Google ADS

Kosova shtrëngon masat, ndalohet importi nga Kina i mallrave që mund të bartin koronavirusin

23:18 | 29 Shkurt 2020
Arbresh.info

Ndonëse në Kosovë nuk është konfirmuar ende asnjë rast me koronavirus, institucionet kanë marrë masa paraprake për çdo eventualitet.

Rreziku më i madh që i kanoset Kosovës konsiderohen mallrat nga shteti i Kinës, që rëndom në Kosovë hyjnë përmes porosive të bëra “online” nga ueb faqet për shitblerje të gjësendeve të ndryshme.

Sidoqoftë, Kosova mund të thuhet se në aspektin e importit të mallrave nga Kina është e sigurt.

Kjo për shkakun se pas përhapjes së koronavirusit, Kosova ka ndaluar edhe importin e hojit të bletëve, që ishte malli i vetëm që hynte në Kosovë nga shteti aziatik.

Lamir Thaçi nga AUV, thotë për lajmi.net se Kosova nuk importon produkte ushqimore nga Kina që potencialisht konsiderohen si lëndë përmes të cilave përhapet koronavirusi.

“Republika e Kosovës, nuk importon produkte ushqimore nga Kina, të cilat potencialisht konsiderohen si lëndë përmes të cilave mund të bartet virusi, njëkohësisht nuk kemi importe të kafshëve të gjalla. I vetmi import ka qenë ushqimi për bletë dhe hojet e bletëve, të cilat i kemi ndaluar menjëherë për import. E kjo padyshim, që na ndihmon që ne t’i shmangemi rrezikut direkt nga vendi i origjinës së virusit, pra nga Kina”, thotë Thaçi për lajmi.net.

E për vendet e tjera aktualisht nuk ka ndalesë. Thaçi thotë se sipas vlerësuesve të rrezikut, nuk ka raste të shpërndarjes së sëmundjes përmes mallrave apo ushqimeve tjera.

Ai thotë se ndalesë për vendet e tjera mund të ketë vetëm për kafshët e gjalla, që mund të bartin virus apo sëmundje.

“Për vendet e tjera deri me tani nuk ka ndalesë për produktet ushqimore të cilat iu nënshtrohen kontrollit kufitar përveç kafshëve të gjalla për të cilat edhe në raste të zakonshme mund të bartin një agjent specifik apo sëmundje. Bazuar në ECDC (Qendrën Evropiane për Kontrollin e Sëmundjeve) në të cilën thirret edhe Komisioni Evropian , nuk kanë marrë masa mbrojtëse për ushqim dhe tregti nga Kina, dhe se deri më tani (sipas vlerësuesve të rrezikut nga këto institucione) nuk ka raste të shpërndarjes së sëmundjes përmes ushqimit apo mallrave tjera”, ka thënë Thaçi.

Sidoqoftë, nga AUV thonë se janë duke përcjellë me seriozitet situatën dhe të dhënat e OBSH-së, dhe Komisionit Evropian lidhur me ushqimin dhe tregtinë.

Thaçi thekson se AUV është i gatshëm që në çdo kohë të vihen në veprim me të gjitha kapacitetet që ata kanë.

“Gjithsesi, AUV përveç pjesëmarrjes së rregullt në komitetin e krijuar nga Ministria e Shëndetësisë, është duke përcjellë me seriozitet situatën dhe të dhënat e OBSH, Komisionit Evropian dhe EUCD-së lidhur me ushqimin dhe tregtimin e tij. Ne, si autoriteti më i lartë për ushqim dhe veterinari, jemi të gatshëm që në çdo kohë, më të gjitha kapacitetet që kemi të vihemi në dispozicion për të vepruar, për parandalimin e këtij virusi në vendin tonë. Të gjitha rekomandimet që dalin nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendra e Kontrollit të Sëmundjeve (ECDC), jemi të përgatitur që t’i aplikojmë në pjesën që i takon kompetencave tona si Agjenci, sikurse të gjitha vendet, të cilat inkurajohen të vazhdojnë të forcojnë gatishmërinë e tyre për emergjencat shëndetësore në përputhje me Rregulloren Ndërkombëtare të Shëndetit (2005)”, thotë ai.

Përveç masave në ushqim, Kosova aktualisht ka vendosur edhe kontrolle të rrepta në aeroport për udhëtarët që vijnë nga vendet ku është përhapur më shumë virusi.

Aktualisht, Italia është shteti me numrin me të madh të rasteve me koronavirus dhe me numrin e viktimave nga kjo sëmundje.

Ndryshe, në Kosovë si rrjedhojë e frikës së përhapjes së këtij virusi, barnatoret dhe depot kanë mbetur pa maska mbrojtëse, ndërkaq që edhe ato që kanë mbetur pa u shitur u janë pesëfishuar çmimet.

Lajmi.net kishte raportuar edhe më herët lidhur me këtë dukuri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme