Kosova më së shumti importon nga Serbia

12:38 | 27 Shkurt 2018
Arbresh.info

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin janar 2018.

Sipas këtyre të dhënave, deficit tregtar në muajin janar 2018 ishte më i lartë për 36.0%, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017, gjegjësisht në vlerë prej 170.5 milionë eurosh, krahasuar me deficitin prej 125.4 milionë eurosh në vitin 2017. Eksporti mbulon importin vetëm me 12.6%.

Eksporti i mallrave në muajin janar 2018 kishte vlerën 24.5 milionë euro, ndërsa importi 195.0 milionë euro, që është një rritje prej 14.3% për eksport dhe një rritje prej 32.8% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 43.4% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 11.5% plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 10.4%) produktet minerale, 9.0% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 4.5% lëkura dhe artikujt prej saj, 4.3% produktet bimore dhe 4.0% e përbëjnë tekstili dhe artikuj prej tij.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 19.5% të importit e përbëjnë produktet minerale, 12.6% metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 11.5% makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 10.5% ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 7.8% mjetet e transportit, 6.4% produktet e industrisë kimike, 5.5% produktet bimore dhe 5.4% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 6.3 milionë euro, ose rreth 25.8% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 15.5%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (6.1%), Holanda (4.4%), Bullgaria (2.8%) dhe Italia (2.6%).

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 83.0 milionë euro, ose 42.5% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 30.1%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (9.9%), Italia (5.3%), Rumania (4.9%), Greqia (3.2%), etj.

Në muajin janar 2018, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 9.7 milionë euro, ose 39.6% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 38.8%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (13.7%), Maqedonia (10.2%), Mali i Zi (6.4%) dhe Serbia (5.7%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin janar 2018 arritën në 53.4 milionë euro, ose 27.4 të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 44.0%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (15.9%), Shqipëria (4.8%), Maqedonia (4.0%) dhe B&H (2.4%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 8.4 milionë euro, ose 34.6%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: India (22.3%) dhe Zvicra (6.0%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 58.5 milionë euro, ose 30.0%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (9.8%) dhe Turqia (8.3%).

Për më shumë informata, lidhur me Statistikat e Tregtisë së Jashtme për muajin janar 2018, vizitoni: http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/ekonomi/tregtia-e-jashtme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme