Google ADS

Krasniqi: Ministria e Financave po shtrembëron shifrat

11:08 | 23 Dhjetor 2015
Arbresh.info

Me ndryshimet fiskale që nisën nga shtatori, bizneset e Kosovës nuk përfituan 5 milionë euro, siç thuhet në Raportin e Punës së Ministrisë së Financave. Sipas të dhënave që përmban ky Raport, bizneset mund të kenë përfituar maksimalisht deri në 100,000 euro.

Këto janë të dhënat që ka ofruar përmes një shkrimi autorial presidenti i Odës Ekonomike Gjermano Kosovare Samir Krasniqi.

Lexojeni të plotë shkrimin e tij

Po lexoja me kujdes si lexues i rëndomtë Raportin e Punës së Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës dhe u befasova fortë për të mirë, sa u impresionova aq sa mendova se vërtetë në Kosovë paskan ndërruar gjërat kaq pozitivisht, sa edhe shumë shtete të zhvilluara do të na e kenë zili. Përjetova një moment gëzimi e kënaqësie sikur m’u bë se po jetoja në një vend ku gjithçka është në rregull; Ku ekonomia e këtij vendi është duke e arrit kulminacionin e zhvillimit; Ku papunësia është shumë e ulët; Ku korrupcioni, evazioni fiskal, shpërlarja e parasë, nepotizmi, burokracia e shumë element të tilla negative, pothuajse as që njihen, madje as si terminologji e fjalorit tonë…. Me një fjalë deri sa fillova ta lexoj për së dyti këtë Raport, jetova në një shtet që e kemi endërruar të gjithë.

T’i kthehemi realitetit!

Ministria e Financave publikoi Raportin e saj vjetor, i cili në disa raste bie në konfrontim me vetën. Në përgjithësi, konfrontimi është në atë që në njërën anë thotë se kemi bërë aq shumë lehtësira për bizneset, e në anën tjetër, thotë se ka rritje të të hyrave në Dogana dhe në Administratën Tatimore të Kosovës. Logjikshëm shtrohet pyetja, nga vijnë këto të hyra më të mëdha kur janë bërë lehtësira që nënkuptojnë më pak pagesa tatimore?! (Nuk mund t’u besoj konstatimve të luftës ndaj kontrabandës, evazionit fiskal dhe …….)

Për të mos e zgjatur shumë me kontradiktat tjera, po e marr vetem një shembull nga raporti i fundit në të cilin thuhet:

“163 kompani kanë shfrytëzuar mundësinë e importit pa TVSH të makinerisë prodhuese dhe teknologjisë informative. Si rezultat, janë importuar rreth 30 milionë euro vlerë të makinerisë prodhuese, të cilat kanë përfituar mbi 5 milion euro lirime nga TVSH-ja që mund të konsiderohet si kontribut i Qeverisë së Kosovës në nxitjen e investimeve“.

Sipas kësaj, i bie që bizneset kanë 5 milionë euro më shumë në arkat e tyre, në krahasim me politikat e vjetra të TVSH-së, aplikuar deri para 1 shtatorit 2015.

Kjo nuk qëndron! E kanë këshilluar gabim si në shumë raste tjera zotëri Hotin.

Biznesi nuk ka përfituar 5 milionë euro por ka mundur të ketë përfituar nga 30,000, maksimalisht deri në 100,000 euro. Ndryshimi me të kaluarën është se para 1 shtatorit të këtij viti, bizensi ka paguar TVSH-në me rastin e zhdoganimit të mallrave në Doganë dhe kjo pagesë e TVSH-së është thyer me TVSH-në nësë biznesi ka qenë në avans ose është rimbursuar ashtu siç e parasheh ligji. Në rastin konkret, para 1 shtatorit 2015, bizneset do të duhe j të paguanin avans 5 milionë euro, të cilat më pastaj do t’i rimbursonin brenda një muaji. Nëse marrim përqindjen mesatare vjetore të intersit bankar, që është rreth 8 %, i bie që për këtë shumë, bizneset do të paguanin 33,000 euro për një muaj për interes bankar. Po themi se për arsye burokratike, bizneset nuk kanë mund të rimbursohen brenda një muaji por pas 3 muajve, dhe kjo i bie që biznesi ka paguar 99,000 euro. Pas një shtatorit biznesi nuk do të paguaj këtë interes, pasi nuk do paguaj TVSH-në që në hyrje të mallërave, pra në avans.

Është gabim të thuhet që bizneset përfituan 5 milionë euro. Nga të dhënat që përmban Raporti, bizneset mund të kenë përfituar 33,000 euro.

Me logjikën e njejtë janë duke u pasqyruar të gjitha efektet nga ndryshimi i TVSH-së. As kjo nuk qëndron dhe është gabim të interpretohet tutje në këtë mënyrë.

Për të ndryshuar politikën fiskale, janë dy instrumente kryesor e: Shpenzimet qeveritare dhe taksat. Nën taksa është padyshim edhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Ndryshimi i përqindjes së TVSH-së mund të ndikojë në rialokimin e konsumit privat. Një ulje në normën e TVSH-së do të rriste konsumin privat, ose e kundërta, një ngritje e TVSH-së do ulë fuqinë blerëse. Ndryshimi i TVSH-së ka të bejë më shumë me politika sociale, pra prek konsumatorin e fundit. Si rrjedhojë e kësaj, efekti i vetëm për biznesin është tek rritja apo ulja e fuqisë blerëse. Ndikim tjetër anësor ka edhe në rrjedhën e parasë, që është shumë minimal, sipas shembullit të dhënë më lartë.

Duke na servuar të tilla kalkulime, Ministria e Financave ose është duke manipuluar qëllimisht me shifra ose nuk është duke e ditur. Unë besoj që këto interpretime, është duke i bërë me qëllim, se po të ishte se nuk di, do të ishte shumë më keq.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme