Google ADS

Kush e kontrollon tregun e naftës në Kosovë?

16:02 | 8 Tetor 2017
Arbresh.info

Sektori i derivateve të naftës në Kosovë konsiderohet ndër tregjet më fitimprurëse, ndonëse vazhdimisht ka pasur edhe debate të ndryshme rreth mënyrës së importit dhe efikasitetit të kontrollimit dhe cilësisë së këtij produkti në doganat e vendit.

Cilësia e dobët e derivateve të naftës, krijimi i privilegjeve për kompani të caktuara të naftës, moskontrollimi me rastin e zhdoganimit të këtij produkti, janë vetëm disa nga parregullsitë e përmendura në sektorin e derivateve të naftës.

Janë udhëheqësit e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës ata që flasin për mungesën e kontrollit, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të vërë rregull në këtë sektor.

Fadil Berjani, kryetar i kësaj shoqate, thotë për Radion Evropa e Lirë se parregullsitë në këtë sektor janë të pranishme. Por, sipas tij, me shtimin e kontrollit dhe garantimin e cilësisë do të mund të rregullohej edhe sasia e importit që hyn në Kosovë.

“Unë nuk mund të them se si dhe nga hyn nafta në Kosovë, por kontrabanda me këtë produkt në pjesën veriore është më e vogël se vitet e kaluara”.

“Konsideroj se me një shtrëngim më të madh gjatë importit dhe verifikimit të sasisë dhe cilësisë, do të ndikohet në shmangien e evazionit fiskal. Evazioni fiskal mund të zbritet edhe më tepër nëse vendoset që në të gjitha kompanitë e derivateve të naftës të instalohen arkat speciale fiskale”, thotë Berjani.

Debatet rreth kontrollit të tregut të naftës janë hapur edhe në Kuvendin e Kosovës. Duke qenë si një prej sektorëve më fitimprurës, janë vetë partitë politike ato që akuzojnë njëra-tjetrën për kontrollin e këtij tregu dhe parregullsitë e vëna.

Një diskutim i ashpër rreth kësaj teme është zhvilluar ndërmjet deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe atyre të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Xhavit Haliti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka pyetur ish- ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, se kush e kontrollon hyrjen e naftës në Kosovë.

“Rreth naftës që hyn në Kosovë, asnjë ministër nuk ka mundur të tregojë sa evazion fiskal ka Kosova përmes kontrabandës në Kosovë”, është shprehur Haliti.

Ai ka thënë se ministrat e deritashëm, përfshirë edhe Hykmete Bajramin, do të duhej të jepnin përgjegjësi për këto paqartësi.

Në vend të përgjigjes, Hykmete Bajrami kishte konstatuar se kontrollimin e naftës në Kosovë e ka Partia Demokratike e Kosovës, pjesë e të cilës është Haliti.

“Njerëzit tuaj i kanë udhëhequr doganat me vite dhe ju e dini se kush ka bërë kontrabandë dhe në xhepat e kujt kanë rrjedhë paratë nga kontrabanda”, ka deklaruar Bajrami.

Ndryshe, që nga viti i kaluar, me një vendim të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, kompetencat për inspektimin e cilësisë së derivateve të naftës janë bartur te Doganat e Kosovës.

Për të rregulluar sektorin e naftës, Fadil Berjani kërkon nga Qeveria e Kosovës që të miratojë Ligjin e ri për karburantin e naftës.

“Jemi shteti i vetëm në botë që paguajmë licencë për çdo dy vjet. Ka shumë kritere të rëndësishme që mund të rregullohen me ligj. Jemi shteti më i vogël për kokë banori, por shteti më i madh me pika karburanti”, thotë Berjani.

Aktualisht, Kosova nuk posedon rafineri të derivateve të naftës, kështu që ky produkt pothuajse më i kërkuari në vend, importohet nga vendet e rajonit dhe të Evropës. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 650 milionë litra është sasia e karburanteve të naftës që brenda një viti hyjnë në Kosovë.
Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/kush-e-kontrollon-tregun-e-naftes-ne-kosove-444739/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme