganave. Sipas tij, janë lënë një sërë çështjesh që do të ndiqen në mënyrë periodike.
Ai mendon se nga kjo mbledhje e cila ka filluar t’i japë këto fryte të veta, do të thellohet edhe më tej në takimin që do të mbahet në fund të muajit shtator në Tiranë.
Ai ka veçuar se në vitin e kaluar marrëdhëniet tregtare në mes dy vendeve në krahasim me vitin 2014 kishin shënuar 20 për qind rritje. Sipas tij, në vitin 2015 volumi i shkëmbimeve të dyanshme ka qenë 175 milionë euro.
“Jam i besimit të plotë që kjo shifër do të tejkalohet dukshëm në këtë vit, mbi 200 milionë euro. Kjo falë marrëveshjeve në fushën e ekonomisë sidomos midis dy qeverive tona”, tha Minxhozi.
Ambasadori tha se ajo që është e rëndësishme është që firmat kosovare ose firmat e Shqipërisë që janë këtu, kanë vendosur urat e ndërsjella bashkëpunimi që mos të jenë thjesht “konkurrente” në treg por të jenë edhe bashkëpunuese njëra me tjetrën.
Ambasadori foli edhe për panairin e mjedrave që u mbajt këto ditë në Prishtinë. Sipas tij, ishte një panair jashtëzakonisht i mirë, një panair me një theks të veçantë për sa i përket produkteve bio.
Ai tha se homologët e tyre në anën tjetër të kufirit në Shqipëri duhet të përfitojnë shumë nga këto kompani të vogla kosovare që janë shumë efektive në prodhimin dhe eksportimin e mjedrës, manaferrave, të luleshtrydheve, boronicës, frutave të pyjeve etj.
Se çfarë duhet ndryshuar në të bërit biznes sidomos në Kosovës, ambasadori Minxhozi tha se për të pasur një klimë të favorshme biznesi, ne duhet të vazhdojmë pa ndalur për të ulur barrierat e ndryshme që ndonjëherë nuk janë në frymën e qeverive.
Ndërsa, për sa i përket fushave të tjera të bashkëpunimit Kosovë Shqipëri, Minxhozi thekoi se një bashkëpunim shumë i rëndësishëm është në fushën e turizmit. Sivjet ka pasur një rritje sa i përket turizmit jo tradicional, të turizmit elitar… Ambasadori thotë se gjatë kësaj sezone verore nga Kosova ka pasur në Shqipëri 600-700 mijë turistë.
Bashkëpunimi në fusha të tjera ka edhe në sektorin e arsimit. Ai tha se po shikohet me shumë interes marrëveshja që është bërë midis dy Ministrive të Arsimit që ende ka probleme rreth njohjes së diplomave, sidomos të universiteteve private. Gjithashtu, sipas tij, ka pasur një intensitet shumë të madh sa i përket instituteve të Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e studimeve albanologjike, ku në fushën e gjuhësisë ka pasur një trend shumë pozitiv./Arbresh.info
Inaugurohet fillimi i punimeve për ndërtimin e Parkut Indust...
Dita e Forcës, Ministria e Mbrojtjes dhe FSK të mërkurën org...
Ambasadori izraelit: Marrëveshja për armëpushim me Hezbollah...
Pati një paraqitje të jashtëzakonshme ndaj Akron – Mirlind D...
Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Grave, Hoxha: Të ndërt...
Shërbimi i Self Check-in tani edhe në Aeroportin e Prishtinë...