Maunet hyjnë në Kosovë pa paguar polica kufitare, Dogana e Policia e hedhin topin e përgjegjësisë tek njëra-tjetra

12:11 | 10 Nëntor 2015
Arbresh.info

Doganierët e Kosovës të cilët operojnë në pikëkalimin kufitar në Jarinjë po lëshojnë shpeshherë maunet që hyjnë në territorin e Kosovës pa paguar fare policë të sigurimit dhe për këto veprime nuk po jep përgjegjësi askush.

Arbresh.info mëson se më 30 tetor të këtij viti njëri prej doganierëve në këtë pikëkalim kufitar që lidh Kosovën me Serbinë, ka lëshuar një rimorkoi që të hyjë brenda territorit të Kosovës pa u pajisur me policë të sigurimit kufitar.

Madje mësohet se zyrtarë të Policisë dhe ata të Doganës së Kosovës në këtë pikë kufitare janë në dijeni për këtë lëshim që është bërë nga doganieri me inicialet L.C. (emër i njohur për redaksinë) dhe po ashtu edhe për lëshime të tjera të ngjashme pasi kjo nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë.

As zyrtarët e Doganës e as ata të Policisë së Kosovës nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje kur janë kontaktuar nga Arbresh.info.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se për këtë çështje duhet t’i drejtohemi Policisë.

“Faleminderit për pyetjet, por besoj se jeni në dijeni se lidhur me polisat e sigurimeve autoriteti kompetent është Policia e Kosovës, dogana nuk ushtron dhe nuk ka kompetenca ligjore lidhur me polisat e sigurimit. Te lutem kontaktoje policinë”, ka qenë përgjigjja e tij për arbresh.info.

Mirëpo të njëjtën përgjigje e kanë dhënë edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës kur janë pyetur se çfarë ka ndodhur në realitet dhe cilat janë masat që janë ndërmarrë ndaj doganierit i cili e ka bërë këtë lëshim.

“Luteni që kërkesën ta adresoni tek Doganat”, ka qenë përgjigjja nga zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

Arbresh.info ka provuar të marrë edhe qëndrimin e komandanit të Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Jarinjë, Toger Skënder Sadiku mirëpo kontakti me të ka qenë i pamundur./F.Gashi-Mehmeti/arbresh.info.

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme