Mbi 150 mijë punëtorë pa kontrata, nuk do të marrin asnjë cent nga Trusti

07:19 | 9 Dhjetor 2020
V. S.

Kuvendi i Kosovës, të premten e 4 dhjetorit, e ka miratuar Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Sipas këtij ligji, qytetarëve u mundësohet tërheqja e 10 për qind të shumës së kursimeve që ata aktualisht kanë në Trustin e Kursimeve Pensionale.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha se janë mbi 150 mijë punëtorë të sektorit privat që nuk do të marrin asnjë cent nga Trusti.

Ai, në Klan Kosova, tha se kjo ndodh për shkak se këta punëtorë kanë punuar pa kontrata të punës.

“Në fakt këto stastistika janë reale dhe nuk ka diçka të paqartë te këto statistika. Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat, për vite me radhë, ka njoftuar institucionet, Inspektoratin e Punës dhe Ministrinë e Punës se mbi 150 mijë punëtorë të sektorit privat punojnë pa kontrata pune dhe në momentin kur ata kanë punuar pa kontrata pune kuptohet se në fondin e tyre pensional nuk e kanë asnjë cent”.

Kreu i Sindikatës së Sektorit Privat theksoi se, sipas statistikave zyrtare, do të jenë diku 300 mijë punëtorë që do të mund të tërheqin nga 0 euro deri në 100 euro.

“Sipas statistikave zyrtare do t’i kemi 104 mijë punëtorë që do të përfitojnë nga 0 euro deri në 10 euro dhe rreth 200 mijë punëtorë që do të përfitojnë shumën prej 10 euro deri në 100 euro, pra nënkuptojmë që shumën nga 0 euro deri në 100 euro do të jenë diku rreth 300 mijë punëtorë që do ta gëzojnë të drejtën e tërheqjes nga Trusti Pensional”.

Ai tha se shteti është paralajmëruar qysh moti për gjendjen jo të mirë në sektorin privat.

“Ne i kemi dorëzuar shkresat te kryetari i shtetit, kryeparlamentari dhe kryeministri – të gjtiha shkresat i kanë në tavolinë. I kemi njoftuar se diku rreth 50 milionë euro Trust nga sektori privat humbin dhe përfitojnë pronarët e kompanive private”.

“Në njëfarë forme edhe më herët kemi thënë që në kuadër të këtyre pakove po përfitojnë ata që kanë përfituar deri më tani. Tani punëtorët e sektorit privat do ta shohin gjendjen reale, atë për çfarë kemi paralajmëruar edhe më herët, dhe sigurisht që edhe do të zhgënjehen”

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme