Mbi 30 milionë litra qumësht të importuar, fermerët kosovarë mbulojnë vetëm 40% të nevojave

08:00 | 19 Janar 2020
Arbresh.info

Fermerët kosovarë me prodhim të qumështit mund të mbulojnë vetëm 40% të tregut të Kosovës.

Pjesa tjetër importohet nga shtetet e tjera të rajonit dhe botës.

E vetëm gjatë vitit që kemi lënë pas në Kosovë kanë hyrë mbi 30 milionë litra qumësht ndërsa vlera e tyre ka arritur në afër 20 milionë euro.

Këto të dhëna i ka bërë të ditur Dogana e Kosovës në raportin e saj për periudhën janar-dhjetor të vitit 2019.

Në këtë raport thuhet saktësisht se janë importuar 30 milionë e 704 mijë e 819 litra qumësht ndërsa vlera ka arritur në 18 milionë e 131 mijë e 503 euro.

Ndërsa vendet nga të cilat Kosova e ka importuar qumështin janë gjithsej 18.

“Shqipëria, Austria, Belgjika, Bullgaria, Republika Çeke, Gjermania, Franca Greqia, Kroacia, Hungaria, Lituania, Lativia, Maqedonia e Veriut, Holanda, Polonia, Portugalia, Sllovenia, Turqia”, thuhet në raport.

Ndërsa sasia më e madhe është importuar nga Sllovenia. Nga ky shtet është importuar qumësht në sasi prej mbi 18 milionë kilogramë ose saktësisht 18.018 milionë kilogramë ndërsa vlera ka arritur në 10 milionë e 645 mijë euro.

Sasi e madhe është importuar edhe nga shteti fqinj, Maqedonia e Veriut saktësisht 8 milionë kilogramë ndërsa vlera ka arritur në 4 milionë euro.

E sasi e vogël është importuar nga Portugalia, vetëm 3 mijë kilogramë ndërsa vlera ka arritur në mbi 23 mijë euro.

Berisha: Fermerët kërkojë kushte më të mira

Milazim Berisha, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit ka thënë për arbresh.info se prodhimi kosovar mbulon vetëm 40% të konsumit.

“Prodhimi i qumështit në Kosovë është në vlerat që ka qenë më herët, mbi 40% e konsumit të qumështit në vend bëhet nga prodhimi vendor”, ka thënë ai.

Berisha ka shtuar se pavarësisht mbylljes së disa fermave ka tendencë të rritjes së numrit të fermerëve.

“Fermerët kërkojë kushte më të mira, momentalisht e gjithë sasia e qumështit nga fermat e Kosovës hynë në Industrinë prodhuese. Ka tendencë të rritjes edhe përkundër zvogëlimit të atyre që ka interes të vogël për punë në këtë lëmi dhe shumë ferma të vogla janë mbyllur si pasojë e saj”, ka thënë ai.

E fermerët ekzistues në vend e shesin qumështin me çmim prej 30 centëve.

Ndërsa sipas tij me krahas mungesës së subvencioneve dhe përkrahës nga shteti, ky çmim është shumë i ulët.

“Aktualisht fermerët mesatarisht një litër qumësht  shesin 30 cent. Nëse e marrim parasysh çmimin e regjionit është i mirë por nëse e marrim koston e lartë që ne e kemi duke përfshirë edhe faktorët tjerë si përkrahja e Institucioneve që është shumë e vogël në krahasim me shtete e regjionit del i mirë. Shtetet për rreth Kosovës kanë subvencione dhe përkrahje në forma të ndryshme të sektorit të qumështit dhe kanë teknologji të avancuar dhe dalin me një kosto më të lirë e kjo kërkon që të mos jemi konkurrent me ata. Ne si çmim jemi më mirë por rrethanat tjera ndikojnë që ata të qëndrojnë shumë më mirë se ne”, ka thënë ai.

E ky qumësht i nënshtrohet edhe kontrolleve nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë se Kosovës (AUVK).

Sipas tij fermerët marri nga 2 deri 6 cent për kilogramë varësisht nga cilësia e qumështit.

“Ne e kemi projekt që e realizojmë bashkërisht me Ministrinë e Bujqësisë dhe Agjencinë e Ushqimit. Mostrat merren në baza ditore për të gjithë fermerët që dërgojnë qumështin në industrinë e përpunimit. Përndryshe në bazë të këtij projekti ata stimulohen edhe në ngritje të cilësisë edhe në ngritje të sasisë së qumështit. Për extra klasë fermerët marrin 6 cent, klasa e parë 4 cent dhe klasa e dytë 2 cent”, ka përfunduar i pari i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit.

Ndryshe prodhuesit e qumështit në Kosovë ndër vite kanë kërkuar nga institucionet që të merren masa mbrojtëse ndaj tyre në mënyrë që t’i rrisin kapacitete prodhuese të qumështit./arbresh.info/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme