Kryetari i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit Ramadan Memaj, në programin e mëngjesit të RTK-së ka shpjeguar se kryeministri i Kosovës Isa Mustafa nuk i ka kthyer përgjigje kërkesave të prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit, duke rrezikuar 40 mije vende të punës që i krijon kjo industri.
Memaj ka shpjeguar se kërkesat e tyre janë në vijë me të gjitha ligjet dhe rregullat e CEFTA dhe ligjeve të tjera që rregullojnë këtë sektor.
Ai tutje ka shtuar se si duket kësaj qeverie i mungon “guximi dhe vullneti” që të zbatojë ligjin anti damping dhe masat e tjera për të përkrahur këto vende pune dhe krijimin e vendeve të reja.
Më herët Shoqata e Përpunuesve të Qumështit i ka dërguar letër drejtpërdrejtë kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, por, sipas tyre nuk ka kthyer përgjigje. Pas një kohë shoqata ka dërguar letrën e dytë që ka qenë publike por, prapë pa përgjigje.
Në letrën e Memajt jepet shpjegimi për 40 mijë vendet e punës, që sipas tij rrezikohen pasi që vendet e ndryshme sulmojnë tregun tonë me produkte të dampuara, me produkte të cilësisë së dyshimtë dhe përmbajtje të vajrave bimore sikur ai i pallmës.
Ai më tutje i ka parashtruar edhe një pyetje kryeministrit rreth asaj se: “A e din se mbi 70 për qind të “djathërave” dhe një pjesë e “qumështit” që importohen dhe shiten në Kosovë kanë deklarim të rrejshëm ose nuk prodhohen nga qumështi”.
Kërkesat e Qumështarëve
Aplikimi i Tarifës së Integruar të Kosovës (TARIK) sikur që bëjnë vendet e BE-së dhe vendet e rajonit me qëllim të mbrojtjes së produkteve vendore.
Zbatimin e ligjit anti-damping pa asnjë hezitim.
Kuotizimin e importeve për qumësht dhe produkteve të qumështit.
Rregullimi ligjorë i importit të produkteve me prejardhje bimore.
Masat kundër balancuese ndaj produkteve të subvencionuara.
Lirimet e repromaterialit dhe lëndës djegëse për prodhim nga taksat e importit.
Letra e hapur e dërguar më herët:
I nderuar Zotëri Kryeministër Isa Mustafa,
Në Kosovë industria e prodhimit dhe përpunimit të qumështit ka krijuar 40 mijë vende të punës dhe ka siguruar produkte të shëndosha, të sigurta dhe të prodhuara pa aditivë të ndryshëm siç është yndyra bimore. Këto vende pune janë krijuar me djersë dhe përkushtim.
Fatkeqësisht, këto vende pune janë të rrezikuara pasi vendet të ndryshme sulmojnë tregun tonë me produkte të dampuara, me produkte të cilësisë së dyshimtë dhe përmbajtje të vajrave bimore sikur ai i pallmës. A e dini se mbi 70 për qind të “djathërave” dhe një pjesë e “qumështit” që importohen dhe shiten në Kosovë kanë deklarim të rrejshëm ose nuk prodhohen nga qumështi?
Vitin e kaluar, institucioni juaj për sigurinë e ushqimit, Agjensioni e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) ka sjellë vendim për ndalimin e një numri të madh të produkteve. Mirëpo, tash e tetë muaj qytetarët vazhdojnë të konsumojnë këto produkte në mungesë të zbatimit të ligjit dhe vendimit. Diskriminimi i industrisë sonë nga politika kosovare manifestohet edhe më shumë. Ne duhet të paguajmë – për dallim nga prodhuesit e vendeve nga të cilat importohen produktet e qumështit – doganë dhe TVSH në repromaterial si dhe një “super akcizë” në lëndët djegëse.
Mungesa e zbatimit të masave ligjore në mbrojtje të produkteve vendore rrezikon seriozisht 40 mijë vende pune në Kosovë. 40 mijë qytetarë të Kosovës që zgjohen shumë herët në mëngjes për tu kujdesur për kafshët e tyre qumështore, për të përpunuar qumështin e freskët, për të bartur ato produkte deri në zinxhirin e shitjes, janë në rrezik të humbin mundësinë për të punuar dhe të drejtohen në dyert e Ministrisë së Çështjeve Sociale.
Gjatë krizës financiare që kishte përfshirë BE-në dhe SHBA-të, qeveritë reaguan dhe ndihmuan jo vetëm fermerët dhe përpunuesit e ushqimit, ata ndihmuan edhe industrinë e automobilave, edhe industrinë e bankave apo të agjencive të sigurimit. Atëherë për shumë industri u përdor termi “Too big to fail” shumë të mëdhenj për të dështuar. Në Kosovë industria që punëson 40 mijë kosovarë është shumë e madhe për të dështuar.
Fati i 40 mijë punëtorëve dhe familjeve të tyre qëndron edhe në duart tuaja. Shfrytëzoni Tarifën e Integruar të Kosovës (TARIK) për të mbrojtur produktet vendore, zbatoni ligjin anti-damping pa asnjë hezitim, kuotizoni importet për qumësht dhe produkte të qumështit, rregulloni importin e produkteve me prejardhje bimore, merrni masat kundër balansuese ndaj produkteve të subvencionuara, lironi repromaterialet dhe lëndën djegëse nga taksat e importit.
Ne ju ftojmë për të biseduar me ne që të gjejmë zgjidhjet për sektorin. Ju mund të ruani 40 mijë vende pune dhe të krijoni edhe 20 mijë të tjera!
Ne nuk po kërkojmë asgjë tjetër përveç që ne të barazohemi me përpunuesit e vendeve të tjera të Ballkanit dhe të Evropës
Arrestohet shqiptarja në Londër, mori pjesë në protestat pro...
Supergol nga Granit Xhaka, vulos fitoren e Leverkusen
Zbulohet data e fillimit të edicionit të katërt të “BBVA”
Dhjetra të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë dhe Liban
Asociacioni “do të jetë” kusht edhe për BE, thotë Guerot
Kryediplomati i ardhshëm amerikan, Marco Rubio dhe politika ...