Google ADS

Ministrja Bajrami mori pjesë në konferencën “Komiteti Investues i Evropës Juglindore”

13:49 | 9 Dhjetor 2015
Arbresh.info

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami mori pjesë në Konferencën e Ministrave të Komitetit Investues të Evropës Juglindore në kuadër të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), që u mbajt sot në Beçiq të Malit të Zi.

E veçanta e këtij takimi është se nga sot Komiteti i Investimeve të Evropës Juglindore bëhet pjesë e strukturave të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, gjë që i mundëson Kosovës avancim të statusit, nga të qenurit vëzhgues në pozitën e anëtarit të plotë.

Ministrja Bajrami, fillimisht falënderoi Qeverinë e Malit të Zi dhe Këshillin për Bashkëpunim Rajonal (RCC) që krijuan mundësinë për të raportuar për progresin e arritur në Kosovë, në implementimin e Strategjisë së Evropës Juglindore 2020 dhe rrugën drejt integrimit në BE.

Ajo theksoi se Qeveria e Kosovës po punon për adresimin e të gjitha çështjeve të përfshira në këtë strategji, përmes Programit të Reformës Ekonomike Kombëtare të Kosovës. Ajo shtoi se tregtia me vendet e CEFTA-s është njëra ndër pjesët më të rëndësishme të shkëmbimeve tregtare të Kosovës, me 31 % të totalit të tregtisë së huaj për peridhën janar-shtator 2015, gjegjësisht me një rritje prej prej 10% nga e njëjta periudhë e vitit 2014 .

Ministrja tha se kur flasim për  tregtinë e lirë duhet të përmendim se Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Komisionin Evropian. Marrëveshja është ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës në nëntor të vitit 2015, ndërsa plani i zbatimit 2016-2020 tashmë është hartuar. Nënshkrimi i MSA-së paraqet rëndësi politke dhe ekonomike për vendin tonë, është rruga jonë drejt integrimit në EU. Ajo tha, se MSA-ja, kompanive tona iu ofron qasje në një treg prej 500 milion konsumatorëve, por këtu problem paraqet çështja e vizave, për shkak se lëvizja e lirë e mallrave nuk mund të ndodhë pa pasur lëvizje të lirë të njerëzve. “Pres nga EU-ja që të reflektoj, pasiqë Qeveria e Republikës së Kosovës i ka plotësuar të gjitha kushtet, qytetarët e vendit tim meritojnë të trajtohen njejtë si qytetarët e vendeve fqinje”, shtoi ajo.

Përveç kësaj, vazhdoi ministrja Bajrami, fokusi kryesor është bërë në kuadrin legjislativ për tregtinë e shërbimeve dhe forcimin e kapaciteteve për infrastrukturën e cilësisë. Qeveria e Kosovës po merr pjesë në mënyrë aktive në Komitetin e CEFTA-s për Lehtësimin e Tregtisë si dhe në nën-komitetet tjera të këtij mekanizmi rajonal. Aktualisht jemi aktivë në procesin e negociatave për shërbime. Projektligji i parë për Shërbime është përgatitur dhe pritet të miratohet në një të ardhme të afërt. Ndërkohë, aktivitetet e aplikimit për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë kanë filluar. Drafti i parë i Memorandumit për Agjendën e Jashtme është përgatitur dhe pritet të aplikojmë për anëtarësim në vitin 2016.

Ministrja vuri në pah se po punohet në forcimin e ndërveprimit  në Trekëndëshin e Dijes (Arsimi, Kërkimi dhe Biznesi). Kemi hartuar ligjin për profesionet e rregulluara, i cili është miratuar nga Qeveria dhe aktualisht është duke u shqyrtuar në Kuvend. Ligji i ri për Provimin Përfundimtar dhe të Maturës Shtetërore është finalizuar dhe pritet të kalojë në kuvend së shpejti. Së bashku  me komunitetin e biznesit ne jemi duke punuar në kurrikulat e reja për shkollat e mesme dhe shkollat profesionale.

“Ne jemi duke punuar në përmirësimin e qasjes në financa për NVM-të. Në gusht të vitit 2015 Qeveria ka miratuar Ligjin për Themelimin e Fondit për Garantimin e Kredive. Në lidhje me përmirësimin e mëtejshëm të mjedisit të të bërit biznes, ne jemi duke ndryshuar Ligjin për Falimentim, dhe jemi duke punuar në ligjin e ri për Shoqëritë Tregtare, tha ministrja.

Ajo, prezantoi edhe projektet infrastrukturore në implementim e sipër, si ndërtimi i rrugës Prishtinë –Shkup, projekt i cili pritet të finalizohet deri në fund të vitit 2018, ndësa rindërtimi i hekurudhës së Hanit të Elezit (kufiri me Maqedoninë), pritet të fillojë në vitin 2016.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme