Kosova, vendi më i vogël me numrin më të madh të pikave të karburantit

14:14 | 1 Nëntor 2018
arbresh.info

Kosova është vendi më i vogël me numrin më të madh të pikave të karburantit.

Këtë e thotë Fadil Berjani Kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve, derisa kërkon që të ketë kriter rreth largësisë ndërmjet pikave, raporton arbresh.info.

“Ligji i naftës duhet të kalojë sa më parë. Në ligj duhet të inkorporohen licencat 10 vjeçare dhe kontrolli të bëhet në kufi. Për kontrollin e cilësisë koston le ta merr shteti. Jemi kundër trupave inspektues, për të qenë funksional le ta pagun qeveria. Gjobat për naftëtarët janë më të shtrenjtat në botë, është solide që gjatë importit gjoba të jetë prej 1 mijë euro deri  në 5 mijë, në brendi prej 100 euro deri në 1000 euro. Humbjet hala nuk janë funksionale. Gjithmonë kemi kërku që gazit t’i hiqet akciza. 95 përqind gazi përdoret në amvisëri dhe një përqindje e vogël për automjete. Kriteri për largësinë e pikave të karburantit të shqyrtohet, në rrugë lokale 10 kilometra, rajonale 15 kilometra dhe në autostrada 25, dhe ky është standard i Bashkimit Evropian. Duhet të ketë kriter, jemi shteti më i vogël në botë me më së shumti pika karburanti,”  është shprehur Berjani.

Zëvendësministri në Ministrinë e Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, siguroi naftëtarët se do të vazhdojnë konsultimet për të rregulluar telashet që hasë ky sektor.

“Planifikojmë ta kemi edhe një takim me shoqatën tuaj, që t’i marrim saktë të gjitha ato kërkesa tuaja. Ta prezantojmë draftin para juve që të jepni vërejtjet dhe jo pas aprovimit të dalim të protestojmë, por paraprakisht të merremi vesh. Jemi të interesuar që bashkërisht të përmbyllim këtë temë,” tha Kadriu.

Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ishte nikoqir i tryezës së naftëtarëve me përfaqësues të institucioneve.

“Po mundohemi me i pa ligjet që i prekin shumë sektorët, çështja e humbjeve është çështje me shtrirje horizontale, dhe në atë pikë qeveria e ka miratu draftin e parë të Ligjit për TVSh-në, dhe do të ketë udhëzim administrativ që rregullon çështjen e humbjeve sipas modelit të Sllovenisë,” deklaroi Rukiqi.

Këto komente u bënë gjatë takimit të Shoqatës së Naftëtarëve me Ministrinë e Financave, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministrinë e Infrastrukturës./arbresh.info/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme