Biznese e përfaqësues të Qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës kanë marrë pjesë në Expoforumin e organizuar këtë herë në Prishtinë, për t’i diskutuar për së afërmi mënyrat e reja të financimit të projekteve strategjike Kosovë – Shqipëri, njofton kumtesa nga Ministria e Diasporës.
Në Expoforumin e organizuar nga AlbKonfindustria, Ministria e Diasporës dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e përkrahur nga projekti DEED, u trajtuan shumë çështje, me të cilat bizneset nga diaspora ballafaqohen në implementimin e projekteve të ndryshme.
Sipas Gjergj Buxhukut, përfaqësues i AlbKonfindustrisë, Kosova dhe Shqipëria duhet të orientohen nga mënyrat e ndryshme për t’i shikuar mundësitë zhvillimore. Sipas tij, një parakusht i rëndësishëm është fuqizimi I tregjeve aktuale dhe inicimi i projekteve aktive nga vetë shtetet që ta nisin kërkimin e kompanive private për të investuar.
Në këtë kontekst, ministri i Diasporës, Valon Murati, njëherësh bashkënikoqir i këtij takimi, theksoi se potenciali i shqiptarëve në diasporë është shumëdimensional, duke u nisur nga ai intelektual, profesional, kulturor deri tek ai financiar.
“Të dy qeveritë kemi filluar ta kuptojmë rëndësinë e këtij potenciali. MeD-ja ka vazhduar krijimin dhe konsolidimin e rrjetit të bizneseve, që do të shndërrohet në një partner të zhvillimit ekonomik, ndërsa heqja e barrierave mes dy vendeve dhe krijimi i një tregu të përbashkët do ta lehtësojë edhe më shumë të bërit biznes”, tha ministri Murati.
Nga ana tjetër, ministri i Energjisë dhe i Industrisë në Qeverinë e Shqipërisë, z. Damian Gjiknuri, përpos që ritheksoi rëndësinë e një tregu të përbashkët, tha se kapacitetet e Kosovës dhe të Shqipërisë në fushën e energjetikës kanë mbetur të paeksploatuara.
“Ne kemi nevojë për investime të huaja, për hapje të tregjeve tona, sepse si do të jemi atraktivë pa treg të qëndrueshëm. Roli i shtetit është të fasilitojë investim dhe të promovojë projekte. Ne kemi mungesë të projekteve. Kapitale ka, por projekte nuk ka”, tha Gjiknuri.
Ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë e Kosovës, Hykmete Bajrami, tregoi për përpjekjet e MTI-së në rregullimin e infrastrukturës ligjore dhe asaj financiare për investimet e huaja, duke theksuar rëndësinë e fillimit të punës së Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ku do të adresohen drejtpërdrejt kërkesat e investitorëve të mundshëm në nivel ministror.
Lazim Destani, president i kompanisë “ECOLOG” dhe kryetar nderi i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Diasporë, kërkoi që praktika e investimeve me mjete vetjake, siç është duke u aplikuar tash për tash në Kosovë, rrallë ku gjendet në vendet e zhvilluara, aq më pak në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ndërpritet, ndërsa Qeveria të jetë hisenike në projektet zhvillimore.
Në punimet e forumit u paraqitën edhe projekte nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, pikërisht në sektorin e energjetikës.
Nesër mblidhet Komisioni hetimor për tekstet shkollore, inte...
Burimi përfshihet nga paniku dhe ndihet i rrezikuar nga zarf...
Ushtarët e KFOR-it ndezin buldozerët, pastrojnë një kanal në...
Fitorja e Trump/ Von der Leyen bisedë telefonike me presiden...
Nis “tubimi i ndryshimit” i LDK-së
Diçka po “zihet” mes Bay T dhe Feros