Pas pak ditësh N. D. nga Rahoveci feston ditëlindjen e 40. Tash e tre vite ka përfunduar fakultetin Juridik, por që nga atëherë është duke kërkuar një vend të punës.
Ai për këtë kohë thotë se s’ka lënë vend pa aplikuar, por që deri më tash s’ka arritur të punësohet.
“Kam përfunduar universitetin tash e tri vjet. Jam edhe në prag të mbrojtës së diplomës së masterit, por vend të punës nuk po mund të gjejë. Gjatë tërë kohës jam në kërkim, mirëpo ende nuk kam arritur të punësohem dikund”, thotë ai për Gazetën Fjala.
Fat të njëjtë me N.D ndajnë edhe afro 8 mijë persona të tjerë në tërë Kosovën. Diploma që kishin marrë pas përfundimit të Universitetit, ndonëse do të duhej tu shërbente që të gjenin një vend pune, duket se po u shërben vetëm që të identifikohen në zyrat e punësimit si të papunë.
Disa nga ta i janë ofruar moshës së pensionit dhe me këtë trend duket se më parë do të marrin pensionin e pleqërisë se pagën e parë.
Kështu tregojnë të dhënat e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bazë të së cilave del se edhe numri i të papunëve të regjistruar me shkollë të fillore dhe të mesme profesionale del të jetë goxha i madh.
“Të regjistruarit si te “pakualifikuar” janë 37,950 persona, ndërsa të papunët e regjistruar me “sh. fillore” arrijnë shifrën prej 24,062 persona, ndërsa te regjistruarit me “sh. Mesme profesionale” arrijnë shifrën ne 29,530 persona. Kurse numri i te regjistruarve me “Universitet” është rreth 7,826”, thuhet në raportin për punën dhe punësimin të vitit 2016, që ka publikuar Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Në bazë të këtij raporti numri i përgjithshëm i të papunëve në tërë Kosovën që janë të regjistruar nga shërbimet publike deri në fund të vitit 2016 është 101 mijë e 773 persona, ku prijnë meshkujt.
“…101,773 persona, ku prej tyre femra janë 45,061 ndërsa meshkuj 56,712 persona”.
Shumë pak vende të lira punë
Qyteti që prin me numrin më të madh të të papunëve është Prishtina, pasuar nga Prizreni dhe Mitrovica.
Në kryeqytet janë të papunë 24 mijë e 727 persona, në Prizren janë 16 mijë e 412 persona dhe në Mitrovica janë të papunë 15 mijë e 535 persona.
E aktualisht në Kosovë janë 14 mijë e 137 vende të lira të punës, e nëse krahasohet me vitin 2015 ka rritje.
“Shërbimet Publike të Punësimit edhe gjate këtij viti raportues kane pasqyruar rreth 14,137 vende të lira të punës. Nëse krahasojmë të dhënat me 2015-ën kemi ngritje prej më shumë se 22.9%”, thuhet në raportin e MPMS-së.
E shumica e vendeve të lira që ofrohen u referohen sektorit te industrisë, tregtisë, riparimit te automobilave dhe artikujve shtëpiak, si dhe nga sektori i bujqësisë, gjuetisë dhe silvikulturës me 11,4%.
Qytet që ofrojnë më shumë vende të punës janë Ferizaj, Prizreni e Prishtina.
“Vendet e lira të punës të regjistruara më së shumti i referohen rajonit të Ferizajt me 3,213 vende ose me 22,7%, ndjekur nga Prizreni me 2,648% vende të lira ose me 18,7%, pastaj rajoni i Prishtinës me 1,904 vende të lira ose 13,5%. Vende të lira të punës të regjistruara më së paku i referohen rajonit të Gjilanit me 1,262 vende ose me 8.9%.”
Rinia s’ka prirje për të studiuar
Problemi i tyre pas studimeve vazhdon në gjetjen e punës. Konkurrenca rritet edhe nga studentët e universiteteve private të cilët çdo vite diplomojnë një numër të lartë të studentëve.
Shumë prej këtyre të rinjve në mungesë të një pune në të cilën janë kualifikuar detyrohen t’i drejtohen profesioneve tjera.
Dukagjin Pupovci drejtor i Qendrës për Arsim të Kosovës dhe njohës dhe kritik i sistemit të edukimit pati thënë për Gazetën Fjala problemi qëndron tek të rinjtë të cilët nuk kanë prirje të veçantë për studiuar diçka.
“Të tillët kanë problem për të qenë të suksesshëm edhe në ato profesione për të cilat tregu i punës ka nevojë, e të mos flasim për profesionet nga të cilat tregu i punës është “ngopur”.
Arsye e këtij ngërçi në punësim dhe konkurrencës së madhe në vetëm disa prej drejtimeve të UP-së është dhe mungesa e shkollave profesionale. Kjo krijon në paaftësinë e të rinjve që të hyjnë në tregun e punës.
Sipas Pupovcit të rinjve u nevojitet po ashtu orientin dhe këshillim në karierë i cili duhet të organizohet që nga klasat e fundit të arsimit të obligueshëm, gjë e cila mungon në pjesën më të madhe të shkollave të vendit.
“Në mungesë të këtij këshillimi të rijnë u drejtohen universiteteve në bazë të shtytjes nga familja dhe shoqëria në degët ku ka më shumë mundësi punësimi”, thotë ai.
Nuk ka punëtorë të kualifikuar
Një problem i madh i arsimit në Kosovë mbetet paaftësia që të krijojë punëtorë të aftë të hyjnë në tregun e punës. Ketë shqetësim në vazhdimësi e kanë bizneset kosovare.
Në një analizë të institutit GAP mbi përgatitjen profesionale për tregun e punës bizneset kanë thënë se vështirësi të gjejnë punëtorë të kualifikuar.
Prej 92.6 për qind të kompanive të anketuara të cilat kanë punësuar punëtorë të rinj gjatë tri viteve të fundit, 82.1 për qind kanë hasur në vështirësi të gjejnë punëtorë të kualifikuar.
“Mospërputhja e aftësive me kërkesat e bizneseve ka bërë që kompanitë të punësojnë punëtorë më pak të kualifikuar, të pengohet zhvillimi i shërbimeve të reja dhe të ulet produktiviteti”, thuhet në raportin e GAP-it.
Sipas Fikrete Asllani, Udhëheqëse e Departamentit të Burimeve Njerëzore në kompaninë Baruti GmbH, rreth 60 për qind të aplikantëve në “Baruti” nuk janë punësuar për shkak të mungesës së aftësive bazike të shkrimit të letrësmotivuese, rezymeve dhe emailave, si hap i parë i në procesin e rekrutimit.
Si rrjedhojë kompania është detyruar që të ofrojë vet trajnime për punëtorët.
“Baruti ofron trajnime të shumta për punëtorët e tyre duke bashkëpunuar me institucione arsimore private për ofrimin e moduleve të veçanta për punonjësit e “Barutit”. Por një bashkëpunim i tillë ende nuk ka ndodhur me institucione publike edhe pse ka pasur përpjekje për bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, dega Gjuhë dhe Letërsi Gjermane”, ka thënë Asllani.
Të rinj pa perspektivë
Por gjendja del të jetë më e rëndë sesa vetëm mungesa e vendeve të reja të punës. Sipas një raporti të fundit të Agjencisë se Statistikave të Kosovës, janë mbi 100 mijë të rinj në Kosovë që janë krejtësisht të shkëputur nga tregu punës si pasojë e mungesës se shkollimit.
Në Anketën e Fuqisë punëtore për tremujorin e fundit të vitit 2016, kjo agjenci alarmon se si pasojë e kësaj Kosova mund të këtë probleme të mëdha sociale në të ardhmen.
Në tremujorin e katërt të vitit 2016, të rinjtë në Kosovë kishin dy herë më shumë gjasa të ishin të papunë në krahasim me të rriturit, me shifra pothuajse të ngjashme për meshkujt dhe femrat.
Të rrezikuar janë kryesisht të rinjtë joaktivë, pra që nuk janë të punësuar. Të kjo kategori të rinjtë nuk ndjekin shkollimin as nuk trajnohen, dhe janë krejtësisht të shkëputur nga tregu i punës dhe nuk marrin pjesë as në sistemin arsimor.
Bëhet fjalë për 104 mijë e 315 të rinj të kësaj kategorie (të moshës 15 deri 24), të cilët nuk ndjekin shkollimin, nuk ishin të punësuar apo në trajnim dhe përbënin 29.7 për qind të popullsisë së re.
Begaj riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për mbështetje ndaj ...
Studim: Jeta në hapësirë nuk dëmton aftësitë mendore të astr...
Në Tuz të Malësisë vendoset busti i Gjergj Kastriotit
Zelensky bën thirrje për një përgjigje të fortë ndaj shantaz...
Real Madridi e fiton “El Classicon” në basketboll
Sipas Haradinajt, opozita do t’i fitojë zgjedhjet