Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike

13:12 | 20 Prill 2016
Arbresh.info

Sektori i energjisë në Kosovë vazhdon të përballet me probleme të shumta. Bizneset janë ato që më së shumti pësojnë meqë energjia elektrike mbetet faktor kryesor për funksionimin e tyre.

Në një konferencë të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare u tha se investitorët gjermanë kanë hasur në vështirësi të shumta për të depërtuar në tregun kosovar për investime në sektorin energjetik.
Kosova është një ndër vendet e rajonit që ka kapacitete për stabilizimin energjetik në vendet. Megjithatë Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike dhe probleme tjera që e përcjellin këtë sektor. Këtu u tha në konferencë me temë “Sfidat dhe e ardhmja e sektorit të energjisë në Kosovë”, të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano Kosovare. Hamdi Malushaj, njohës i fushës së energjisë theksoi se ekziston projekti për rindërtimin e TC “Kosova A”, por sipas tij, nuk ka interesim të institucioneve për një gjë të tillë.

“E kemi idenë gjermane për rindërtimin e TC “Kosova A”. Ky projekt rrinë në tavolinë dhe konstrukti financiar i kësaj ideje ekziston dhe vet ndërtimi në masën 70 për qind që do të gjeneronte gjatë rindërtimit ky projekt është garanci e mirë i cili do të ishte i mundshëm për të filluar menjëherë”.

Por, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci mohoi se investitorët e huaj nuk gjejnë bashkëpunim për investime nga institucionet e Kosovës. Ai theksoi se janë takuar disa herë me ekspertë të ndryshëm gjerman dhe kanë kërkuar mbështetje por asnjëherë nuk kanë marrë përgjigje.

“Iu kemi thënë se a kemi mbështetje nga ndonjë institucion ndërkombëtar financiar. Na kanë thënë se për një javë do iu kthejmë përgjigjen. Janë bërë më shumë se një vit që nuk kemi asnjë përgjigje. Prandaj, të mos akuzojmë përderisa ka shumë arsye. Përndryshe edhe me ekspertët dhe investitorët gjerman po punojmë me ta dhe do të punojmë edhe më shumë në të ardhmen”, tha ai.

Ndryshe, pas shumë debatesh dhe zvarritje, Qeveria ka nënshkruar një marrëveshje për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re. Ndërkohë, fati i Termocentralit Kosova A, pritet të definohet në qershor të këtij viti, i cili ka qenë i paraparë të mbyllet në fund të dhjetorit të vitit 2017./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme