Google ADS

Me pakon e re fiskale u mashtruan konsumatorët

13:25 | 9 Korrik 2016
Arbresh.info

Dhjetë muaj që nga përshkallëzimi apo hyrja në fuqi e ndryshimeve në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar(TVSh), çmimet e konsumit kanë shënuar rritje në Kosovë, duke e bërë më të shtrenjtë shportën e konsumatorit. Kështu thonë për KosovaPress, përfaqësues për mbrojtjen dhe të drejtat e konsumatorëve, të cilët theksojnë se me rritjen e TVSH-së për 13%, syri i institucioneve duket se ishte për ta mbushur buxhetin e shtetit.

Produktet të cilat nuk kanë shënuar rënie të çmimit janë: produktet e miellit, buka, vaji për gatim, qumështi, vezët, kripa, uji dhe energjia elektrike. Për këto produkte sipas konsumatorëve me përshkallëzimin e TVSh nga 16 në 8 përqind nuk ka rënie të çmimit.

Për çmimet, ministri i Financave, Avdullah Hoti deklaroi për KosovaPress se prej këtyre mallrave dhe shërbimeve elementare, çmimet përcaktohen në treg, dhe sipas tij nuk është çështje e vendimeve administrative që i përcakton çmimet.

“Brenda këtyre mallrave dhe shërbimeve elementare për disa prej tyre çmimet përcaktohen në treg, pra, nuk është çështje e vendimeve administrative që i përcakton çmimet. Por, së paku për këto që kanë çmime të rregulluara, atyre menjëherë fatura u ka ardhur me minus 8 përqind, pra, nga 16 në 8 për ujin, për energjinë, për mbeturina për ngrohje dhe për shërbime të tjera në përgjithësi”, thotë Hoti.

Kryetar i Organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Selatin Kaçaniku në një prononcim për KosovaPress tregon se ka ankesa të mëdha nga konsumatorët për rritjet të çmimeve, porse mekanizmat përkatës janë duke heshtur dhe nuk po marrin masa ndaj tregtarëve dhe dyqaneve.

“Ne u mashtruam me uljen prej 8 përqind të TVSh-së për produktet bazë, sepse syri i institucioneve dhe mekanizmave të shtetit është për ta mbushur buxhetin e shtetit, jo me tarifën e vjetër të TVSh prej 16, por me normën e re prej 18 përqind. Ndaj, me ligjin e ri ka ngritje të çmimeve, edhe pse do të duhej të ketë ulje për produktet e konsumit”, thotë Kaçaniku.

Kurse, hulumtuesi në Institutin GAP, Berat Thaçi për KosovaPress theksoi se rritja e TVSh-së nga 16 në 18 për qind ka shtrenjtuar shumicën e produkteve, ndërsa, ulja e kësaj norme tatimore nga 16 në 8 përqind, liron disa produkte por nuk garanton lirimin e produkteve për arsye se ajo varet nga vullneti i shitësve.
“Rritja e TVSh-së nga 16 në 18 për qind i shtrenjton produktet, ndërkohë që ulja e TVSh-së…është një hap i mirë për lirimin e disa produkteve bazë, mirëpo nuk garanton lirimin e produkteve për arsye se ajo varet nga vullneti i shitësve dhe njëkohësisht nga niveli i konkurrencës në treg. Pra, në ato tregje ku nuk ka konkurrencë nuk është e garantuar se çmimet të bien si pasojë e uljes së TVSh-së për e produktet bazë nga 16 në 8 përqind… Në atë rast kur mekanizmi i konkurrencës nuk funksionon në uljen e çmimeve, atëh erë rrjedhimisht konsumatori apo qytetari nuk përfiton nga kjo zbritje e TVSh-së, mirëpo fitimi bartet te bizneset”, thotë Thaçi.

Zëdhënësja e Administratës Tatimore të Kosovës(ATK), Valentina Bytyqi tha për KosovaPress se të gjitha ato biznese që nuk e respektojnë pakon e re fiskale do të ndëshkohen me ligjet në fuqi.
“Nëse është bërë ndonjë shkelje apo bizneset nuk e respektojnë pakon fiskale e cila është për zbatim në terren, sigurisht që do të merren masat të cilat i parash legjislacioni tatimor”, thotë Bytyqi.

Qytetarët konsumatorë, nuk kanë vërejtur ulje të çmimeve, që nga hyrja në fuqi e këtij ligji tatimor. Qytetari nga Prishtina, Abdullah Kryeziu, nuk ka vërejtur se ka ndryshime në lidhej me përshkallëzimin e TVSh-së. “Shporta për konsumatorin mbetet e shtrenjtë dhe nuk ka pasur ndonjë ndryshim, për aq sa kam arritur të shoh unë, kryesisht çmimet janë të njëjta si më parë”, thotë Kryeziu parapa kamere.

Edhe për Arsim Agushin nga Prishtina, çmimet mund të kenë shënuar rritje dhe në asnjë mënyrë rënie. “Çmimet janë rritur në përgjithësi dhe janë të shtrenjta, krahasuar me standardin e qytetarëve kosovarë”, thotë Agushi.

Megjithatë, kjo pako e re fiskale që kishte hyrë në fuqi më 1 shtator të vitit të kaluar, drejtues të Qeverisë së Kosovës kishin vlerësuar se ka pasur dhe do të ketë efekte pozitive në ekonominë e vendit dhe në të bërit biznes.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme