Ndonëse afati i fundit për dërgimin në Kuvend të Projektligjit për Buxhetin e vitit 2020 ishte më 31 tetor të këtij viti, ai nuk është dërguar në këtë institucion as në muajin dhjetor. Pavarësisht se për hartimin e këtij ligji nga Ministria e Financave janë kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme, problemi është shkaktuar për shkak të moskonstituimit të Kuvendit. Zyrtarë nga Ministria e Financave i kanë thënë “Zërit” se buxheti për vitin 2020 është finalizuar.
Ata pohuan që për miratimin e tij janë duke pritur vetëm dritën jeshile nga Qeveria e Kosovës. Sipas njohësve të procedurave të miratimit të buxhetit, duke u bazuar në rrethanat aktuale ky projektligj duhet të miratohet në Kuvendin e Kosovës më së largu deri në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, shkruan sot gazeta Zëri.
Buxheti për vitin 2020 është finalizuar nga Ministria e Financave dhe pritet të miratohet në Qeverinë e Kosovës. Muharrem Shahini, drejtor i zyrës për komunikim në Ministrinë e Financave, i ka thënë gazetës se kjo Ministri me kohë i ka ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë për draftimin e buxhetit për vitin 2020. “Ministria e Financave me kohë ka ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë, që ta draftojë buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020. Andaj buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2020 është i finalizuar dhe vetëm pritet për miratim në Qeverinë e Kosovës”, ka thënë ai për “Zërin”.
Për sa u përket afateve ligjore se deri kur mund të miratohet buxheti për vitin 2020, Shahini bëri të ditur se nuk ka ndonjë afat të tillë deri kur duhet të aprovohet në Qeveri. “Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe të Përgjegjësive nuk parasheh ndonjë afat ligjor se kur duhet të aprovohet në Qeveri, por e parasheh afatin që deri më 31 tetor duhet të dërgohet në Kuvend. Por në rrethanat e reja që jemi tani, ne ende nuk kemi Kuvend dhe nuk kemi mundësi ta dërgojmë në Kuvend draftbuxhetin e vitit 2020”, ka thënë ai.
Ndërsa duke folur për procedimin e buxhetit në Qeveri, Shahini potencoi se një gjë e tillë nuk krijon ndonjë efekt juridik, pasi i njëjti ligj duhet t’i kalojë procedurat edhe në Kuvend. “Është çështje që duhet vlerësuar, pasi nuk kemi Kuvend, procedimi i buxhetit vetëm në Qeveri nuk krijon ndonjë efekt juridik pa i kaluar procedurat në Kuvend dhe të shpallet në Gazetën Zyrtare. Vlen të theksohet se edhe ligjet, të cilat kanë qenë në procedurë në Kuvend dhe nuk janë aprovuar, të gjitha i janë kthyer Qeverisë. Ligji për Menaxhimin e Financave Publike i parasheh situatat alternative të implementimit të buxhetit të vitit paraprak në rast se nuk aprovohet buxheti për vitin vijues”, ka thënë tutje ai.
Haradinaj organizon pritje për veteranët e UÇK-së
Horoskopi ditor, zbuloni parashikimet e yjeve për shenjën tu...
Parashikimi i motit për këtë të dielë
Arsenali e ka gjetur tek Bayern Munich lojtarin i cili mund ...
Libani dëbon rreth 70 oficerë dhe ushtarë sirianë
Supa e cila eliminon helmet dhe yndyrat nga trupi: Racion i ...