Google ADS

Kritikohet dorëheqja e Bordit të Telekomit: Dështuan, i kthyen shpinën ndërmarrjes

11:26 | 22 Korrik 2020
Arbresh.info

Anëtarët e Bordit të Telekomit të Kosovës kanë dhënë dorëheqje pas përmbaruesi ka tërhequr nga xhirollogaria e kësaj ndërmarrjeje të gjitha mjetet që posedonte.

E këtë vendim të bordit e ka kritikuar ish- kryetarja e bordit të Telekomit, Besa Shatri-Berisha.

Ajo në një prononcim dhënë për arbresh.info ka thënë se dorëheqja është dështimi më i madh i bordit. Shatri ka shtuar se me këtë veprim i është kthyer shpina ndërmarrjes.

“Dorëheqja e bordit të Telekomit në këtë moment me llogari të bllokuara është kthim i shpinës, është dëshmimi më i madh i këtij bordi. Bordet janë edhe kur gjërat nuk shkojnë mirë, edhe ne kemi pas probleme shume me kontratën me z-mobile, kemi qëndruar mbrapa dhe kemi punuar ndoshta edhe 24 orë në Telekom në mënyrë që të dalim në gjendjen më të mirë”, ka thënë ajo.

Shatri-Berisha ka shtuar gjithashtu se me probleme të ngjashme janë ballafaqur edhe ata.

“Edhe ne atë kohë kemi mundur  të japim dorëheqje në momentin që jemi ballafaquar me problemet e para, nuk është hera e parë që z-mobile ka tentuar të bllokoj llogaritë por ne kemi tentuar të gjejmë zgjidhje për problemet që kanë ekzistuar”, ka thënë ajo.

Ish- kryetarja e bordit të Telekomit të Kosovës ka thënë edhe se borxhi duhet të paguhet pavarësisht se kush qëndron mbrapa kompanisë.

“Bordet i mbrojnë të drejtat e aksionarëve nuk është që kemi zhvillu diçka në kundërshtim ne interesat. Borxhi i z-mobile është borxh i përcaktuar nga Gjykata e Arbitrazhit, pa një vendim të gjykatës në vend i cili thotë se nuk e njeh borxhin është borxh që ekziston dhe duhet të paguhet pa marrë parasysh kush është mbrapa kompanisë”, ka përfunduar ajo.

Ndryshe për bllokimin e llogarive bankare të Telekomit të Kosovës ekskluzivisht javën e kaluar ka raportuar arbresh.info.

Bllokimi ka ardhur pasi ditë më parë Gjykata Themelore Prishtinë ia ka njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar prapësimin (kundërshtimin) e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.

Pas këtij vendimi, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka ftuar dy herë në takim përfaqësuesit e Telekomit. Në takimin e dytë ishte i pranishëm edhe pronari i z-mobile, Blerim Devolli i cili nuk ka dashur të prononcohet për medie.

Por, përfaqësuesi i sindikatës së punëtorëve, Lamih Balaj ka thënë se kanë marrë premtim nga Qeveria e Kosovës se zhbllokimi i llogarive do të ndodhë pasdite./arbresh.info/

 

EKSKLUZIVE- Bllokohen llogaritë e Telekomit të Kosovës, rrezikohet me falimentim

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme