Lojërat e fatit, Dogana për një vit ka shqiptuar gjoba mbi 300 mijë euro

13:27 | 16 Nëntor 2016
Arbresh.info

Dogana e Kosovës gjatë muajit nëntor ka vazhduar aktivitetin ne terren me qëllim kontrollin e subjekteve që operojnë me lojëra fati.

Gjatë nëntorit janë kryer kontrolle në disa lokacione të Kosovës. Në fokus të kontrollit kanë qenë qyteti i Prishtinës, Prizrenit dhe Podujevës. Si rezultat i këtyre kontrolleve janë hasur duke ushtruar veprimtari pa licence dymbëdhjetë (12) pika basti për të cilat janë lëshuar gjoba në shumë prej 20 mijë e 160 euro.

Gjithashtu janë sekuestruar 11 aparate të pa licencuar që dyshohet se janë të kontrabanduar, pasi që palët nuk kanë arritur të prezantojnë ndonjë dokumentacion lidhur me prejardhjen e tyre.

Gjatë kontrolleve në terren janë hasur duke operuar edhe lojëra të ndaluara me ligj në Republikën e Kosovës si Keno dhe Racing Dogs me ç‘rast janë sekuestruar 9 pajisje përmes të cilave është zhvilluar ky aktivitet.

Aksionet e muajit nëntor tregojnë qartazi përkushtimin e Doganës që përmes kontrolleve dhe aktiviteteve tjera hetimore ka arritur të vendos kontroll të rreptë në tërë territorin e Kosovës derisa raporti i këtij viti tregon se Dogana deri tani ka sekuestruar pajisje si në vijim: 227 aparate të pa licencuar, 165 pajisje për lojëra Keno dhe Racing Dogs, 126 pika basti të pa licencuara.

Shuma e gjobave të shqiptuara arrin në 312 mijë e 792 euro kurse vlera e aparateve të sekuestruar llogaritet të jetë mbi 500 mijë euro.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme