Google ADS

Mbi 700 bizneseve u është vënë dryni në tre muajt e fundit

18:48 | 30 Prill 2016
Arbresh.info

Gjendja e bizneseve në Kosovë ndër vite vetëm ka shkuar duke u rënduar.

Kështu të paktën thonë raportet e institucioneve që merren me regjistrimin e bizneseve në Kosovë.

Mehdi Pllashniku, drejtor i Drejtoratit në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ka bërë të ditur për Arbresh.info se gjatë tremujorit të parë të këtij viti, 720 bizneseve u është vënë dryni për shkak të pamundësisë së funksionimit.

Sipas raportit që Pllashniku i ka dërguar portalit, numri i bizneseve që janë shuar në katër vitet e fundit ka shkuar duke u rritur.

Kështu derisa në tremujorin e parë të këtij viti numri i bizneseve të cilat janë mbyllur ka qenë 720, në të njëjtën periudhë të vitit 2015 ky numër ka qenë 462, në të njëjtën periudhë të vitit 2014 numri i bizneseve që janë shuar ka qenë 407 ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit 2013 ky numër ka qenë 382, transmeton arbresh.info.

Përveq kësaj, edhe numri i bizneseve të cilat janë regjistruar ndër vite nuk ka shkuar duke u rritur mirëpo duke rënë.

Në raportin e ARB-së thuhet se gjatë tremujorit të parë të këtij viti kanë regjistruar veprimtarinë e tyre në këtë agjenci 2920 biznese, në të njëjtën periudhë të vitit 2015 janë regjistruar 2623 biznese, në të njëjtën periudhë të vitit 2014 kanë regjistruar aktivitetin 2943 biznese ndërkohë që në tremujorin e parë të vitit 2013 janë regjistruar 3119 biznese.

Raporti i të Bërit Biznes i Bankës Botërore për vitin 2015 thekson se Kosova ka shënuar përparim duke u radhitur e 66-ta në mesin e 189 vendeve të botës.

Ky raport thekson se përparimin më të madh, Kosova e ka arritur me lehtësimin e pagimit të taksave për kompanitë duke eliminuar tarifën vjetore për liçensën e biznesit.

Mirëpo, për kryetarin e Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini klima e të bërit biznes në Kosovë vazhdon të jetë e rënduar.

Shahini, në një prononcim për Arbresh.info ka thënë se nevojiten reforma urgjente fiskale për të lehtësuar hapjen dhe funksionimin e bizneseve.

“Qeveria e Kosovës duhet të bëjë reformë të shpejtë për t’i dalë në ndihmë bizneseve për të penguar mbylljen sepse çdo mbyllje e biznesit tregon se janë mbyllur disa vende pune, është shuar një shpresë e dikujt për të punuar. Përderisa në Kosovë mendohet të ngarkohen bizneset dhe qytetarët me taksa, në vendet e tjera është duke u reformuar komplet sistemi tatimor e që kjo po i ndihmn bizneseve për të dalë nga kriza”, tha Shahini.

Ai ka përmendur një varg problemesh dhe vështirësish me të cilat bizneset në Kosovë përballen vazhdimisht duke thënë se ato nuk trajtohen njëjtë siç trajtohen bizneset në vendet e rajonit.

“Politikat fiskale të shtrejta, infrastruktura dhe kyqja ne infrastrukturën fizike e shtrejtë duke përfshirë këtu energjinë elektrike, marrjen e lejeve për ndërtime, kyqjen në infrastrukturë qoftë të kanalizimeve, të ujit etj, në Kosovë janë tepër të shtrenjta dhe krijojnë burokraci e duke krijuar burokraci krijojnë edhe korrupsion e bizneset vazhdimisht po ankohen në këtë drejtim dhe të gjitha këto e bëjnë biznesin e Kosovës të pabarabartë dhe jokonkurrente prandaj sado që mendohet se këto procedura nuk janë të ngarkuara ne si Aleanca vlerësojmë se këto janë tepër të ngarkuara me ngarkesa fiskale dhe tatimore karshi vendeve që na rrethojnë”.

Në Kosovë ekzistojnë 146 mijë e 442 biznese të cilat e kanë të regjistruar veprimtarinë e tyre në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve.

Shumica prej tyre janë biznese individuale ndërkohë që pjesa më e madhe e tyre kanë veprimtari tregtinë./F.Gashi-Mehmeti./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme