Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi zyrtarisht pranon detyrën

15:09 | 4 Shkurt 2020
Arbresh.info

“Pranimi i detyrës së Ministrit të Financave dhe Transfereve për mua është nder dhe përgjegjësi e madhe dhe jam i bindur që së bashku me ju do ta japim maksimumin në mënyrë që gjërat të ecin në drejtim të duhur në implementimin e programit të Qeverisë Kurti”, u shpreh gjatë pranimit të detyrës ministri Besnik Bislimi.

Me këtë rast ministri Bislimi e falënderoi ministrin në largim Lulzim Rafuna për punën dhe kontributin e dhënë deri më tani.

Ai gjithashtu theksoi se duke pasur parasysh programin e Qeverisë neve na presin punë të mëdha dhe për këtë jam i sigurt që së bashku do ta arrijmë realizimin e tij.

Ndërsa ministri i deritanishëm, Lulzim Rafuna gjatë pranim-dorëzimit të detyrës së ministrit e uroi ministrin e ri Besnik Bislimi për pozitën e re dhe theksoi se ka kënaqësinë që po e dorëzon sot detyrën e ministrit dhe se ky pranim-dorëzim po ndodh në kohën kur bilanci bankar është mbi 494 milionë euro, po ashtu edhe afër 500 milionë euro shtesë të cilat janë për projektet e kontraktuara, deficiti është 0.7 për qind dhe është nën normën e planifikuar.

Besnik Bislimi është nga Bukoviku i Gjilanit. Ka studiuar për analiza makroekonomike në Universitetin e Zagrebit në periudhën 1990-1994. Ka doktoruar në Universitetin e Freibergut të Gjermanisë në sferën e makroekonomisë me specializim në politikat fiskale dhe tranzicionin drejt ekonomisë së tregut.

Në Andrew Young School of Policy Studies të Georgia State University në Atlantë, SHBA përmes Programit të Bursave Fulbright ka ndjekur hulumtimet e post-doktoratës në sferën e decentralizimit fiskal për vendet në zhvillim, përcjell Telegrafi.

Që nga viti 2004 punon në Universitetin Amerikan në Kosovë. Po ashtu, mban pozitën e udhëheqësit të njësisë për ekonomiks në Universitetin Amerikan dhe atë të Drejtorit Menaxhues të Qendrës për Hulumtime brenda këtij universiteti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme