Mërgimtarët mbajnë gjallë kompanitë “Rent a Car” në Kosovë

09:51 | 5 Gusht 2015
Arbresh.info

Qiradhënie e makinave Rent a Car ka marrë hov të madh kohëve të fundit duke bërë që të rritet edhe numri i kompanive që e ofrojnë këtë shërbim edhe në Kosovë, shkruan albinfo.ch.

Në vend operojnë disa kompani që janë të njohura ekskluzivisht për shërbimin e makinave me qira “Rent a Car”, por ka edhe agjenci të vogla me numër të kufizuar automjetesh që ofrojnë të njëjtin shërbim. Vetëm në Aeroportin e Prishtinës operojnë 11 kompani „Rent a Car” që kanë zyrat e tyre edhe në Prishtinë.

Duke i përfshirë edhe qytetet tjera të Kosovës llogariten të jenë gjithsej mbi 50 kompani që merren me qiradhënie të veturave.

„Rent a Car” edhe nëse nuk je shofer

Kompanitë kosovare ofrojnë shërbimin e shoferëve të tyre me  pagesë ekstra sipas kushteve që ka secila prej tyre.

Vetura jepet për një afat kohor 24 orë dhe llogaritet si një ditë. Në rastet kur kemi të bëjmë me mos kthim të makinës në orën e kërkuar, kompanitë aplikojnë pagesë ekstra. Zakonisht ora e parë vonesë tolerohet, ndërsa më pas fillon aplikimi i çmimit sipas kushteve që kanë kompanitë.

Çmimi është treguesi kryesor në të cilin përqendrohen qiramarrësit. Sa më e gjatë periudha e qiramarrjes aq më i lirë është çmimi ditor i qirasë. Kështu për shembull, nëse një makinë e vogël kushton 35 euro për një ditë, atë mund ta marrësh me çmim deri në 45 për qind më lirë nëse bëhet fjalë për një muaj.

Çmimet e veturave Rent a Car në Kosovë fillojnë nga 25 deri në 30 euro për vetura ekonomike dhe deri në 250 euro për ato luksoze, për një ditë, varësisht nga kohëzgjatja e huazimit dhe periudha e vitit kur ajo huazohet.

Kompania Brovina e themeluar nga Arben Brovina me seli në Prishtinë përfaqëson kompaninë ndërkombëtare „HERTZ International” në Republikën e Kosovës.

„Hertz Kosova” në flotën e saj përmban vetura nga më të ndryshmet, duke ofruar për secilin klient një zgjidhje të përshtatshme, nga veturat më të vogla ekonomike, ato të mesme e deri ne vetura me te mëdha te kategorisë xhip, por edhe kombi me 9 ulëse”, thotë Arben Brovina për albinfo.ch.

Të gjitha veturat në flotën e „Hertz Kosova” janë te reja, në përputhje me standardet e Hertz International për vetura të reja dhe të sigurta për secilin klient.

Hertz Kosova operon me dy zyre të saj, një në Prishtinë me lokacion në Grand Hotel Prishtina dhe tjetra në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, “Adem Jashari”.

Në Hertz Kosova vijnë kryesisht klientë nga diaspora kosovare, e cila jeton gjithandej  botës, por myshterinjtë më të rregullt janë ata që vijnë nga Zvicra dhe shtetet skandinave.

„Numri i qytetarëve nga  diaspora që huazojnë vetura është në rritje e sipër, me një rritje mesatare prej 20 -25% në vit që nga viti 2011.  Shpresojmë që ky trend të vazhdojë me këtë ritëm, sepse me rritjen e numrit të klientëve na mundësohet që shërbimet tona t’i rrisim në nivele edhe më të larta dhe me çmime edhe më të arsyeshme”, thotë shefi i Hertz International në Kosovë, Arben Brovina.

Ofertat në Hertz dallojnë nga kohëzgjatja e huazimit të veturës dhe kategoria e veturës e cila huazohet.

„Rent a Car” për vikend,  më i lirë se taxi vajtje-ardhje në Aeroport

„Huazimet për vikend (nga e premtja deri të hënën) bëhen me një çmim i cili do të ishte i pranueshëm nga klientët: Jemi bazuar në atë që kostoja e huazimit për këtë periudhë për një veturë ekonomike të mos tejkalojë koston e pagesës që secili do ta bënte për shërbime taxi vetëm vajtje-ardhje nga Aeroporti i Prishtinës e deri në shtëpitë e tyre”, thotë Brovina.

Varësisht prej periudhës se vitit, edhe huazimet ndryshojnë për nga kohëzgjatja dhe kërkesa për kategori të veturave. Për shembull gjatë verës apo para festave të vitit të ri, për arsye të udhëtimit të familjeve të tëra të mërgimtarëve në Kosove kërkohen vetura më të mëdha se ato ekonomike, kurse për periudhën tjetër kërkesa është më e madhe për vetura ekonomike dhe te mesme.

Rent a Car në Kosovë më i shtrenjtë se në Shqipëri dhe Maqedoni

Çmimet e shërbimeve janë përafërsisht të njëjta apo ndoshta nganjëherë edhe rreth 10% më të larta se çmimet në Shqipëri dhe Maqedoni

„Në Kosovë kemi kosto më të lartë të investimit,  të blerjes së veturave, kjo kosto tek ne është me e shtrenjtë përafërsisht 20% në krahasim me Maqedoninë ose Shqipërinë. Po ashtu edhe kostoja e operimit në Aeroportin e Prishtinës është për 3 herë me e lartë se ajo në Shkup dhe për 6 herë me e lartë se ajo në Tiranë, prandaj edhe çmimet e shërbimeve tona janë më të shtrenjta në krahasim me Shqipërinë dhe Maqedoninë”, sqaron Brovina.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme